Ekonomi

Temperaturat ekstreme i kushtuan Europës 2 miliardë euro humbje në prodhimin e drithërave

Vala e të nxehtit që goditi Europën në muajin qershor fshiu më shumë se 2 miliardë euro nga vlera e prodhimit të drithërave, sipas një analize të re, me Francën dhe Hungarinë që pësuan dëmet më të mëdha.

Sipas Coceral, shoqatës europiane të tregtarëve të drithërave, parashikimet për prodhimin e drithërave në Bashkimin Europian dhe Mbretërinë e Bashkuar u ulën me pothuajse 9 milionë tonë gjatë katër javëve pas valës së të nxehtit.

Një analizë e Energy and Climate Intelligence Unit (ECIU) vlerëson se humbja e prodhimit arrin në rreth 2.1 miliardë euro, bazuar në çmimet e fermerëve për grurin, elbin, misrin dhe drithërat e tjera. Kjo përfaqëson rreth 5% të vlerës së prodhimit të vitit 2025.

Temperaturat ekstreme goditën grurin pikërisht në fazën kritike të mbushjes së kokrrës në Francën qendrore dhe jugore, Gjermaninë jugore, Austri, Poloni dhe Hungari. Sipas Coceral, elbi i pranverës u prek më rëndë se elbi dimëror, i cili kishte përfunduar pjesën më të madhe të zhvillimit përpara rritjes së temperaturave.

Qershori ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Europën Perëndimore, me temperatura mesatarisht 3 gradë Celsius mbi mesataren e viteve 1991-2020. Në Francë termometri kaloi 43°C, ndërsa në Hungari arriti mbi 40°C.

Benoît Merlo, fermer që kultivon drithëra dhe mbarështon bagëti në një fermë organike prej 300 hektarësh në lindje të Francës, tha se prej një dekade ka investuar për ta bërë fermën më të qëndrueshme ndaj klimës më të nxehtë dhe më të thatë.

“Kam punuar për 10 vjet për ta bërë fermën më rezistente përmes kulturave mbuluese, rotacionit të kulturave dhe përdorimit të specieve të përshtatura për temperatura më të larta dhe thatësirë,” tha ai.

“Por kur temperaturat kalojnë 38 gradë Celsius për javë të tëra, gjithçka shembet. Pres humbje prodhimi të paktën 50%, madje deri në 70% për disa kultura, si soja. Nuk po shkojmë drejt një katastrofe, por tashmë jemi në të.”

Rreth gjysma e uljes së parashikimeve për prodhimin evropian të drithërave lidhet me misrin, i cili përdoret kryesisht për ushqimin e bagëtive. Temperaturat e larta goditën kulturat gjatë periudhës së pjalmimit në Francë dhe Hungari.

Coceral uli parashikimin për prodhimin e misrit në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar nga 57.2 milionë tonë në 52.7 milionë tonë.

Në vitet me korrje të dobëta, Bashkimi Evropian është importues neto i misrit, çka do të thotë se mungesa e prodhimit mund të rrisë kërkesën për importe nga vende si Ukraina dhe Brazili.

Ndërkohë, korrja më e vogël në Francë mund të kufizojë eksportet e grurit drejt vendeve të Afrikës Veriore dhe Perëndimore, ndërsa rritja e kostove të ushqimit për bagëtitë pritet të reflektohet në muajt e ardhshëm te prodhuesit blegtoralë.

Franca përballoi pothuajse gjysmën e dëmeve totale. Parashikimi për prodhimin e saj u ul me 4.1 milionë tonë, me një vlerë prej rreth 891 milionë eurosh sipas çmimeve aktuale.

Pjesa më e madhe e kësaj humbjeje lidhet me misrin, prodhimi i të cilit u ul me 3.35 milionë tonë, në 9.4 milionë tonë, një nivel edhe më i ulët se ai i regjistruar gjatë thatësirës së rëndë të vitit 2022.

Hungaria pësoi humbjen e dytë më të madhe, me një ulje të prodhimit prej 2.4 milionë tonësh, e vlerësuar në rreth 444 milionë euro.

Spanja humbi 1.4 milionë tonë, me një vlerë prej 276 milionë eurosh, ndërsa në Gjermani parashikimi u ul me një sasi të ngjashme, që përkthehet në rreth 233 milionë euro humbje prodhimi.

Për fermerët hungarezë situata mund të jetë edhe më e rëndë, pasi çmimet vendase të prodhimit ranë me afrimin e korrjeve, për shkak të konkurrencës nga drithërat më të lira të rajonit të Detit të Zi. Kjo do të thotë se ata përballen me humbjen e prodhimit pa përfituar nga rritja e çmimeve, siç mund të ndodhë me disa fermerë francezë.

“Kjo do t’i godasë fermerët drejtpërdrejt në të ardhurat e tyre, ndërsa njëkohësisht dobëson sigurinë ushqimore të Evropës,” tha Tom Lancaster, analist i tokës, ushqimit dhe bujqësisë në ECIU.

Vlerësimi i ECIU-së mat vlerën e prodhimit të humbur nga korrjet e parashikuara dhe jo humbjen reale të fitimeve të fermerëve. Rritja e çmimeve mund të kompensojë pjesërisht disa prej tyre, ndërsa të tjerë mund ta kenë shitur prodhimin përmes kontratave paraprake përpara rritjes së çmimeve.

Rritja e parashikimeve për korrjet në Bullgari, Rumani, Itali dhe Finlandë uli humbjen neto të pritshme të prodhimit evropian në rreth 1.79 miliardë euro, megjithëse vlera bruto e prodhimit të humbur vlerësohet midis 2 dhe 2.3 miliardë eurove, në varësi të çmimeve të përdorura në llogaritje.

Këto humbje vijnë në një kohë kur qeveritë e Bashkimit Evropian po negociojnë të ardhmen e Politikës së Përbashkët Bujqësore (CAP).

Sipas Théo Paquet, zyrtar për politikat në European Environmental Bureau, subvencionet duhet të përdoren për të rritur qëndrueshmërinë ndaj ndryshimeve klimatike, por aktualisht “ato vazhdojnë të financojnë praktika të dëmshme që kontribuojnë drejtpërdrejt në këto kriza, duke ushqyer një cikël të kushtueshëm dhe të paqëndrueshëm”./ft


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë