Politike

Të gjitha mesazhet e Ramës që në fund lidhen me ngritjen e një komisioni PS-PD për … drejtësinë

Nga Gazeta Si -Ai mbajti fjalimin më të gjatë ndër vite, (duke e pranuar se mund të ishte i denjë për të konkurruar me fjalime të kongresmenëve amerikane), por kryeministri Edi Rama, në një takim të paralajmëruar me deputetë dhe ministra, tha gjatë gjithë përmbajtjes, se korrupsioni mbetet një fenomen shqetësues, por asesi sipas tij i njëjtë me vitet e kaluara.

Kryeministri u ndal gjatë tek ky fenomen  duke sinjalizuar se anti-korrupsioni do të jetë karta e tij e betejës në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Rama saktësoi mesazhet e tij fillimisht për të vetët (përfshi edhe kryebashkiakun Erion Veliaj) se askush, qoftë ministër, kryetar bashkie apo deputet nuk do të mbrohet nga ai apo PS nëse ndaj tij do të hapet hetim konkret nga SPAK.

Sipas tij, kush fut duart në arkën e shtetit duhet të mbrohet vetë nga drejtësia.

“...Ai nuk është i imi as i yti por vetëm i drejtësisë në dac si ministër qeveri si kryetar apo drejtor bashkie apo përgjegjës i kësaj qeverie     

Unë nuk lëshoj vetëm djalin që do të hidhet nga shkëmbi në lartësi, por nuk mund mbaj asnjë burrë me paratë e vjedhura në karrige, kur vjen ora të thirret...”, tha ai

 “Kush gabon duke bërë një rrugë e dy punë nuk do të ketë në krah as mua dhe as PS por vetëm avokatin e vetë para drejtësisë”, mëshoi  Rama

“Në këtë sistem mbajmë secili kokën e vet dhe nuk ekziston fajësim në asociim...”, sqaroi ai.

Duke i mëshuar kësaj logjike politike, kryeministri Edi Rama u ndal edhe tek përgjegjësitë e tij si kryeministër

Duke kujtuar se në 11 vite qeveri ai ka emëruar më shumë se 40 ministra dhe kundrejt këtij numri në SPAK, sipas tij, janë vetëm një ‘grusht njerëzish”, kryeministri dha një përgjigje për shumëkënd se ku qëndron përgjegjësia e tij që në asnjë rast ai nuk lidhi me ligjin.

“Dy fjalë për përgjithësinë morale... është e vërtetë që dhe në vende të zhvilluara shumë titullar dorëhiqen kur nuk janë përgjegjës të drejtpërdrejtë për një rrëshqitje nga binarët. Por në demokracitë e konsoliduara, ka një strukturë të tërë që i kryen vetë 90% të makinerive të shtetit. Belgjika ndejti më shumë se një vit pa qeveri, makineria e shtetit nuk u fik, por njerëzit thoshin që shteti punon dhe më mirë pa qeveria...”

Për tu kthyer tek drejtësia, aty ku ai mbajti vëmendjen kryesore,  Edi Rama bëri diferencën e punës së SPAK nga Prokuroria e Tiranës ku sipas tij e para lufton korrupsionin e dyta mbron evazorët, por nuk ka la pa i kujtuar SPAK se ata janë aty falë këmbënguljes së tij me negociata në kancelaritë diplomatike sa në Bruksel e deri në Uashington, se ata paguhen me rroga më të larta se vetë Presidenti, se PS-ja nuk do të komentoje asnjë hetim nga ana e tyre, se ai është një pushtet krejt i pavarur nga politika porse në fund të gjithë ekspozesë asgjë nuk është e mjaftueshme për të kur vuri ne dukje vetëm me një fjali se “është e domosdoshme zgjerimi i fuqisë së drejtësisë përtej ishullit të SPAK’.

Në emër të këtij postulati, edhe pse ai tha se i ka votat, “pa qenë i detyruar t’i thotë derrit dajë”, Rama ftoi opozitën për miratimin e një projekt-rezolute në Kuvend: “...Thirrja ime për të gjitha ata që janë kundër nesh është shumë e thjeshtë: Ne nuk ju ndryshojmë dot juve, prandaj luftën politike vazhdojeni si të doni ju, me të gjithë arsenalin e mirënjohur prej vitesh që dispononi, por le ta krijojmë një hapësirë jashtë territorit të kësaj lufte, një zonë të ndalur për sharjet dhe sherret e kësaj jete të ulët politike, ku jemi të ngërthyer secili në mënyrën e tij, një vend pune me aleatët strategjik, BE dhe SHBA me ekspertizën vendase dhe të huaj, me të gjitha institucionet e pavarura, shoqërinë civile, botën akademike, grupet e interesit për të adresuar jo dallimet tona politike, por procesin e shtet-bërjes  evropiane të Shqipërisë duke analizuar hallkat e shtetit në këtë fazë të re si dhe identifikuar hapa që duhen marrë, masa që duhen ndërmarrë”.

Por pjesë e kësaj projekt-rezolute, siç e shpjegoi më tej ministrja e Shtetit për Parlamentin, Elisa Spiropali, do të jetë ngritja e një komisioni të  posaçëm parlamentar. Një komision për të cilin është folur shumë kryesisht nga shoqëria civile se do të shërbejë si makinacion për ndërhyrje pikërisht tek drejtësia e re e cila po ‘fut hundët’ sa majtas aq edhe djathtas.

Spiropali nga ana e saj përdori lojëra fjalësh dhe terma të përgjithshme kur foli për ndërhyrje në çdo fushë në emër të “mirëqeverisjes, sundimin e ligjit dhe anti-korrupsionin” por u ‘tradhëtua” po me lojëra fjalësh kur pa të domosdoshme të specifikonte politikisht korrekt qëllimin e mësipërm se i gjithë procesi që do të ndërmerret dhe mbikëqyret nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, “në asnjë mënyrë nuk do të cenojë kuadrin ekzistues kushtetues e ligjor për ngritjen e institucioneve të pavarura të drejtësisë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë