Ngjarje

Baki Goxhaj mbërrin në atdhe: Autoritetet izraelite na morën peng dhe na trajtuan si bagëti!

Nga Gazeta ‘Si’- Aktivisti shqiptar Baki Goxhaj, i cili u ndalua nga Izraeli ndërsa shkonte në Gaza, ka mbërritur në Shqipëri.

Prej 2 orësh ai qëndroi në komisariatin e Rinasit, ku është marrë në pyetje.

Goxhaj rrëfeu momentin e ndalimit nga autoritetet izraelite dhe trajtimin çnjerëzor që i janë bërë atij dhe aktivistëve të tjerë.

Ai tha se janë tërhequr zvarrë nga anijet e tyre dhe janë hipur në një tjetër ku janë mbajtur të mbyllur për 2 ditë e 2 netë, ndërsa u është dhënë vetëm ujë dhe bukë thatë për të konsumuar.

“Ne ishim në ujëra ndërkombëtare kur pamë disa anije të mëdha dhe dy skafe të fuqishëm që po afroheshin. Pavarësisht përpjekjeve për t’u larguar, nuk ishte e mundur. Duke u afruar, na kërcënuan dhe qëlluan me armë; nuk e di nëse ishin plumba të vërtetë.

Hipën në anije, na lidhën duart të gjithëve; mua më lidhën edhe sytë, sepse isha pak i zëshëm duke kërkuar të na lironin. Na morën zvarrë dhe na çuan në një anije të madhe të sajuar me kontejnerë, ku kemi qëndruar 2 ditë e 2 net si bagëti. Në anije kishim vetëm ujë për të pirë dhe bukë të thatë”, tha Goxhaj.

Sipas tij në raste rezistence, ushtarët izraelitë ushtronin dhunë, bëheshin grup dhe i rrihnin aktivistët.

“Dhuna dhe poshtërimi ishte kryefjala e kësaj marrje peng. Në çdo përballje me ushtarët, qëlloheshim poshtëroheshim, kemi qenë gjithë kohën me kokën poshtë, nëse ti bëjë pak rezistencë, koka përfundonte në tokë. Siç mua më ndodhi një rast. Në momentin që nuk kishte sy të tjerë njerëzish, ushtarët bëheshin në grup dhe rrihnin aktivistët.

Tre ushtarë duke dalë nga anija, më mbajtën në fund dhe më dhunuan në grup.  Në Turqi u nisëm dje nga dreka dhe pjesë tjetër të kohës kemi qenë në aeroportin e Turqisë, ku më priti konsulli shqiptar në Stamboll, bashkë me stafin e vet”, tha Goxhaj.

Ai tha se nuk dëshiron që fëmijët e tij t’i rrisë në një botë ku gjenocidi ndaj fëmijëve të tjerë është normal dhe se ndihet krenar që ishte në këtë mision, ndonëse synimi për hapjen e një korridori dështoi.

“Ndihem krenar që isha pjesë që provova një pjesëz, të dhunës që palestinezët provojnë çdo ditë. Nuk dua të rris fëmijët e mi e në një botë ku gjenocidi ndaj fëmijëve të tjerë është normal. Jam krenar që isha në këtë mision edhe pse synimi parësor i misionit dështoi, hapja e një korridori humanitar. Synimi dytësor, rritja e solidaritet me popullin Gazës dhe rritja e vetëdijes për këtë plagë të hapur në botën tonë, ishte i suksesshëm. Ky mund ia vlejti”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë