Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka lëshuar një urdhër për rrethimin e sallës së seancave plenare nga forcat speciale të Gardës ditën e hënë kur do të votohet në parim për projektbuxhetiun 2024. Urdhri është bërë publik nga kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, duke përcjellë edhe një foto ku Garda bën prova se si do të rreshtohen ditën që do të votohet për buxhetin.
“Sot jemi njohur me urdhrin e paligjshëm të Lindita Nikollës për të rrethuar të hënën sallën e seancave plenare me forcat speciale të Gardës së Republikës, duke shpallur kështu zyrtarisht shtetin personal autokrat të Edi Ramës.
Siç shihet edhe në foton bashkëlidhur Garda e Republikës është urdhëruar të bëjë ‘provat’ gjatë ditës së sotme sesi do të rrethojnë deputetët e opozitës gjatë seancës plenare të së hënës!
Duke dënuar me forcë këtë degradim të regjimit të Edi Ramës, duam të sigurojmë se nuk ka gardist e polic që mund të pengojë dhe intimidojë opozitën në misionin për të kthyer parlamentarizmin dhe për të mbrojtur të drejtat kushtetutese të opozitës”, shkruan Bardhi në Facebook.
Sipas tij, një Parlament, ku deputetët rrethohen nga forcat e sigurisë gjatë vendimmarrjes së tyre, nuk mund të jetë Parlamenti i një vendi demokratik, anëtar i NATO-s dhe vend kandidat për në BE.
“Është akt i paprecedent në 32 vite demokraci, shndërrimi i sallës së Kuvendit nga salla e përfaqësuesve të qytetarëve, në sallën e gardistëve qeveritar. Ky Parlament është turpi i Shqipërisë, njëlloj si qeverisja e korruptuar e Edi Ramës”, shkruan Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.