Drejtësia

Arrestohet kryebashkiaku i Bulqizës dhe 12 zyrtarë, akuzohet për korrupsion me tenderat

Kryebashkiaku i Bulqizës, Lefter Alla, është arrestuar nga policia me urdhër të SPAK  mbrëmjen e të mërkurës.

Në pranga kanë rënë edhe 12 zyrtarë të tjerë, të përfshirë në akuzat për korrupsion dhe abuzim me tenderat publikë.

Sipas SPAK, Alla është vënë në pranga për veprat penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”,“Shpërdorimi i detyrës”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Falsifikim i formularëve”.

Për këto vepra penale po hetohen edhe 7 persona të tjerë. Oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë zbarkuar në Bashkinë e Bulqizës, pas urdhër arrestit të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), për kryebashkiakun Lefter Alla.

Mësohet se oficerët kanë sekuestruar një kompjuter dhe disa dosje nga kjo bashki. Ai u zgjodh kryetar bashkie në zgjedhjet vendore të 2019. Alla fitoi me 92.11 për qind të votave, e thënë ndryshe me 7269 vota kundrejt 522 votave që mori Ilir Balla nga Bindja Demokratike.

Më parë, Alla është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë sqarime lidhur me dyshimet për abuzime me tenderat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë