Ngjarje

Të jesh Xhisiela! Artistë e aktivistë kundër heshtjes dhe dhunës

Suadela Balliu -  “Kam dëgjuar dhe vazhdoj të dëgjoj histori të trishta dhe në disa raste puna për të bërë më të mirën ka qenë shumë e vështirë.”,  shprehej Elona  Gjebrea një vit më parë nga zyra e saj si zëvendësministre e Brendshme, ndërsa fliste rreth punës në krye të Zyrës  së  Koordinimit Kombëtar në luftën kundër trafikimit të personave.

“Më vjen keq që në 2017 –ën kemi ende raste të dhunimit, të trafikimit. Kjo na ndesh me sfida për të bërë të mundur që gruaja të jetë më e përfaqësuar dhe për të ndalur dhe parandaluar abuzimin e saj. Kështu që zëri im do të jetë zëri që do të përfaqësojë gratë e pamundura, gratë që kërkojnë një jetë të mirë, që janë gra dhe duhet të përfaqësojnë anën më të bukur të shoqërisë, që jo gjithmonë është kështu”, përgjigjej e vendosur, ndërsa kishte nisur fushatën si kandidate për deputete të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 2017-ës.

Ende e përkushtuar ndaj këtyre çështjeve, ku vetëm tri ditë të shkuara, më 26 shtator ishte pjesë e Konferencës së Parë Ndërkombëtare të Trafikimit të personave, organizuar nga Parlamenti Shqiptar në  bashkëpunim me Fondacionin Britanik kundër trafikimit të personave, i shkruaj (siç edhe disa personazhe të tjerë nga fusha të ndryshme të shoqërisë) për një koment  rreth çështjes së Xhisiela Malokut, vajzës nga Nikla e Fushë Krujës, e cila ka deklaruar, duke dëshmuar në tre komisariate të ndryshëm policie se është përdhunuar nga shtetasi Rexhep Rraja, që rezulton të jetë i biri i deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja.

Xhisiela Maloku

Edhe pse kjo ngjarje nuk është një ngjarje e lidhur me trafikimin njerëzor, por gjithsesi një rast dhunimi i një gruaje të re “pa zë” , për të cilat Gjebrea, një “outsider” me politikën dhe me një karrierë të gjatë në fushën e Biologjisë, kishte premtuar se do të bëhej zë, ajo nuk heshti (siç mund të paragjykohej një deputet i maxhorancës në këtë rast, ku për ditë me radhë zgjodhën të mos flasin), por tha se ditën e enjte, në seancën plenare të Kuvendit, gratë deputete të Partisë Socialiste do të përgjigjen mbi çështjen.

Por nuk u prit e enjtja, kur mesditën e së shtunës së 29 shtatorit, dërgon një mesazh të gjatë në Facebook, një deklaratë e  grupit të  grave deputete të PS-së, të cilat dënonin dhunën dhe inkurajonin institucionet përkatëse për ndëshkimin ligjor të përgjegjësit,  që ka ushtruar dhunë mbi shtetasen Xhisiela Maloku.

Foto të postuara në rrjetet sociale në mbështetje të Xhisielës

 “Ne kemi një qëndrim të palëkundur kundër çdo rasti dhe forme të dhunës ndaj grave dhe vajzave, përfshirë edhe abuzimin për qëllime politike me viktimat e dhunës.”,  thuhej në njoftimin që erdhi fill pasi grupi i grave deputete të Opozitës kishte dalë në protestë përpara godinës së kryeministrisë. Por deri në atëkohë edhe vetë kryeministri Edi Rama, kishte reaguar me anë të një postimi në rrjetin social, Twitter, ku e cilësonte dhunën ndaj vajzës, të pafalshme.

Në vizionin e saj, Elona Gjebrea kishte forcimin e pozitës së gruas, veçanërisht të grave që vijnë nga zonat rurale e nuk kanë shkollim të mjaftueshëm, thoshte ajo një vit më parë, nisur edhe nga përvoja me vajzat dhe gratë e trafikuara dhe të dhunuara që kishte hasur në punën e saj, duke shpresuar se  përmes fushatave, shkollave verore për ndërgjegjësim, madje edhe  aplikacioneve që mund të shkarkohen lehtë në celularë për të raportuar rastet e dhunës apo të trafikimit, siç është “Raporto- shpëto” në Google Play  apo linja e dedikuar kundër trafikimit “116-006”...

Përtej luftës politike, siç kanë theksuar në deklaratën e tyre të përbashkët gratë deputete të Partisë Socialiste, të cilat i kanë cilësuar gënjeshtrat dhe shpifjet që po bëhen nga pala tjetër politike si dhunë publike ndaj vajzës – historia e së cilës tashmë është kthyer në një serial triller me shenja dhune, djegieje me cigare, grushte fytyrës e trupit jo vetëm të denoncuara prej saj, por edhe të verifikuara  nga ekspertë të  Mjekësisë Ligjore, plotësuar me hollësi nga komisari i policisë avokati apo edhe psikologia.

Një tjetër protestë është menduar të hënën e 1 tetorit, sërish përpara godinës së kryeministrisë, por civile, prej qytetarësh që ndiejnë se “krimi që nuk dënohet, rikthehet”. Kauzës, që sapo nis të përcillet online, i bashkohen një grusht njerëzish, nga qytetarë të thjeshtë, aktivistë dhe njerëz të artit.

“Kam qenë dhe jam kundër këtyre fenomeneve”- përgjigjet aktorja dhe  regjisorja Ema Andrea, e cila i është bashkuar kauzës në facebook “Lironi Xhisielën”.

Regjisorja Suela Bako

“Mendoj se e meritojmë kaq pak; të drejtën për të protestuar”, përgjigjet regjisorja Suela Bako, pasi edhe ajo i është bashkuar kauzës për protestë, si edhe ai komunitet i  artistëve që ka protestuar për muaj kundër  shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar. Bako mendon se Xhisiela është dhunuar së  dyti dhe fatalisht, kur e kanë detyruar të tërheqë deponimin e saj.

“Protestat duhet të  nisin për të mos ndalur kurrë në këtë vend, për çdo padrejtësi, që nga më  banalja;  tek çmimi  i bukës a biletës që ngrihet duke cenuar mirëqenien e secilit qytetar, deri tek shenja e bulizmit në shkollë, familje e shoqëri apo akoma më tej për padrejtësi të mëdha sociale  e politike, duke përfunduar me ngjarjet e dhunshme, ushtrimin e dhunës si cenim i rëndë i të drejtave bazë të njeriut. Më ka qëlluar  të jem jashtë e të protestoj gati për çdo gjë, në një formë a në një tjetër, me dy njerëz a me dyqind ”, përfundon regjisorja Bako.

Andrea dhe Bako, së bashku me disa artiste të tjera si Sabina Kodra, Mira Tuci, Rafaela Rica Ela  Cenomeri  dhe Eliora Fiore kanë dalë me një qëndrim të përbashkët, duke dënuar dhunën kundër Xhisielës.“Gratë e dhunuara, të poshtëruarat, të ndrydhurat a të nënshtruarat nuk janë thjesht një numër. Çdonjëra prej nesh duhet të dalë nga anonimati i statistikës. Dhuna ka emra, dhuna duhet të marrë fytyrë, qoftë edhe fytyrën e përçudnuar nga babëzia dhe arroganca siç është portreti i butë dhe i bukur i Xhisielës.”, shkruhet në këtë deklaratë të përbashkët ku artistet mendojnë  se ajo dhe qindra vajza të tjera në situatën e saj nuk duhen lënë vetëm. “Askush nuk mund të kryejë krime ndaj gruas, ta dhunojë e ta poshtërojë e të dalë i pandëshkuar. Nuk ka amnisti dhe mbrojtje ndaj atyre që dhunojnë jetën dhe burimin e saj. Dhuna e të gjitha formave aq më tepër ajo e mveshur me pushtet duhet të ndëshkohet ndryshe na pret një e ardhme që do diktohet nga fenomeni i feminicida (vrasjes së grave).”Ato që nuk duhet të heshtin përpara ngjarjeve të tilla, mendojnë ato janë pikërisht gratë profesioniste, të cilat ia kanë dalë me shumë mundim në jetë.

Aktorja Ema Andrea

“Ato janë dhe duhet të jenë zëri më i kthjellët i shoqërisë, zëri në mbrojtje të Xhisielave të shumta shqiptare që pushteti dhe dhuna ua ka mbyllur gojën.  Jemi ne ato që diktojmë rregullat e respektit dhe t’i themi jo përdorimit sipas interesave maskiliste e aq më pak partiake.”Shoqata e grave artiste, njohur si AWA, e përfundon deklaratën e saj duke thënë se në raste të tilla “Për Xhisielën, e për secilën prej nesh AWA do të jetë në vijën e parë jo vetëm të protestës, por të advokimit të të drejtave për t’u ndjerë grua, për lirinë e të qenit njeri.”

Regjisori Kastriot Çipi

Regjisori Kastriot Çipi, një nga figurat e protestës kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar ka reaguar kundër dhunës së ushtruar ndaj Xhisiela Malokut, ndërsa heq një paralele mes një filmi italian të viteve ’70, “Gruaja më e  bukur”. Filmi rrëfen historinë e vërtetë të një vajze fshatare, Franca Viola, e cila u bë gruaja e parë në Itali që refuzoi martesën si zyrtarizim pajtimi me përdhunuesin e saj. Pasi  kishte qenë e fejuar me përdhunuesin e saj, pinjoll i një familjeje mafioze, ky i fundit e rrëmbeu nga shtëpia, në sy të së ëmës dhe vëllait 8-vjeçar dhe e mbajti peng për tetë ditë. I dogji vreshtat dhe depon e drithit familjes së saj. Madje i kërcënoi me revole pas kokës edhe të atin . “E megjithatë, Franca Viola, adoleshentja buzëqumësht, nuk pranoi martesën që donte t’i impononte familja mafioze e përdhunuesit të saj, për ta mbyllur çështjen dhe për të “rifituar nderin e humbur”. Ajo e denoncoi me kurajë  ish-të fejuarin kriminel dhe e çoi prapa hekurave. Rasti i saj frymëzoi edhe të tjera dhe në vitin 1981, martesa “riparuese” u abrogua në Kodin Penal Italian.”, shkruan Çipi.

“Ndërsa Franca-t tona shkojnë në polici dhe policët nuk i pranojnë dëshminë. Nëse ato ngulin këmbë dhe provojnë të denoncojnë në një rajon tjetër, policët njoftojnë të akuzuarin dhe ai vjen dhe e merr denoncuesen duke e tërhequr nga flokët. Nëse një polic i tretë e regjistron denoncimin, denoncuesja nuk merret në mbrojtje dhe dhunuesi i saj mund ta rrëmbejë, ta mbajë peng, ta përdhunojë, ta kërcënojë, t’ia djegë mishin me cigare, derisa ajo të depozitojë një dëshmi të rreme, kundër vetes. Nëse një polic i katërt merr kurajën të arrestojë kriminelin, ai sulmohet nga të katër anët, nga deputetë, eprorë, kriminelë të kërkuar, që hyjnë si në shtëpinë e tyre në rajonet e policisë, me revole në brez, që lëvizin me makinën e Ministrit të Brendshëm, që darkojnë në restorantet më luksoze me analistë e gazetarë VIP, kryetarë bashkish, prokurorë e gjykatës.”, shkruan Çipi, ndërsa shton se shoqëria nuk duhet të heshtë ndaj së keqes.

Aktivistja Rezearta Çaushaj

Për aktivisten  Rezearta Çaushaj, ky rast dhe të gjithë rastet e ngjashëm të dhunës ndaj grave dhe vajzave vjen prej mentalitetit maskilist, mbizotërues në shoqërinë shqiptare, “ku, nësekjo dhunë ushtrohet nga burri, partneri apo ish partneri, është një çështje private mes dy personave, jo një krim. Nëse gruaja apo vajza tentojnë të denoncojnë, automatikisht ato shndërrohen në persona të pamoralshëm, që e kanë merituar dhunën pikërisht për mungesën e perceptuar të këtij morali.” Kjo qasje, sipas aktivistes, zgjatet deri te policia.

“Sigurisht, rasti i Xhisielës reflekton këtë mendësi dhe elemente të abuzimit me pushtetin nga e gjithë hierarkia shtetërore: policia që ia ka dorëzuar atë dhunuesit dhe familjes së tij në çdo rast, mohimi i drejtësisë duke kanosur nënkomisarin që ka dashur ta ndjekë çështjen, dështimi ihierarkisë shtetërore për ankimimin në rrugë institucionale të shkeljeve të këtij rasti dhe mungesën e hetimit nga Prokuroria të paktën për dhunën dhe torturën e ushtruar ndaj vajzës; fikja e cigares në trup klasifikohet si torturë, deri në këto momente.’, përfundon ajo.

Emanuela Pepkola Zaimi, Ceo e Down Syndrome Albania

Një tjetër aktiviste e shoqërisë civile, themeluese e Fondacionit “Down Syndrome Albania”, Emanuela Pepkola Zaimi, thotë se histori të tilla e çojnë shoqërinë në depresion social.

“Frika për jetën dhe humbja e shpresës për drejtësi të garantuar në këtë vend, shtuar faktorin social – paragjykimin ndaj gruas dhe vajzës në Shqipëri, deri në pikën sa të mos pretendosh se je përdhunuar, kur je e dashura apo gruaja e dikujt –mund  të të detyrojnë të heshtësh apo të tërhiqesh nga një denoncim.”Sipas Zaimit, vajza ka nevojë urgjente të mbështetet përmes shërbimit të psikologut dhe punonjësve socialë.

“Është e patolerueshme që  deri më tani, djali nuk është ndaluar dhe vajza të mos ketë marrë urdhër mbrojtjeje –e  gjithë familja e saj në fakt –pavarësisht  deklarimeve të saj konfuze. Paçka se Xhisiela po hesht, ne nuk duhet të heshtim as për të e as për fenomenin”, shton Zaimi, ndërsa thotë “ Fotot që kemi parë të këtij djali në media këto ditë janë mjaftueshëm për të kuptuar nivelin e tij dhe të familjes. Vetëm kaq duhet të mjaftonte që ky deputet të jepte dorëheqjen”.Zaimi uron që bashkimi i zërit qytetar do u japë forcë dhe mbrojtje vajzave si Xhisiela.“Histori të tilla po na çojnë në  depresion social, mos zbardhja e tyre po na bën të humbim shpresën e fundit që na ka mbetur për të rritur fëmijë në këtë vend.”,  përfundon Zaimi.

Graffiti në muret e kryeqytetit nga një grup joformal feminist.

Xheni Karaj, kryetare e  Aleancë  LGBT, e sheh heshtjen të barasvlershme me përdhunimin. “Mbrëmë kam qenë rrugëve të Tiranës dhe kam realizuar disa grafiti”, thotë Karaj, ndërsa tregon fotografitë ku shkruhet “Heshtje = Përdhunim” . Janë  një grup vajzash, të cilat identifikohen si grupi joformal feminist. “Për aq kohë sa do ketë seksizëm dhe patriarkalizëm gratë do të  vazhdojnë të shtypen dhe shfrytëzohen”, vijon Karaj, ndërsa shton se duhet luftuar fort ndaj këtij fenomeni. “Teksa raportohet një përdhunim, shoqëria hesht. Në vend që të flitet për përdhunimin si një nga aktet më të urryera kriminale, vëmendja zhvendoset gjetkë. Patriarkalizmi i rrënjosur thellë në psiken e secilit prej nesh, e konsideron ende krimin ndaj gruas si diçka krejt normale, e kur flitet për përdhunim jo rrallëherë dëgjojmë të thuhet se faji ka qenë i vetë gruas e cila e ka provokuar aktin të ndodhë”, thuhet në deklaratën e këtij grupimi feminist. “Ne duhet të kërkojmë që rasti i Xhisielës të mos shuhet pa u vërtetuar nëse vërtetë dikush ka bërë presion që ajo të tërheqë dëshminë e saj; gazetaria investigative, organizatat jo qeveritare,qytetarët e thjeshtë, intelektualët e mbetur të këtij vendi, gratë, burrat, të gjithë kanë përgjegjësinë të mos marrin pjesë në krijimin e një gjendje frike kolektive sa herë që flitet përpërdhunim, e sidomos kur të akuzuarit janë të veshur me pushtet, cilido qoftë ai.”

Karaj, si pjesë e këtij grupi, e sheh heshtjen e shoqërisë, si bashkëfajtorë e cila përdhunon  në vazhdimësi. Ndërkohë shoqatat e grave, kryesisht ato që kanë në fokus mbrojtjen e grave të dhunuara apo luftën ndaj dhunës, ku numërohen të jenë rreth dyzet të tilla, ende nuk janë shprehur publikisht për rastin e Xhisielës.

Të hënën e 1 tetorit, një grup qytetarësh – të cilët ende presin që më shumë se një grusht njerëzish t’u bashkohen – do të protestojnë përpara kryeministrisë, për të kundërshtuar heshtjen, atë heshtje që në kohëzgjatjen e mbretërimit të saj dhunon një vajzë, vret një grua, kërcënon një njeri që përpiqet të kryejë me ndershmëri detyrën...

Në thirrjen “Lironi Xhisielën” organizatorët e kësaj proteste kërkojnë lirimin e një vajzë të dhunuar që mbahet peng nga mediat që kur i shtojnë  hollësinë “kanë qenë të dashur”, duket sikur i gjejnë kësisoj justifikimin aktit, mbahet peng nga prokuroria, që vijojnë të heshtë e po ashtu ministri i Brendshëm e deri te kryeministri, sepse krimi që nuk dënohet, rikthehet dhe radhën mund ta ketë...secili prej nesh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë