Oferta fillestare publike e aksioneve (IPO) e kompanisë Anthropic këtë javë është një nga më të mëdhatë në histori, por përfituesit nuk do të jenë vetëm “oligarkët” e teknologjisë. Nga kjo ofertë do të përfitojnë edhe punonjësit dhe taksapaguesit në të gjithë Amerikën.
Startup-i gjashtëvjeçar i inteligjencës artificiale vlerësoi aksionet e tij me 83 dollarë secila të mërkurën, një vlerë që do të siguronte rreth 94 miliardë dollarë, me një kapitalizim tregu prej afërsisht 1.5 trilionë dollarësh. Këto para do të financojnë zgjerimin e kapaciteteve kompjuterike të kompanisë dhe do të nxisin bumin e investimeve në inteligjencën artificiale në Amerikë, nga i cili po përfitojnë punonjësit në sektorë si ndërtimi dhe industria prodhuese. Anthropic planifikon të shpenzojë 71 miliardë dollarë për pajisje dhe fuqi përpunuese të inteligjencës artificiale gjatë vitit të ardhshëm.
Progresistët shprehin pakënaqësi se IPO-ja do të thellojë pabarazinë e pasurisë, pasi drejtuesit dhe punonjësit e Anthropic do të kenë mundësi të shesin aksionet e tyre dhe të arkëtojnë fitimet. Kjo do të krijojë shumë milionerë të rinj. Por çfarë ka të keqe këtu? Ata po shpërblehen për rrezikun që morën duke themeluar ose duke iu bashkuar Anthropic. Ata mund të kishin zgjedhur të punonin në kompani më të konsoliduara ose në një pozicion të sigurt pune, si në administratën federale.
Përfitime pritet të kenë edhe fondet e pensioneve të administratës publike. Sipas Institutit Equable, të paktën 18 fonde pensionesh shtetërore dhe lokale zotërojnë aksione të Anthropic përmes investimeve private në fonde që kanë bërë publike pjesëmarrjet e tyre.
Mes tyre janë Sistemi i Pensioneve të Mësuesve të Kalifornisë, Sistemi i Pensioneve të Punonjësve të Bashkisë së Los Anxhelosit, Fondi i Pensioneve të Policisë dhe Zjarrfikësve të Ohajos, Këshilli i Investimeve të Nebraskës, Sistemi i Pensioneve të Qarqeve dhe Distrikteve të Teksasit, Bordi i Investimeve të Shtetit të Uashingtonit dhe Fondi i Rezervave të Pensioneve të Masaçusetsit.
Ka të ngjarë që shumë fonde të tjera pensioni të zotërojnë aksione që nuk janë bërë ende publike. Pasi Anthropic të përfshihet në indekset kryesore të tregut të aksioneve, pothuajse çdo fond publik pensioni do të zotërojë aksionet e saj. E njëjta gjë vlen edhe për shumicën e punonjësve të sektorit privat që kanë plane pensioni 401(k). Pavarësisht nëse e dinë apo jo, çdo amerikan ka një interes në suksesin e inteligjencës artificiale.
Rritja e vlerës së kompanive të inteligjencës artificiale në treg ka ndikuar tashmë pozitivisht në fondet e pensioneve të administratës publike dhe ka ulur detyrimet e pafinancuara, duke lehtësuar presionin mbi taksapaguesit. Mendoni se Çikago është në një situatë të rëndë financiare? Pa bumin e inteligjencës artificiale, gjendja do të ishte shumë më e keqe.
Vlerësimet e disa prej këtyre kompanive janë të fryra dhe herët a vonë tregu do të pësojë një korrigjim. Marrëveshjet të Nvidia-s, të cilat kanë ndihmuar startup-et e inteligjencës artificiale dhe kanë rritur kërkesën për çipat e saj kompjuterikë, ngrenë gjithashtu pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e bumit të tregut.
Megjithatë, kërcënimi më i madh i dukshëm vjen nga qeveria. Shqetësimet për rregullimin në nivel shtetëror janë një nga arsyet kryesore pse aksionet e kompanive të inteligjencës artificiale pësuan rënie pas zgjedhjeve, kur demokratët morën kontrollin e guvernatorëve në shtete që kanë tërhequr investime në qendra të të dhënave, si Teksasi, Uiskonsini dhe Ohajo. Frika është se demokratët do të bllokojnë projekte, duke rrezikuar që investimet të mbeten të papërdorura.
Ekziston gjithashtu rreziku i proceseve gjyqësore të kushtueshme.
Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Rob Bonta, ngriti këtë javë një padi kundër OpenAI për shkak të një shkeljeje të pavullnetshme që përfshiu Hugging Face. Ai pretendon se kompania ka krijuar një shqetësim për publikun duke zhvilluar “modele të inteligjencës artificiale shumë të afta dhe gjithnjë e më të fuqishme”, pa mbikëqyrjen e duhur.
Rreziku i përgjegjësisë ligjore i nxit kompanitë e inteligjencës artificiale të zhvillojnë modele të sigurta, por qeveritë dhe avokatët e paditësve mund të përpiqen t’i mbajnë ato përgjegjëse edhe për keqpërdorimin e modeleve të tyre nga persona të tjerë. Anthropic paralajmëron për këtë rrezik në prospektin e ofertës së saj publike, megjithëse kjo çështje ka marrë shumë më pak vëmendje sesa paralajmërimet e kompanisë se inteligjenca artificiale mund të “përbëjë rreziqe katastrofike ose ekzistenciale për njerëzimin”.
Investitorët në Anthropic po vënë bast mbi pozicionin e saj konkurrues në treg, por politikanët përbëjnë një rrezik po aq të madh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje