Ngjarje

“Operacioni kompleks”, Rama: Si i nxorëm fëmijët nga kampi i ferrit, do sjellim të tjerë

I sapo kthyer, nga Rinasi, Kryeministri Edi Rama tha shkurtimisht në një dalje të posaçme për mediat etapat si i kanë riatdhesuar fëmijët shqiptarë nga kampi Al Hol në Siri.  Rama nuk e fshehu faktin se procesi ishte kompleks dhe se nxjerrja e fëmijëve prej aty (katër) nuk ishte e lehtë. Kryeministri siguroi gjithashtu se operacioni vazhdon.   

“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, por të suksesshëm. Tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve. Besoj që herët ose vonë do sjellim pjesën tjetër këtu në Shqipëri.  Ka një vit që ne punojmë ngushtësisht me strukturat në atë zonë. Nuk kemi pasur problem me gjetjen e lokacioneve. Ka të bëjë me operacione komplekse. Duhen marrë parasysh të gjitha kushtet. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti në moment për njerëzit ndaj duhet një punë shumë e detajuar dhe përgatitje.

Drejtori i anti-terrorit ishte për 4 javë në atë vend. Nuk ka dyshim që nxjerrja e fëmijëve nga një ferr, nuk është njësoj si nxjerrja e tyre nga kopshti. Janë në mes forca të ndryshme, forcat në kamp apo dhe prindërve të tyre të radikalizuar.

E gjitha është komplekse, por puna e bërë në kamp ka qenë intensive me prezencën e drejtorit të anti-terrorit. Siç e kam thënë dhe sot, e gjithë kjo është mundësuar nga struktura në Liban të cilët më kanë informuar. Nuk dua të jap detaje pasi mund të kompromentojmë marrëdhëniet e ngritura me këto faktorë", tha Rama

Kryeministri nuk dha një numër të saktë se sa shqiptarë janë ende në kamp.

"Veprimtaria e antiterrorit është një veprimtari larg syve të publikut dhe medias. Nuk mund të jap asgjë ekzakte pasi të gjitha identifikimet janë në përpunim nga strukturat e posaçme. Është një kategori shumë delikate dhe ne nuk mund të japim asnjë numër fiks. Shumë prej tyre janë me prindër të gatshëm dhe ata që nuk janë të gatshëm",  tha Rama.

Por si do të rehabilitohen të kthyerit prej andej?

“Ne kemi përgatitur strukturën e posaçme prej disa javësh për të rehabilituar këta fëmijë se vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur,  struktura është gati jo vetëm për këta katër fëmijë por edhe për ata që do të vijnë më pas dhe sigurisht që do të bashkëpunohet dhe me të afërmit për tu integruar më pas”, tha Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë