Njerez

‘Të gjithë më kryqëzuan’. Historia e nënës që vendosi të vaksinojë fëmijën e saj diabetik nga Covid-19

Nga Anxhela Çelanji - Mirela është një nënë e re e cila mes paragjykimeve dhe kundërshtive të shumta ka vendosur ta vaksinojë vajzën e saj 13 vjeçare në Shqipëri, ndërsa procesin e ditëve të para po e shoqëron skepticizmi i prindërve nga mungesa e informacionit.
“Kam dëgjuar shumë gjëra, por vendosa të këshillohesha me mjekë, kam pyetur edhe mjekë jashtë vendit me anë të familjarëve të mi,” tregon ajo.
Mirela i tha Gazetasi.al se e bija është diagnostikuar me diabet që prej moshës 6 vjeçare dhe imuniteti i saj vazhdimisht është shumë i dobët dhe delikat.
“Kristal prej vitesh vuan tashmë nga mbiprodhimi i insulinës dhe kjo gjë e bën të jetë e dobët, e plogësht dhe e pamundur për të përballuar infeksione të vogla e jo më Covid-19. Arsyeja pse unë vendosa të miratoj vaksinimin e vajzës time është sepse dua të ruaj shëndetin e saj. Ky ka qenë synimi edhe pse jam vaksinuar vetë” shton nëna e re.

Foto ilustruese

Mirela e cila në profesion është ekonomiste, jeton në periferi të Tiranës dhe tregon për Gazetasi.al se vendimi i vaksinimit të së bijës ka qenë i vështirë sepse i është dashur të luftojë edhe me idetë e babait të vajzës. Sipas Mirelës “lufta e saj me botën” ka nisur që prej kohës kur kishte lexuar mediet e huaja se ishte miratuar vaksina edhe për fëmijët 12-15 vjeç. Ajo shpjegon se nga lajmet e shumta që dëgjonin nëpër media, rrjete sociale madje edhe nga mjekë ishin shumë të dyzuar për të vaksinuar vajzën, por nga ana tjetër ishin shumë të shqetësuar nëse infektoheshin përsëri. Fillimisht Mirela kishte kontaktuar me mjekun specialist të vajzës në Tiranë i cili i kishte thënë që do të duhej kohë që vajza të bënte vaksinën. Më pas i ishte drejtuar edhe mjekëve të tjerë përveç informacionit që merrte në media.

Foto ilustruese

“Deri më tani kam kontaktuar me tetë mjekë, pesë prej tyre jashtë shtetit dhe specialistë për sëmundje të tilla. Ata më kanë rekomanduar me forcë vaksinimin sepse Covid-19 është një sëmundje që ndikon shumë tek njerëzit diabetik, njëjtë si të rriturit pasi prek të gjitha organet në trup ,”shpjegon ajo për Gazetasi.al.
13-vjecarja e ka marrë vaksinën të mërkurën dhe nuk ka pasur asnjë komplikacion shëndetësor përveç dhimbjes së lehtë në krah. Ndërkaq, nëna tregon se pas miratimit të vaksinimit të fëmijëve në vend mjeku i familjes e kishte kontaktuar duke e udhëzuar që vaksinën do ta bënin në qendrën shëndetësore të lagjes dhe doza e vaksinën do të ishte Pfizer e në të njëjtën sasi që kanë marrë të rriturit.
“Ka një shprehjeje në popullin tonë “mirë halli që ke po nuk të lenë as njerëzit rehat”. Të gjithë miqtë dhe kolegët me të cilët kam folur më kanë “kryqëzuar” për vendimin tim. Disa prej tyre më quajtën edhe të paaftë, për të mbrojtur vajzën por barrën e një fëmijë me diabet në shtëpi e di vetëm unë. Duhet një kujdes disa fish më i madh,” shtoi Mirela.

Foto ilustruese

Më tej ajo i tha Gazetasi.al se gjatë vitit të shkuar kur burri i saj ishte infektuar me Covid-19 në vendin e tij të punës, ishte detyruar të qëndronte një muaj larg të bijës në mënyrë që të mos e infektonte. E kishte dërguar vajzën tek prindërit e saj dhe fliste vetëm nëpërmjet telefonit, ndërsa vetë iu desh të kujdesej për bashkëshortin. Nëna e re shpjegon se nuk do që këtë vit t’i përsëritet e njëjta histori dhe në mos më keq që e bija të infektohet, pasi për të është shumë e rrezikshme.
“Të rrisësh një fëmijë me diabet do shumë sakrifica. Që nga mënyra se si ushqehet e deri tek lëvizjet më të vogla që bën. Kristal edhe nëse ka një grip të thjeshtë duhet të shkojë në spital dhe shtëpia ime është e mbushur me medikamente dhe fisha për matjen e diabetit. Për të mos përmendur që gjysma e pagës time shkon për ilaçet dhe konsultat e saj. Jo vetëm nga ana ekonomike, por edhe nga ajo psikologjike nuk do kisha fuqi ta përballoja infektimin,” thotë më tej Mirela.
Ndryshe nga variantet e tjera që Covid-19 ka pasur deri më tani, Delta është infektues edhe tek fëmijët dhe pikërisht për këtë arsye shumë vende në botë kanë miratuar edhe vaksinimin tek ta.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave(FDA) në SHBA dhe Agjencia e Miratimit të Barnave(EMA) në Europë autorizuan përdorimin e vaksinës te moshat 12-15 vjeç gjatë muajit maj të këtij viti. Ekspertët shëndetësorë e kanë pacaktuar këtë vendim si një hap shumë të rëndësishëm drejt luftës së Covid-19 që pritet të çojë në uljen e infektimeve. Disa vende po e përdorin vaksinimin tek kjo grup moshë në mënyrë të përgjithshme ndërsa disa shtete po e përdorin për ata që kanë sëmundje bashkëshoqëruese, ku bën pjesë edhe vendi ynë.
Një studimi i sigurimit shëndetësor izraelit, i publikuar në media gjatë muajit të shkuar tregoi se studiuesit e Universitetit të Harvardit kishin konstatuar që vaksina Pfizer ul me 90% tek të rinjtë rrezikun e infektimit dhe mbron 93% nga simptomat me këtë variant të virusit.
Studiuesit analizuar rreth 95.354 të rinj të vaksinuar nga mosha 12 deri në 18 vjeç. Rezultatet janë publikuar në revistën "New England Journal of Medicine" dhe të dhënat u mblodhën nga data 8 qershor deri në 14 shtator, që përkon me valën e katërt të Covid-19 në Izrael.

*Emrat e nënës dhe vajzës janë ndryshuar për të ruajtur privatësinë e tyre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë