Rend dhe Ligj

Të akuzuar për grabitjen e të rinjve, policët e ‘Liqenit Artificial’ lihen në burg

Gazeta Si - Dy punonjës policie, janë lënë në burg këtë të hënë të akuzuar për vjedhje përmes kanosjes.

Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për efektivin e Policisë Bashkiake, Saimir Muzikanti dhe atë të Patrullës së Përgjithshme, Serxhio Cani.

Dy kolegët e arrestuar, akuzohen për marrjen e ryshfetit nga të rinjtë që kapeshin, duke konsumuar kanabis në zonën e Liqenit Artificial të Tiranës.

Në sallën e gjyqit, të dy të dyshuarit nuk kanë dhënë shpjegime. Pas shoqërimit, Muzikanti ka pranuar se u merrte para qytetarë, ndërsa Cani mbajti qëndrim mohues për akuzën.

Përmes avokatit, 39-vjeçari Muzikanti ka pretenduar se është dhunuar nga policia dhe se ka bërë kallëzim për këtë fakt.

Cani, 23 vjeç dhe Muzikanti, 39 vjeç, u arrestuan dy ditë më parë nga policia dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për vjedhje.

Arrestimi i dy punonjësve të Policisë së Shtetit, erdhi pas kallëzimit të dy qytetarëve, të cilët pretendonin se efektivët pas kontrollit i kishin marrë vlera monetare, duke i thënë se ndryshe do i shoqëronin në komisariat.

Cani dhe Muzikanti gjurmonin persona të cilët konsumonin kanabis nga zona e Liqenit Artificial, por edhe qytetarë të cilët mbanin veshje të shtrenjta.

Pasi i afroheshin me pretendimin se në kuadër të punës duhet t’i bënin kontrolle, ata i merrnin vlerat monetare që i gjenin në xhep dhe më pas largoheshin. Këto vlera shkonin deri në 5 mijë lekë të reja. Sipas prokurorisë ndaj dy efektivëve të policisë ka 3 kallëzime për grabitje.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë