Treg

Komiteti i Energjisë, Shqipëria eksportoi energji nga reshjet e fillimit të prillit me 157 euro megavati

Drejtori i Korporatës Energjitike Shqiptare, KESH, Ergys Verdho njoftoi se reshjet e 1 dhe 2 prillit mundësuan eksportin e energjisë elektrike në masën e 19.500 megavat energji, nga të cilat 10.200 u shitën dhe pjesa tjetër u këmbye si rezervë energjitike me Kosovën, sipas një marrëveshjeje të nënshkruar me KEK.

Cmimi mesatar i shitjes së energjisë, sipas kreut të KESH, Ergys Verdho ishte 157 euro për megavat.

Në takimin me krerët e autoriteteve përgjegjëse për energjinë në Shqipëri, Verdho tregoi se prurjet në kaskadë arritën në 1050 m3 për sekondë nga këto reshje.

Pjesë e takimit ishte edhe ministrja e Energjitikës, Belinda Balluku e cila tha se shkrirja e borës do të shtojë përsëri prurjet dhe se fatura e energjisë nuk do të rritet as për familjarët as për biznesin e vogël.

Balluku tha gjithashtu se bordi ka vendosur që Fierza të mos prodhojnë energji për momentin, në mënyrë që të mblidhen të gjitha ujërat.

Gjatë takimit, Balluku njoftoi se në triportin e Vlorës janë ankoruar dy anije amerikane me gaz që do të prodhojnë energji.

Anijet janë marrë me qira dhe janë termocentrale lundurese me gaz.

Kreu i Albgaz, Arbër Avrami tregoi se anijet do të prodhojnë 114 megavat/orë për dy vite, aq sa zgjat kontrata.

Kjo energj do të merret nga KESH në periudhë të vështirë energjitike. Prodhimi do të nisë brenda 3 muajve dhe ministrja e quan si hapat e para të termocentralit të Vlorës.

“Është një arritje shumë e madhe pasi do na garantojë gjatë periudhës së verës që të kemi një pavarësi energjitike që do të prodhohet nga ato anije”, tha Balluku.

Balluku njoftoi se mbledhja tjetër do të jetë në muajin maj, ku pritet një tjetër përmirësim i situatës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë