Mjedis

TEC-et lundruese në Vlorë/ Ferruni: Nuk janë të kualifikuar, do të ndotin mjedisin

TEC-et lundruese në Vlorë kanë ngjallur debat mes institucioneve dhe grupeve të interesit.

Në 5 Prill 2022 Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku njoftoi se 2 anije që prodhojnë energji, me kapacitet 114 MW do të instalohen në Triport të Vlorës. Ky TEC, sipas KESH-it, do të djegë naftë të rëndë, 220 kg/MWh dhe sasia e mundshme për gjenerim nga aseti gjenerues termik është rreth 70,000 (shtatëdhjetë mijë) MWh/Muaj. Sipas Ballukut, anijet janë të certifikuara nga Banka Botërore, pra respektojnë kushtet ambientale.

LEXO EDHE:
- Komiteti i Energjisë, Shqipëria eksportoi energji nga reshjet e fillimit të prillit me 157 euro megavati
- Video/ Si funksionojnë anijet e prodhimit të energjisë që do të marrë me qira Shqipëria

Por eksperti i mjedisit Lavdosh Ferruni, nuk mendon njësoj. I pyetur nga Gazetasi.al ai shpjegon se kompania e naftës “Excelerate Energy”, e ka blerë në Bangladesh në prill TEC-in lundrues me kapacitet 110 MW, me çmimin 15 milionë USD.

Sipas Ferrunit, TEC-i lundrues në Bangladesh është prodhuar në vitin 1997 dhe është teknologji shumë e vjetër.

“Për shkak të vjetërsisë do të shkaktojë ndotje. Është njësoj si puna e makinës së vjetër”, i tha Ferruni Gazetasi.al.

Lavdosh Ferruni-Marrë nga interneti-Gazeta "Si"-12.07.2022

Arbër Avrami, administrator i ‘Albgaz’  u shpreh në prill, se anijet do të jenë pa kosto në mjedis dhe të ankoruara në një zonë pa turistë. “Zgjidhja teknike që është menduar; sistemi ftohës që do të duhet që këto anije të punojnë, është një zgjidhje e mirë menduar që të mos kenë efekt as në ujë, as në ajër”, tha Avrami.

Por Ferruni këmbëngul për të kundërtën.

Mbledhja e njoftuar nga organizata mjedisi.al për TEC-et lundruese-Gazeta "Si"-12.07.2022.

Ferruni shpjegon se është njoftuar se kostoja e tij do të jetë 170 eur/MWh, pa llogaritur koston mjedisore. Si rrjedhojë, një super ndotjeje do të krijohet nga djegia e naftës bruto, duke asfiksuar industrinë e turizmit aty.

“Kjo kosto është 5-6 herë më e madhe se kosto e prodhimit të energjisë elektrike nëpërmjet impianteve fotovoltaike”, shton Ferruni.

Për këtë çështje eksperti shpjegon se kanë parashikuar takime në rang ekspertësh në Vlorë për informimin e publikut. Nën nismën “Nuk e jap Vlorën”, eksperti shpjegon se duhet informuar publiku për dëmet e TEC-it lundrues.

“Publiku po vetë mblidhet për t’u sqaruar dhe të kërkojë pezullim të çdo veprimi derisa të zbatohet ligji”, thuhet më tej në postimin e nismës së ndërmarrë nga Ferruni.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë