Shendet

Asnjë fëmijë nuk e mori vaksinën në ditën e parë, prindërit janë skeptikë. Por çfarë strategjie u ndoq në botë?

Të hënën nisi procesi i vaksinimit të fëmijëve +16 vjeç dhe atyre në moshën 12-15 me sëmundje imune. Përveç numrave të ulët të vaksinimit tek të rriturit tashmë Shqipëria do të përballet edhe me një ngërç tjetër, atë të mosbesimit të prindërve.

Argjentina, një grua rreth të 40-tave i tha Gazetasi.al se ka një tjetër qasje kur vjen puna për vaksinimin e fëmijëve. Mes informacionit të pakët për vaksinat dhe dezinformimeve që gjenden kudo, ajo shpjegon se është shumë skeptike për vaksinimin e djalit të saj 16-vjeçar.

“Nga njëra anë jam e lumtur që duhet miratimi im. Unë dhe bashkëshorti e kemi bërë vaksinën sepse u detyruam nga puna, por nuk është një vendim i thjeshtë për djalin,” thotë ajo.

Sipas saj, vështirësia qëndron në faktin se nuk ka asnjë informacion se si do të bëhet vaksina tek të rinjtë.

“Si do bëhet? Dërgo fëmijën te qendra e kaq? Po për pasojat kush mban përgjegjësi?” shqetësohet ajo.

Në të njëjtin mendim me të janë edhe prindërit e tjerë. Gazetasi.al kontaktoi disa prindër në kryeqytet dhe konstatoi se skepticizmi i vaksinave nuk është për një prind apo për dy.

“Nuk e di sa doza do të marrë, nuk e di a do ta shikojë më parë mjeku, nuk e di se sa do të jetë sasia e dozave. Unë nuk di asnjë gjë për vaksinimin e vajzës time dhe as që mendoj t’ia bëj”, thotë Linda nëna e një 17-vjeçareje.

Mungesa e informacionit është pengesë edhe për prindër të tjerë. Shumë prej tyre i thanë Gazetasi.al se vaksinimi tek fëmijët nuk është një çështje e lehtë sepse për ta mendojnë shumë herë më shumë se sa për veten e tyre.

“Mendoj se vaksinimi i fëmijëve është çështje delikate. Unë nuk them “jo” në mënyrë absolute, por deri sa të kem më shumë informacion nuk do ja bëj vaksinën fëmijës tim”shton Arbeni një tjetër prind i shqetësuar për këtë çështje.

Ndërkaq Gazetasi.al konstatoi se në qendrat e vaksinimit ditën e parë të hapjes së fashës moshore nuk kishte asnjë fëmijë për të marrë vaksinën e Covid-19.  Në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë, Ministrja Ogerta Manastiliu pyetjes “nëse do të ketë ndonjë fushatë informuese për vaksinimin e fëmijëve”, iu përgjigj se ministria e ka menduar një plan të tillë, por që deri tani nuk është bërë transparent për askënd.

Deri më tani në vendin tonë janë vaksinuar me të dyja dozat rreth 39.9 % e popullatës target, ndërsa ka nisur dhe aplikimi i dozës së tretë për personat +60 dhe personelin shëndetësor.

Cilat kanë qenë informacionet mbi vaksinimin e fëmijëve në vendet e ndryshme të botës?
Në shumë vende të botës ka nisur të aplikohet vaksina për të gjithë fëmijët e grup moshës 12-16 vjeç, qofshin ata me sëmundje imune ose jo. Njëjtë si në vendin tonë edhe në vendet e tjera ka pasur një debat të madh për këtë çështje.
Kanadaja ishte vendi i parë që miratoi vaksinimin e fëmijëve dhe përveç fushatës së informimit të njerëzve përpara vaksinimit, vendi tregon vazhdimisht raporte se si ka funksionuar vaksinimi tek fëmijët. Një studim i botuar në “New England Journal of Medicine” më 15 korrik zbuloi se vaksina Pfizer tek fëmijët 12 deri në 15 vjeç prodhoi një përgjigje imune më të madhe sesa te të rriturit.
Një debat i madh për vaksinimin e fëmijëve është edhe në SHBA, ku nga autoritetet është menduar që edhe në shkolla të kërkohet certifikata vaksinimi. Sipas ekspertëve të qendrave shëndetësore atje nuk është një zgjidhje efikase sepse mund të rrezikoj arsimimin për vetë faktin se prindërit mund të refuzojnë t’i dërgojnë fëmijët në shkolla.
“Garantimi që vaksinat të jenë gati për të gjithë fëmijët deri në fund të vitit është "mbrojtja jonë më e mirë kundër parandalimit të një varianti të keq të së ardhmes", thotë William Gruber, nënkryetar i lartë i Pfizer për kërkimin dhe zhvillimin klinik të vaksinave.
Sipas CDC në SHBA nuk ka pasur shumë refuzime për vaksinimin tek fëmijët por as gatishmëri të lartë. Duke nisur nga kjo në SHBA është krijuar dhe një organizata e quajtur VaxTeen e krijuar nga adoleshentët të cilët duan të vaksinohen por nuk kanë lejen e prindërve. Organizata informon dhe ndihmon të rinjtë për çështjet ligjore që të vaksinohen.
Mbretëria e Bashkuar, që prej fillimit të vaksinimit ka informuar popullin për vaksinimet duke udhëzuar çdo pediatër për të njoftuar familjarët e fëmijëve. Më pas vendosi që të vaksinojë fëmijët e grup moshës 12-17 vjeç që jetojnë me persona që kanë imunitet të dobët. Gjithashtu më shumë se gjysma e vendeve të BE-së kanë ndjekur të njëjtën strategji, pra informimi dhe këshillimi është bërë me anë të pediatërve. Greqia ka ndjekur të njëjtën fushatë si me studentët. Përveç informimit dhe kontrollit paraprak me analiza dhe mjek pediatër, ka ofruar shpërblime deri në 100 euro për fëmijët që vaksinohen.
Ndërsa Kina ka ndërmarrë një qasje më të rreptë me rregullatorin e saj që ka dhënë autorizim urgjent tek fëmijët deri në 3 vjeç, edhe pse provat për vaksinat janë në vazhdim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë