Politike

Reformë për kontroll në drejtësi? Shalsi: Alarm i rremë. Si reformohet parlamenti

Nga Gazeta Si - Eduart Shalsi, i ngarkuar për të drejtuar një grup pune për reformën në parlament, u dha fund zërave dhe shqetësimeve publike se PS po krijon komisione apo mekanizma të rinj parlamentarë për të kontrolluar drejtësinë. Në një intervistë për Gazetën Si ai beson se të tilla lajme u hapën për shkak të moskuptimit, keqinformimit dhe keqdashjes. Megjithatë, kreu i SPAK-ut, i cili nuk bën pjesë në këto grupe, por i dha zë këtij shqetësimi, sipas zotit Shalsi duhet të qëndrojë i qetë. Nisma ka të bëjë me reformimin e punës brenda parlamentit për ta përshtatur atë me kërkesat e reja nga procesi i negociatave me BE. Ky do të jetë një rast që punonjësit e parlamentit do të rivlerësohen për të rritur cilësinë e punës, por edhe një rast për të zgjeruar bashkëpunimin për marrjen e ekspertizës së huaj.

Gazeta Si: ju keni ngritur një grup pune për reformimin e funksionimit të Parlamentit, por nisma është komentuar gjerësisht si përpjekje për të rritur kontrollin tek organet e drejtësisë. Cili është qëllimi juaj?

Eduart Shalsi: Keqkuptimi dhe, hera-herës, edhe dezinformimi është pjesë e procesit demokratik. Në fakt, kemi të bëjmë me një grup për të krijuar një koncept- ide për mënyrën sesi do të modernizohet parlamenti. Edhe për rrethanat e reja të krijuara, negociatat me BE, parlamentit i duhet të kalojë në një nivel tjetër funksionimi, të jetë më efikas, të jetë dhe më efiçent. Për shkak të volumit të punës, por edhe cilësisë së lartë që do të nda duhet, pjesë e reformimit do të jenë edhe specialistët.

Gazeta Si: Pra do të fokusohet tek burimet njerëzore? Nuk do të ketë mekanizma shtesë kontrolli nga ana e parlamentit, do të ketë komisione të reja

Eduart Shalsi: Organet  dhe funksionet  e Kuvendit janë të mirëpërcaktuara në Kushtetutë dhe në ligje. Këtë s’mund ta ndryshojmë. Reforma strukturale brenda Parlamentit është pjesë e përmirësimit të punës, sepse një organ që nuk ndryshon, atrofizohet.

Gazeta Si: Pra, a do të ketë komisione të reja, përshembull, që mund të kenë në fokus drejtësinë?

Eduart Shalsi: Jo, absolutisht. Lajme të tilla u përhapën, sepse mund të ketë njerëz që nuk e kanë kuptuar, ka nga ata që duan të keqinformojnë, kanë edhe nga ata që duan të mbjellin panik, sikur PS kërkon të kontrollojë institucionet e drejtësisë.

Gazeta Si: Në të vërtetë, nisma mori bujë për shkak të ndërhyrjes së kreut të SPAK-ut, që nuk besoj se i përket kategorive që ju përmendët më lart. Ai ka kërkuar që retorika të mos kthehet në ligje që kontrollojnë drejtësinë. Pse ky mosbesim?

Eduart Shalsi: Besoj se kreu i SPAK-ut, jo me fjalë, por me prova është mbështetur absolutisht. Në asnjë moment, kjo maxhorancë nuk e ka ndalur mbështetjen për nevojat e SPAK-ut, që të ushtrojë funksionet e tij. Kemi një krah që po e akuzon për organizatë kriminale, është dhe blloku ynë, që ka bërë të mundur ngritjen nga  e para të një sistemi drejtësie, për të cilin shqiptarët kishin aq nevojë. Besoj se zoti Dumani, e ka fare të qartë ku synon kjo nismë dhe e ka fare të qartë sesa shumë ne duam që organet e drejtësisë të jenë të pavarura.

Gazeta Si: Grupi juaj i punës nuk e ka këtë synim, por a ka në PS, në grupin e saj parlamentar, ndonjë grup tjetër që po diskuton për ndryshime të tjera në ligjet e drejtësisë, përveç atyre kërkesave që kanë sjellë vetë institucionet e drejtësisë?

Eduart Shalsi: Unë nuk jam në dijeni. Do ta kisha hasur, nëse do të kishte patur një ide të tillë. Jo, nuk ka!

Gazeta Si: Ju si e keni menduar ta ndërtoni këtë proces të reformimit?

Eduart Shalsi: Koncepti im kalon nëpër tre faza. Së pari, të shohim çfarë kanë ndryshuar parlamentet që kanë një përvojë të ngjashme ne për integrimin. Kështu mund të marrim ekspertizat më të mira, modelet më të suksesshme. Së dyti, na duhet të vlerësojmë kapacitetet brenda institucionit, pra vlerësimin e punonjësve, të strukturave, të procedurave dhe politikave në funksion. Faza përfundimtare është faza e zbatimit. Dhe nuk e fsheh që këtu kemi nevojë për ekspertizë të huaj.

Gazeta Si: Këtë e ka vënë në dukje dhe kryeministri Rama në fillim të janarit. Të huajt do të jenë të përhershëm?

Eduart Shalsi: Ka shumë raste që ne na duhet ekspertizë që këshilltarët tanë nuk na e kanë dhënë dot. Mendoj se ekspertët e huaj nuk do të jenë të përhershëm. Praktikat e huaja parlamentare të japin mundësi që për çështje të veçanta, të marrësh ekspertizë të veçantë. Një ekspertizë permanente është e fokusuar në një drejtim, ndërsa sektorët tanë janë të shumtë. Kjo ekspertizë do të duhet të ndërmarrë edhe procese trajnimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë