Ngjarje

Të uritur e mes kaosit, çfarë ka mbetur në kampin-burg të Al Holit

AlHolKampiGazetaSi

Deri në momentin kur emisioni investigativ italian “Le Ienne” publikoi historinë e Alvin Berishës, 11-vjeçarit shqiptar të bllokuar në kampin Al Hol të Sirisë, publiku shqiptar pak kishte dëgjuar për këtë kamp, e aq më pak se atje, pasojat e luftës kundër ISIS-it kishin lënë pas dhjetra gra dhe fëmijë shqiptarë të izoluar në një burg natyror.

Në vjeshtë të 2019 flitej për rreth 110 gra dhe fëmijë të luftëtarëve shqiptarë që i ishin bashkuar ISIS-it që në vitet e para të themelimit të tij, madje disa edhe protagonistë në front dhe në rrjetet sociale, si rasti i Lavdrim Muhaxherit, që besohet se njihej nga bashkëluftëtarët e tij edhe si “Al Albani”.

Historia e Alvinit dhe thirrja e të atit të tij, Afrimit drejtuar shtetit shqiptar për ndihmë që ta nxirrte nga ferri i Al Holit “zbuloi” se fatin e tij e kishin edhe dhjetra fëmijë të tjerë shqiptarë, që kishin mbetur të bllokuar në kampin-burg të ngritur nga kurdët për të strehuar gratë dhe fëmijët e penduar të luftëtarëve të “Kalifatit”.

Në janar të 2019, Organizata e Kombeve të Bashkuara deklaronte se në këtë kamp strehoheshin rreth 70 mijë banorë nga të paktën 50 vende të ndryshme të botës, mes të cilave edhe Shqipëria. Mbi 80 për qind e tyre ishin gra dhe fëmijë, që jetonin në kushte të vështira higjieno-sanitare dhe me mungesa të theksuara ushqimore.

Nga vëzhgimet në terren të atyre pak gazetarëve që kanë arritur të sigurojnë një biletë për të hyrë në këtë kamp dhe nga raportet e organizatave humanitare, Al Hol përshkruhej i ndarë në disa sektore. Pjesa më e madhe e banorëve të tij strehoheshin në sektorin e grave dhe fëmijëve, pastaj ishin edhe sektorët e fëmijëve jetimë dhe në fund edhe sektori i luftëtarëve të ISIS-it të zënë rob nga kurdët dhe “Forcat Siriane të Mbrojtjes”, grupi rebel që lufton kundër Bashar al-Assad dhe i mbështetur deri vonë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Kriza humanitare dhe higjieno-sanitare është panorama e përgjithshme në këtë kamp, por më e vështirë situata paraqitet në sektorin e të burgosurve, ku raportime të njëpasnjëshme flasin për mungesë ushqimi për ditë me radhë dhe tortura e keqtrajtim të të burgosurve. Në janar të këtij viti, Bedri Elezi, Drejtor i Institutit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Kosovë deklaronte se një luftëtar shqiptar kishte gjetur vdekjen nga uria në një nga burgjet e ngritura nga kurdët.

Nga janari 2018, deri në qershor të 2019-ës, OKB vlerësoi se rreth 300 fëmijë nën 5 vjeç kanë gjetur vdekjen si pasojë e kequshqyerjes. Përveç kësaj, në raportet e OKB-së citohet edhe dhuna e vazhdueshme, përdhunimet dhe “vrasjet” misterioze të grave brenda kampit, ku në një pjesë të mirë të rasteve dyshohet se ato janë vepër e rojeve kurde.

Kampi është ndërtuar në periferi të qytetit me të njëjtin emër veri-lindje të Sirisë dhe pranë kufirit me Irakun. Al Holit i ka mbetur emri kamp, por në të vërtetë që prej shpërbërjes së ISIS-it ai është një prej burgjeve më të mëdha të ngritura në fushë të hapur për të mbajtur nën kontroll ekstremistët. Kampi u ngrit si një oaz shpëtimi e shprese për të strehuar të gjitha gratë dhe fëmijët të penduara nga bashkimi me ISIS-in.

Edhe sot ka ende këtë funksion, duke strehuar kryesisht gratë dhe fëmijët e atyre që kanë humbur jetën, apo janë zhdukur në luftën disavjeçare në Siri. Por, jo të gjithë brenda kampit janë të penduar. Shumë gra vazhdojnë t’i qëndrojnë besnike rregullave të rrepta të Kalifatit, madje edhe duke ngritur në mënyrë vullnetare një polici që kontrollon kodin e veshjes dhe sjelljes për gratë e tjera. Nëse ky kod shkelet, ndëshkimet shkojnë nga goditja me kamxhik, deri tek gjymtimet. Ndëshkimet më të ashpra janë parashikuar për gratë që bisedojnë me personelin e sigurisë, apo me gazetarët.

Kampi ruhet vazhdimisht nga luftëtarë të armatosur sirianë, kurdë dhe irakianë të “Syrian Defence Forces”, grupim i mbështetur nga SHBA kundër regjimit të Bashar al-Assad. Por, me tërheqjen e SHBA nga zona, shumë prej luftëtarëve aktualisht funksionojnë dhe operojnë si të pavarur, pa një komandë qendrore. Ata nuk lejojnë asnjë që të largohet, apo që t’i afrohet perimetrit të kampit pa lejen e tyre.

Të vetmit që mund t’i afrohen, apo të hyjnë brenda kampit janë punonjës të organizatave humanitare, që shpërndajnë ushqime dhe ilaçe dhe me raste edhe gazetarë të mediave të ndryshme. Më 11 tetor të 2019-ës, dy ditë para se Turqia të niste ofensivën ushtarake kundër kurdëve në Siri, kampi u përfshi nga trazirat, revolta dhe përpjekjet për t’u arratisur. Situata u bë aq kaotike, sa për zyrtarët vendorë sirianë, konsiderohet si kërcënim për sigurinë për shkak të sulmeve të shpeshta të dhunshme të grave që strehohen aty.

Raportimet nga brenda kampit kanë zbuluar se shumë prej grave të mbajtura aty si të burgosura, mbeten ende besnike të ISIS-it.

Gazetarja e Zërit të Amerikës, Heather Murdock ishte e para që vizitoi kampin Al-Hol në ditët pas nisjes së ofensivës turke vjeshtën e 2019-ës. Kjo ishte hera e tretë që Murdock ja dilte mbanë të hynte në këtë kamp brenda 10 muajve të fundit. Në artikullin e publikuar më 17 tetor tek Zëri i Amerikës (versioni ndërkombëtar) flet për kaos total.

“Zyrtarët thonë se që prej nisjes së ofensivës turke ka shtim alarmant të pasigurisë. Ka patur arratisje, kërcënime, sulme dhe thirrje të vazhdueshme në ditët e fundit për revoltë, pasi shumë prej trupave të që siguronin perimetrin dhe rendin brenda kampit janë zhvendosur në frontin e luftimeve”, rrëfente Murdock.

Layla Rezgar, koordinatore në seksionin e të huajve në kampin Al-Hol rrëfente se lajmi i nisjes së ofensivës turke u prit me protesta dhe thirrje “Rroftë ISIS” dhe “Do t’ua presim kokën!” drejtuar Turqisë dhe turqëve. Që prej asaj periudhe, për autoritetet siriane dhe irakiane, por edhe për vetë Organizatën e Kombeve të Bashkuara tani nuk bëhet fjalë vetëm për një krizë humanitare, por një krizë sigurie për shkak të elementëve ekstremistë.

Lajme të lidhura


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë