Futboll

Të gjitha shenjat Brazilin e çojnë drejt triumfit në Kupën e Botës

Rruga e Brazilit drejt lavdisë në Kupën e Botës, “Rusi 2018” duket se po bëhet gjithnjë e më e qartë çdo fazë që kalon.

Gjermania, e cila turpëroi Brazilin në vitin 2014 me atë fitore 7-1 gjysmëfinale, u kthye në shtëpi që në fazën e grupeve. Spanja, Argjentina dhe Portugalia gjithashtu iu bashkuan “pancerave” pas raundit të parë të 1\16. Belgjika, kundërshtari i ardhshëm i Brazilit në çerekfinalen e së premtes, gati ra në përballjen me Japoninë dhe duket se ka probleme shumë serioze me mbrojtjen e saj, e cila përballë një sulmi si ai brazilian mund të fus ujë në çdo moment.

Është e lehtë të  vendosësh bast për fitoren e Brazilit për shkak të dështimeve të favoritëve të tjerë, por sigurisht pa anashkaluar edhe faktin tjetër se “selecao” kanë ardhur me një rritje graduale në paraqitjen e tyre në ndeshjet e fundit.

Brazili e ka filluar gjithçka nga e para pas asaj humbje shokuese në botërorin e shtëpisë në 2014 duke filluar me uljen në stol të një trajneri ekspert si Tite. Që nga viti 2016, kur Tite mori drejtimin e ekipt kombëtar, Brazili ka luajtur 25 ndeshje, duke pasur një golavarazh të përgjithshëm 54 me 6 dhe në 19 ndeshje nuk ka pësuar gol. Me uljen e Tite në stol e ‘Selecao”, ekipi është i plotë dhe i harmonizuar, ndërsa varësia nga ylli i PSG, Neymar është ulur ndjeshëm.

Ky është një nga aspektet më interesante, që shfaqet nëse heqim një paralele mes Brazilit të vitit 2014 dhe Brazilit të vitit 2018. Ajo që e dallon skuadrën amerikano-latine nga favoritët e tjerë paraprak të këtij kampionati botëror, si Argjentina, Gjermania apo Spanja është kompaktësia dhe mungesa e një pike të dobët shumë të dallueshme. Argjentina për shembull ishte tepër e varur nga Lionel Messi, i cili në thelb tërhoqi një ekip gati në prag të dështimit në finalet e këtij botërori, kur ata ishin duke ngelur jashtë. Tek Gjermania dhe Spanja kishte një mungesë të lojtarëve në repartin e sulmit që në një moment të caktuar të ndeshjes mund të bënin diferencën.

Edhe tek disa nga ekipet e mëdha që kanë mbetur akoma në kampionat botëror, si Franca, Anglia, Kroacia apo Belgjika ka pika të dobëta të dallueshme, shumë ndryshe nga Brazili. Franca, me gjithë numrin e madh të talenteve që ka në gjirin e saj, nuk ka një vendosje të qëndrueshme taktike që është vënë re në shumicën e ndeshjeve. Belgjika ka qenë delikate në mbrojtje dhe mund të pësojë gol fare lehtë, ndeshja e fundit me Japoninë është treguesi më i mirë për këtë gjë.Sakaq Anglia është kryesisht e pasprovuar dhe mbetet për t’u parë në ndeshjet e ardhshme.

Ky Brazil i “Rusi 2018” pak a shumë ngjason me Gjermaninë e vitit 2014. Kombëtarja gjermane para katër vitesh ishte më e plota dhe në fund ia arriti që ta ngrinte lart trofeun e Kupës së Botës. Katër vite më parë, Brazili kishte një varësi totale nga Nejmar dhe Tiago Silva, çka u pa në gjysëm finale me Gjermaninë, kur ata munguan dhe rezultati në fund ishte një disfatë 7-1.

Në çerekfinalet e kësaj Kupe Bote janë vetëm katër skuadrat, që janë të renditura në “Top 8” e kombëtareve më të mira në botë, sipas Elo Ratings. Kjo është numri më i ulët që nga viti 2002, kur kishin qenë vetëm dy nga tetë më të mirat.

Gjermania ishte e fortë, edhe pse nuk mund të thuhet se ishte spektakolare, të paktën në fazën e grupeve në botërorin e vitit 2014. Por edhe më tej, skuadra  e Lëv kaloi me vështirësi në kohën shtesë në raundin e 1\16 Algjerinë dhe në çerekfinale mundën Francën minimalisht 1-0, përpara se të merrnin atë fitore të famshme kundër Brazilit. Por gjithësei në fund, Gjermania ia doli që ta ngrinte lart Kupën e Botës, pasi ishte ekipi më i kompletuar.

Nejmar dhe Paulinjo duke festuar fitoren me Meksikën në fazën e 1\16. Foto: Frank Augstein/Associated Press

Pak a shumë e njëjta gjë është duke ndodhur edhe me Brazilin në këtë botëror. Gara filloi ngadalë për Nejmar me shokë si me barazimi kundër Zvicrës. Më pas edhe fitorja 2-0 ndaj Kosta Rikës, nuk mund të quhet mbresëlënëse. Ndërsa edhe triumfi në 1\16 me Meksikën nuk i ka shpëtuar polemikave të medieve braziliane dhe ndërkombëtare.  Të gjitha shenjat tregojnë se Brazili do ia dalë këtë herë ta çojë në shtëpi Kupën e Botës numër gjashtë, por nëse kjo gjë do të ndodhë me të vërtetë, vetëm fusha e lojës do e tregojë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë