Para

Çmimi i lartë i banesave, pastrimi i parave dhe kokaina në Shqipëri

Ndër raportet botërore, ku përmendim si më të zhurmshmin atë të The Economist, Shqipëria ka qenë në fokus të pastrimit të parave, drogës dhe kriminalitetit.

Sipas The Economist, ndonëse Shqipëria në një ekonomi jo shumë të qëndrueshme  u dëmtua akoma më shumë edhe nga pandemia, pësoi rritje të çmimit të banesave me 2 herë dhe transaksionet për to u rritën me 6.7%.

Në artikullin e The Economist tregohet historia e një të huaji që po ndërton një bllok apartamentesh në Vlorë, por që puna i ka ngelur pezull sepse nuk ka pranuar të paguajë rryshfetet.

Sipas analizave, tregu i kokainës  është arsyeja kryesore se pse çmimet e banesave në Shqipëri e specifikisht në Tiranë, po rriten kaq shumë.

Nga një raport i Global Initiative tregohet se Shqipëria është Amerika Latine e re e Europës e cila, prodhon kanabis, përpunon kokainë dhe transporton heroinë.

Kokaina që hyn në Shqipëri vjen përmes Portit të Durrësit dhe çmimi për kilogram (kokainë 90% e pastër) në dorëzim është midis 25.000 dhe 30.000 euro. 

Porti i Durrësit është gjithashtu streha e kokainës së ardhur nga Ekuadori, burimi i vetëm i bananeve në Shqipëri.

The Economist përmend fushën e ndërtimit si më të prekurin nga pastrimi i parave në Shqipëri sepse trafikantët kanë para, por nuk kanë imagjinatë, i bëjnë ato vetëm llaç e tulla.

Në një monitorim të gazetës "SI" dhe në komunikim me ekspertë të pasurive të paluajtshme , politikat e taksave në vend, gjithashtu kanë rritur këto çmime dhe është vështirë që një individ i thjeshtë të mundet të blejë një shtëpi në Tiranë.

Një tjetër detaj, ku sipas BSH-së një përqindje shumë  e lartë e blerësve të banesave në vendin tonë janë individë të huaj, mundësisht jashtë Europës. Sipas The Economist, Ballkani është destinacion dhe për paratë e pista të gjeneruara në vende të tjera.

Shqipëria mbetet një ndër vendet me më shumë para të thatë në qarkullim, një tjetër lehtësim për aktivitetet kriminale. Së fundmi Banka e Shqipërisë nxorri për herë të parë prerjen 10.000 lekë në vend. Shumë ekspertë të financës iu referuan këtij vendimi si hapësirë për kriminelët, pasi prerjet e mëdha reduktojnë peshën e parave të thata, sepse paratë e thata janë totem i kriminelëve.

Në epokën e digjitalizimit, kriptomonedhat janë mënyra e re e pastrimit të parave. Shumë herë nga Bankat Qendrore dhe nga vetë Europa, kriptovalutat janë emëruar si lavatriçe për paratë e pista. Shuma të mëdha parash futen në rrjetin e kriptove për të financuar aktivitete kriminale dhe terroriste, në fund të ditës asnjë nuk do të kërkojë llogari.

Në Shqipëri ka hyrë së fundmi në fuqi edhe ligji për prodhimin e Bitcoin, ku duhet autorizimi dhe certifikimi nga institucionet përkatëse. Nga informacione të tregut për gazetën "SI", shumë individë në vendin tonë janë "rehatuar" në botën e Bitcoin ku fshehin paratë e marra nga aktivitete të tjera të paligjshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë