Mendim

Të kandidosh për President nga qelia e një burgu në Turqi

Letër nga Selahattin Demirtas

Turqit do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare më 24 qershor. Unë jam një nga gjashtë kandidatët që konkurrojnë për president, por ndryshe nga kundërshtarët e mi, po e drejtoj fushatën presidenciale nga qelia e burgut. Po shkruaj nga një burg i sigurisë maksimale në Edirne, një qytet në Turqinë veriperëndimore, pranë kufirit me Bullgarinë. U arrestova një vit e tetë muaj më parë, ndërkohë që isha anëtar i parlamentit turk dhe bashkë-kryetar i Partisë Popullore Demokratike, e njohur si HDP dhe e votuar nga gjashtë milionë njerëz në zgjedhjet e fundit. Ata zgjodhën të më burgosin këtu, sepse Edirne është larg shtëpisë, familjes dhe miqve të mi në rajonin jugor të kurdëve. Gjatë muajve të fundit, kemi dëgjuar zhurma të pandërprera, pasi një burg i ri po ndërtohet në qytetin fqinj. Gjendja e jashtëzakonshme që u imponua në Turqi pas përpjekjes së dështuar të grushtit të shtetit në vitin 2016 ka tejmbushur burgjet ekzistuese. E drejta e lirisë së shprehjes dhe protestave është shkelur me këmbë dhe numri i njerëzve të zakonshëm që janë burgosur po rritet dita-ditës

Qeveria turke e udhëhequr nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim, e Presidentit Rexhep Tajip Erdogan (e njohur si AKP-ja), u ka kthyer shpinën vlerave universale demokratike dhe e ka shtyrë vendin në prag të një krize politike dhe ekonomike. Me përjashtim të Presidentit Erdogan, të gjithë kandidatët e tjerë presidencialën kanë kërkuar që unë të lihem i lirë. Ata hodhën poshtë dallimet ideologjike dhe më dolën në mbrojtje, sepse e dinë se qeveria më ka burgosur për qëllime politik.

Ata e kuptojnë se nëse do të isha i lirë, shanset e zotit Erdogan për të fituar zgjedhjet do të ishin shumë më të zbehta. Ata e pranojnë se pa marrë parasysh se kush fiton, burgosja e një kandidati presidencial është një akt i rëndë. Qeveria deri më tani ka filluar 102 hetime dhe ka ngritur 34 raste gjyqësore kundër meje. Nëse akush nuk do i ndal, unë do të dënohem me 183 vjet burg.

Akuzat kundër meje bazohen tërësisht në fjalimet dhe deklaratat e mia politike. Nëse gjyqësori turk nuk do të ishte nën presion qeveritar, unë do të isha duke mbajtur tubime presidenciale në çdo qytet turk. Pas arrestimit tim nuk mbajt asnjë seancë gjyqësore për më shumë se një vit. Prokuroria është treguar e padrejtë. Arrestimi im ishte një vendim politik dhe unë vazhdoj të mbetem një peng politik. Vetëm lufta e qytetarëve do ta çlirojë Turqinë nga autoritarizmi dhe frika dhe institucionet e saj, gjyqësorin dhe shtypin, nga kontrolli i qeverisë.

Unë jam i privuar nga e drejta për të mbajtur tubime ose për të komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit, por anëtarët e tjerë të HDP-së po angazhohen me vendosmëri të madhe në fushatë. Unë kam arritur të komunikoj me njerëzit pavarësiht mureve të burgut. Po mundohem t’i gjendem pranë qyetarëve nëpërmjet avokatëve të mi dhe po i drejtoj përmes rrjeteve sociale. Llogaria ime e Tuiterit u bllokua për një kohë të gjatë pas arrestimit tim. Por kur një sërë postimesh filluan të shfaqeshin sërish nga llogaria ime në shtator të vitit 2017, rojet e burgut hynë për të inspektuar qelinë time.

Selahattin Demirtas

Kërkimi ishte goxha invaziv. Kur i pyeta se çfarë po kërkonin, ata u përgjigjën se po kërkonin burimin e postimeve të mia. E vetmja pajisje e sofistikuar që gjetën në qelinë time ishte ibrik elektrik që përdor për të vluar ujin. Pas konstatimit se unë nuk mund të kisha përdorur ibrikun për të postuar në Tuiter, rojet u larguan. Pavarësisht absurditetit, incidenti është një tregues i madh i frikës së papërshkrueshme që gllabëron udhëheqësit autoritarë kur ballafaqohen me kundërshtarët që luftojnë pavarësisht persekutimit. Në tre vitet e fundit, AKP-ja ka kryer një fushatë të pandërprerë propaganduese, me “bekimin” e mediave turke, për të portretizuar anëtarët e partisë time si "bashkëpunëtorë të terroristëve". Megjithatë, votuesit dhe na kanë mbeshtetur dhe vazhdojnë të na mbështetin në mënyrë të palëkundur.

Në verën e vitit 2015, pas ndërprerjes së procesit të paqes dhe konfliktit të armatosur në zonat kurde të Turqisë, partia ime ka bërë çmos për të parandaluar konfliktet përmes dialogut. Por gjithçka ndryshoi pas zgjedhjeve të asaj vere, ku partia e zotit Erdogan humbi shumicën parlamentare. Qeveria e tij këmbënguli për ndërhyrjen ushtarake dhe ushtria turke luftoi kundër të rinjve kurdë të cilët kishin ngritur barrikada në qytete të ndryshme. Erdogan u përpoq të ndëshkonte kurdët, të cilët i dhanë fund “mbretërimit” të tij parlamentar.

Por zgjedhjet e ardhshme do të formësojnë të ardhmen e Turqisë. Është e pamundur që presidenti të injorojë popullsinë kurde, e cila përbën një e pestën e 81 milionë banorëve të Turqisë. Një rregull antidemokratik në Turqi ndalon çdo parti politike që nuk fiton 10 përqind të votave kombëtare, të ulet në parliament, duke i kaluar vendet e fituara një partie që ka kaluar pragun dhe ka numrin e dytë më të lartë të votave në ato vende.

Ne jemi të sigurtë se nëse nuk arrijmë të marrim 10 përqind të votave, 80 vendet tona parlamentare do t’i kalonin partisë së Erdoganit. Ai dhe partia e tij po përdorin gjendjen e jashtëzakonshme për t’u siguruar se HDP-ja nuk do t’i marrë 10 përqind të votave. Turqia e ka kuptuar tanimë se dënimi kolektiv i kurdëve në periferinë juglindore të vendit, ndikon edhe në liritë dhe kulturën demokratike të të gjithë vendit. Mënyra se si u trajtuan kurdët, është bërë tanimë normë për të gjithë kundërshtarët e zotit Erdogan. Shpresa e vetme për një të ardhme liberale dhe demokratike qëndron në bashkimin tonë për të mposhtur njëherë e mirë këtë regjim autoritar.

Selahattin Demirtas është kandidati presidencial i Partisë Popullore Demokratike në Turqi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë