Politike

Aksioni i opozitës të hënën në Kuvend, 3 skenarët e PS për të votuar buxhetin 2024

Mazhoranca do të votojë me çdo kusht dhe mënyrë p/buxhetin në seancë plenare javën e ardhshme të parashikuar në datat 20-21 nëntor, kur është programuar dhe miratimi në parim i drafteve.

Këmbëngulja e PS për të çuar deri në fund udhëzimet e kryetarit të tyre do të jetë në varësi të sjelljes së deputetëve të opozitës. Asgjë nuk do t’i mbetet rastësisë, pasi A2CNN ka mësuar se të majtët kanë në tryezë tre skenarë në rast se demokratët do të bllokojnë Parlamentin.

Fillimisht socialistët kanë menduar përsëritjen e të njëjtit skenar me seancat e fundit, ku mes tymuesve të kalojnë në miratimin e buxhetit pa diskutime, nëse këto nuk do të mundësohen.

Në rast se aksioni i opozitës do të përshkallëzohet në sallën e seancave duke e bërë të pamundur edhe votimin apo qëndrimin aty, socialistët kanë menduar alternativen tjetër: mbledhjen pa humbur kohë të Sekretariatit të Etikës për të përjashtuar deputetët demokratë që bëhen pengesë dhe thirrjen e një seance tjetër mes të hënës dhe të martës.

Po në rast se opozita vendos që të mos dalë nga salla e Parlamentit duke u ngujuar aty, si do të veprojë PS?

A2CNN ka mësuar se departamenteve të Kuvendit u është kërkuar të gjejnë precedentë në historinë e parlamentarizmit për ta zhvendosur seancën në ambientet e Kryesisë së Kuvendit. Burime nga mazhoranca thonë që ky është skenari I fundit dhe më pak i mundshëm të ndodhë, por nuk do të ishte hera e parë.

Skenari i zhvendosjes së kryeparlamentares Lindita Nikolla së bashku me deputetët e socialistë mund të gjejë mbështetje në një rast të ngjashëm të eskperimentuar më herët nga demokratët.

Pasi në 2006, për shkak të protestës së LSI për një anëtar të KQZ, atëherë-kryetarja e Kuvendit JozefinaTopalli dhe PD spostoi mbledhjen pranë Kryesisë së Kuvendit, ndërsa PS e bojkotoi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë