Taksa

Të ardhurat nga taksat vendore probleme në afatgjatë

Në tremujorin e parë të vitit 2019, të ardhurat nga taksat vendore kontribuan me rreth 65% në të ardhurat totale nga burimet vendore, raport ky rreth 2.0 pikë përqindjeje nën mesataren afatgjatë 2011-2018 (prej rreth 63%).

Sipas raportit të Financave Publike Vendore 2019, në terma nominalë, të ardhurat nga taksat vendore regjistruan një nivel prej rreth 3.5 miliardë lekësh, në rritje me rreth 58.7% në terma vjetorë.

Përjashtuar Bashkinë Tiranë, të ardhurat nga taksat vendore shënuan një nivel prej rreth 1.2 miliard lekë, në rritje me rreth 11.9% në terma vjetorë gjatë periudhës në analizë.
Ndonëse në terma të përgjithshëm të ardhurat nga taksat vendore rezultojnë të kenë shënuar zhvillime pozitive, citon raporti, një vështrim i hollësishëm mbi elementët përbërës evidenton dobësitë afatgjata apo varësinë ndaj një numri të kufizuar taksash.
Në tre vitet e fundit, performanca e të ardhurave nga taksat vendore është përcaktuar nga dy elementë: taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja dhe taksat mbi pasuritë e paluajtshme (ndërtesa, tokë bujqësore, truall).

Ndërkohë që pesha e kësaj të fundit është tkurrur ndjeshëm në tremujorin e parë të vitit 2019, pesha e të ardhurave nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtime te reja është rritur me ritme të përshpejtuara. Në fund të tremujorit të parë të vitit 2019, të ardhurat nga këto dy taksa përfaqësuan rreth 87.1% të totalit të të ardhurave nga taksat vendore.

Në të kundërt, pesha dhe kontributi i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël dhe taksat e tjera u tkurrën në mënyrë të konsiderueshme në periudhën në analizë. Taksa mbi pasuritë e paluajtshme dhe transaksionet e kryera mbi to, përbën një burim të qenësishëm dhe të qëndrueshëm të ardhurash për buxhetin vendor.

Në tre vitet e fundit, të ardhurat nga kjo taksë vlerësohen në rreth 0.3% ndaj PBB-së nominale, raport ky ndjeshëm më ulët krahasuar me mesataren e BE-së prej rreth 1.6% të PBB-së për vitin 2017.

Në fund të tremujorit të parë 2019, të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme regjistruan një vlerë prej rreth 784.3 milionë lekë4, në rënie të lehtë prej 2.4% krahasuar me vitin e mëparshëm.

Taksa mbi tokën bujqësore dhe taksa mbi transferimin e të drejtave të pronësisë ndikuan në rënien e të ardhurave nga ky zë i agreguar gjatë periudhës në analizë.
Në prani të një oferte të shtuar dhe në rritje për ndërtime të reja, rënia e të ardhurave nga transaksionet e kryera me pasuritë e paluajtshme mund të jetë një sinjal për ngadalësimin e kërkesës për to. Në të kundërt, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat shënuan rritje me rreth 16.4% në terma vjetorë.

Sipas analizës së raportit, me të dhënat në dispozicion nuk është e mundur të përcaktohet nëse rritja e të ardhurave nga taksa e ndërtesës i detyrohet aplikimit të metodologjisë së re të taksimit mbi bazën e vlerës së tregut të ndërtesës apo përmirësimit të normës së mbledhjes së të ardhurave. Në nivel bashkie, rreth 40.1% e të ardhurave nga taksa për pasuritë e paluajtshme realizohet në bashkinë Tiranë, rezultat i përqendrimit të një numri të lartë banesash dhe ndërtesash në këtë territor. Bashkia Durrës renditet e dyta për nga pesha në të ardhurat nga taksa mbi pasuritë e paluajtshme me rreth 8% ndaj totalit për periudhën e konsideruar. Në terma strukturorë, të ardhurat nga taksa mbi ndërtesat zënë peshën më të madhe në totalin nga të ardhurat nga taksa mbi pasurinë e paluajtshme (62.5%).
Për tremujorin e parë të vitit 2019, të ardhurat nga kjo taksë regjistruan një nivel prej rreth 533.3 milionë lekë, në rritje me rreth 16.4% në terma vjetorë.

Rreth 44.9% e të ardhurave totale nga taksa e ndërtesës u mblodh në bashkinë Tiranë ndjekur nga bashkitë Vlorë (7% ndaj totalit) dhe Durrës (5.9% ndaj totalit).

Përdorimi si agjent tatimor i ndërmarrjeve të UK-ve duket të ketë dhënë rezultate pozitive në periudhën e konsideruar. Të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore, ndonëse me peshë të moderuar, kontribuan me rreth 111.5 milionë lekë në kategorinë e të ardhurave nga taksa mbi pronën (duke shënuar rënie të konsiderueshme me rreth 30.7% në terma vjetorë).

Në ndryshim nga elementi i përqendrimit të të ardhurave nga taksa e ndërtesës në një numër të kufizuar bashkish, të ardhurat nga taksa mbi tokën bujqësore rezultojnë të jenë të shpërndara ndërmjet bashkive. Niveli më i lartë i kësaj takse u mblodh në bashkinë Fier (rreth 13.1% e totalit), ndjekur nga bashkitë Lushnje (8.5% e totalit), Konispol (4.1%) dhe Ura Vajgurore (4.3%), lidhur dhe me karakterin bujqësor të ekonomive të këtyre bashkive. Të hyrat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja vijojnë të përfaqësojnë një burim të rëndësishëm dhe qenësishëm në buxhetin vendor: në tremujorin e parë të vitit 2019 të ardhurat nga kjo taksë përfaqësuan rreth 68.9% ndaj totalit të të ardhurave nga taksat vendore dhe rreth 44.7% ndaj totalit të të ardhurave nga burimet e veta vendore. Këta dy tregues sinjalizojnë për varësi të lartë të buxhetit vendor nga kjo taksë dhe rreziqe të shtuara varësisht natyrës ciklike të saj. Gjithashtu, mund të ndodhë që bashkitë të zhvendosin preferencat për likuiditet në terma afatshkurtër, në kurriz të zhvillimit të qëndrueshëm afatgjatë.

Në tremujorin e parë të vitit 2019, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 2.4 miliardë lekë, rreth 1.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e mëparshëm apo rreth 1.4 herë më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Përjashtuar të ardhurat për TNI nga bashkia Tiranë, 60 bashkitë në vend mblodhën rreth 1.8 miliard lekë nga kjo taksë, në rritje me rreth 95.6% në terma vjetorë. Performanca në të ardhurat prej kësaj takse sugjeron për vijimësi të presioneve zhvillimore, ndonëse ky presion është përqendruar kryesisht në bashkinë Tiranë. Zbatimi i Planeve të Përgjithshme Vendore (PPV) nëpërmjet lejeve të reja të ndërtimit, nga një anë, ndikon pozitivisht në rritjen e të ardhurave nga TNI për bashkitë, nga ana tjetër, I vendos ato në një pozicion sfidues për ofrimin e infrastrukturave të nevojshme publike, të cilat gjithashtu kërkojnë financime si në zhvillim fillestar ashtu dhe në mirëmbajtje të vazhdueshme. Në nivel mesatar, të ardhurat nga TNI (nga ndërtimet e reja dhe të ardhurat nga legalizimet) përfaqësuan rreth 68.9% të të ardhurave nga taksat vendore në tremujorin e parë të vitit 2019, raport ky në rritje me rreth 23.2 pikë përqindjeje krahasuar me vlerën e regjistruar në të njëjtënperiudhë të vitit të mëparshëm. Për rreth 9.8% të bashkive (8 nga 61 Bashki), të ardhurat nga kjo taksë qëndrojnë mbi mesataren kombëtare. Ndërkohë, në rreth 11.5% të bashkive të ardhurat nga kjo taksë përfaqësojnë më pak se 10% të të ardhurave nga taksat vendore dukereflektuar deri diku edhe presione më të ulëta zhvillimi.

Në tremujorin e parë të vitit 2019, bashkia Tiranë arkëtoi rreth 1.8 miliardë lekë (në rritje me rreth 164.7% në terma vjetorë) ose rreth 74.8% të të ardhurave totale nga kjo taksë. Në të kundërt, bashkia Pustec rezulton të mos ketë gjeneruar të ardhura nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për periudhën në analizë. Në bashkinë Durrës, të ardhurat nga taksa e ndikimit në infrastrukturë nga ndërtimet e reja rezulton të jetë zgjeruar nga një nivel prej rreth 36.7 milionë lekë në rreth 126.7 milionë lekë gjatë periudhës në analizë.
Të ardhurat nga tatimi i thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël regjistruan një vlerë prej 27.5 milionë lekë në tremujorin e parë të vitit 2019, me një ulje të konsiderueshme prej -85.1% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në terma afatgjatë dhe në vijim të ndryshimeve të ndërmarra, të ardhurat nga kjo taksë vijojnë të ulin në mënyrë progressive kontributin e tyre në totalin e të ardhurave nga burime të veta vendore.

Ndonëse në masë më të ulët, të ardhurat nga taksa vendore mbi veprimtarinë e shërbimit hotelier kontribuoi pozitivisht në rritjen e përgjithshme të të ardhurave nga taksat vendore. Për periudhën në analizë, të ardhurat nga kjo taksë shënuan një nivel prej rreth 27.9 milionë lekë, në rritje me rreth 18.7% në terma vjetorë. Për tremujorin e parë të vitit 2019, rreth 66.3% e të ardhurave nga taksa e hotelit u mblodhën në bashkinë Tiranë ku aktiviteti i strukturave akomoduese shtrihet përgjatë të gjithë vitit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë