Dosje

Tenderi 322 mln lekë çoi në pranga kreun e Bashkisë së Bulqizës, roli i nënkryetares dhe zyrtarëve të tjerë

Gazeta Si - Abuzimi me tenderin e ujësjellësit, dyshohet se është shkaku i arrestimit të kreut të Bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla dhe nënkryetares Enkeleda Lleshi një ditë më parë.

Përveç tyre, në pranga janë vënë edhe 10 zyrtarë të tjerë nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve në tenderë.

SPAK ka njoftuar zyrtarisht se Alla ka favorizuar një kompani për të fituar tenderin me vlerë 322 milionë lekë, për ndërtimin e ujësjellësit në Bulqizë.

Sipas SPAK, Alla, duke shfrytëzuar postin si kryetar së bashku me zyrtarë të tjerë të bashkisë, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion kompania “BOE Egland shpk” dhe “BE-IS shpk”, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.

Alla përballet me dy akuza atë të shpërdorimit të detyrës dhe shkeljes së barazisë së tenderit.

Përveç kryebashkiakut, në burg knë përfunduar nënkryetarja e bashkisë së bashku me disa zyrtarë të tjerë: Lefter Alla, Enkeleda Lleshi, Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arseb Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja, Aqif Konesha ndërsa në arrest shtëpiak: Kastriot Ibrahimaj dhe Ana Nishku.

"Lefter Alla dhe Enkeleda Lleshi në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Shpërdorim detye” parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal. Shtetasit Rasim Daci, Aqif Konesha, Ana Nishku, Dalo Gazidedja në bashkëpunim me njëri tjetrin kanë konsumuar veprën penale “Falsifikim i dokumenteve” parashikuar nga neni 186/2,3 i Kodit Penal, ndërsa shtetasi K. I. ka konsumuar vperën penale “Falsifikim i formularëve” parashikuar nga neni 190/1 i K.Penal", - njofton SPAK.

Sipas hetimeve, Lefter Alla në bashkëpunim me nënkryetaren e Bashkisë, dhe punonjësit e tjerë, si specialistë të prokurorimeve, anëtarët e KVO, kanë bërë të mundur që këtë tender ta fitonte me dokumentacion BOE Egland shpk dhe BE-IS shpk, duke krijuar avantazhe për këtë subjekt gjatë procedurës së prokurimit.

Në një kohë që nga hetimi ka dyshime të arsyeshme të bazuara, se punimet janë kryer nga OE 2AF Albania shpk, lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë.

Kjo proçedurë prokurimi dyshohet që është inicuar dhe zhvilluar në kundërshtim me LPP dhe aktet nënligjore dhe nga Bashkia Bulqizë, konkretisht nga të hetuarit me veprime aktive që konsistojnë në ngritjen e një mekanizmi të posaçëm për nxjerrjen fituese të një firme në lidhje me procedurën e prokurimit të zhvilluar nga Bashkia Bulqizë.

Aktet deri në këtë fazë të hetimit njoftojnë se të hetuarit miratuan kritere për të favorizur një firmë pjesëmarrse në tender, firma pjesëmarrëse në prokurim paraqiste vetëm dokumetacionin, ndërkohë punimet realizoheshin nga i hetuari (A. K.), i cili rezultoi lidhje e afërt e Kryetar i Bashkisë Lefter Alla.

Në funksion të hetimeve të këtij procedimi penal janë përdorur mjete dhe metoda speciale hetimi të alternuara këto me mjetet apo metodat tradicionale të hetimit.

Ndërkohë policia e Bulqizës e mbështetur nga 2 grupe të FNSH dhe BKH kanë kontrolluar dhjetëra banesa.

Lefter Alla mbante postin e kryetarit te bashkisë që prej qershorit të vitit 2019.

Arrestimi i tij ndodhi dy muaj larg zhvillimit të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen më 14 maj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë