Analize

Taksa ndaj Serbisë që po rrëzon qeverinë e Kosovës

Taksa ndaj mallrave serbe jo vetëm që ka zhytur në kaos Prishtinën zyrtare, por rrezikon të rrëzojë edhe qeverinë.

Tre udhëheqësit e institucioneve kryesore të Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj dhe kryetari i kuvendit Kadri Veseli nuk kanë arritur ende një ujdi për heqjen e tarifave të vendosura në nëntor dhe për qasjen e Prishtinës në dialogun me Beogradin zyrtar. Veseli dhe Thaçi kanë paralajmëruar kryeministrin se ka kohë deri të hënën për të tërhequr taksën ndaj mallrave serbe, përndryshe PDK-ja do të tërhiqet nga koalicioni qeveritar, dukë çuar kështu në shpërbërjen e qeverisë.

Vetëm në këtë javë, Thaçi, Haradinaj dhe Veseli, publikuan tri letra të ndara, ku secili paraqet pikëpamjet e veta lidhur me kërkesën e faktorit ndërkombëtar për të hequr taksën ndaj Serbisë, duke sinjalizuar se Prishtina është më e përçarë se kurrë.

Qeveria drejt rrëzimit?

Të enjten Thaçi mblodhi kryeparlamentarin Kadri Veseli, Kryeministrin Ramush Haradinajn dhe dy zëvendëskryeministrat, Behgjet Pacolli dhe Fatmir Limaj për më shumë se dy orë në presidencë. Burime për mediat në Prishtinë konfirmuan se presidenti i bëri të qartë Haradinajt se nëse taksa nuk pezullohet deri më katër shkurt, Kosova rrezikon seriozisht marrëdhëniet me Amerikën. Mediat në Prishtinë thonë se nëse kryeministri vazhdon të bëjë rezistencë , Kosova shkon të hënën në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare , të cilat do të mbahen në një afat kohor brenda 45 ditësh.

Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj dhe Kadri Veseli

Kosova ka marrë tashmë sinjale të qarta nga Uashingtoni se nëse taksa nuk mund të hiqet menjëherë, duhet që minimumi të pezullohet për t’i rihapur rrugën bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës. Sipas burimeve, gjatë takimit me Thaçin në presidencë, Haradinaj ka kërkuar që se taksa do të pezullohet pasi të marrë garanci të fuqishme nga SHBA-të se ndarja apo korrigjimi i kufijve nuk do ta jetë pjesë e bisedimeve me Serbinë. Ai ishte takimi i disatë që Haradinaj dhe Thaçi kanë zhvilluar këtë javë pas presionit të vazhdueshëm të SHBA-së për heqjen e kësaj takse.

Të enjten, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton, telefonoi si presidentin Hashim Thaçi ashtu edhe kryeministrit Edi Rama për t’u siguruar që Prishtina do ecë në rrugën drejt bisedimeve.

Kryeministri Edi Rama njofton nëpërmjet një postimi në Tuiter se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me këshilltarin e presidentit amerikan, Donald Trump. Sipas Ramës në fokus të bisedës ka qenë Shqipëria dhe arritja e një marrëveshje paqeje midis Kosovës dhe Serbisë. Bolton e ka falënderuar Ramën për qëndrimet e vazhdueshme të Shqipërisë.
“Bisedë me Shtëpisë së Bardhë. Në fokus Shqipëria, rajoni dhe objektivi strategjik për një marrëveshje paqeje mes Kosovës e Serbisë, që të mbyllë konfliktin historik. Këshilltari për Sigurinë J.Bolton, më falenderoi në emër të Presidentit për qëndrimet konsekuente të Shqipërisë”, shkruan Rama.

Ndërkohë, Thaçi deklaroi se i kishte konfirmuar zotit Bolton gatishmërinë e Kosovës për arritjen e një marrëveshjeje me Beogradin zyrtar. Përmes një postimi në Tuiter presidenti ka njoftuar që Kosova do të angazhohet 100% në dialogun për marrëveshje gjithëpërfshirëse, me synim integrimin e plotë në NATO, BE dhe OKB.

Ambasadori Amerikan në Kosovë,Philip Kosnett

Por Bolton duket se nuk ka qenë i vetmi që ka telefonuar Thaçin të enjten, pasi presidenti ka biseduar edhe me Ndihmëssekretarin e SHBA-së për Evropën dhe Euroazinë, Wess Mitchell, të cili i ka siguruar po ashtu se “Kosova është e unifikuar dhe plotësisht e vetëdijshme për mundësinë historike për të arritur marrëveshje përfundimtare me Serbinë.”

Në rrezik marrëdhëniet SHBA-Kosovë?

Thaçi dhe Haradinaj zhvilluan po ashtu një takim me Ambasadorin Amerikan në Kosovë, zotin Philip Kosnett, i cili ka kërkuar edhe njëherë pezullimin e kësaj takse. Kosnett ka filluar mandatin e tij në krye të misionit diplomatik amerikan në Kosovë, me një sërë përplasjesh me kryeministrin Haradinaj, pasi ky i fundit ka refuzuar disa herë kërkesën e tij për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe e boshnjake. Megjithatë, Kosnett tha se të enjten se SHBA-ja nuk i ka vënë ndonjë lloj ultimatumi Qeverisë së Kosovës, pavarësisht se raporteve në media thonë se Uashingtoni zyrtar i kishte dhënë 48 orë Haradinajt për tërheqjen e këtij vendimi.

“Ne kemi rezistuar të japim ndonjë ultimatum. Ne nuk duam të diktojmë punën e Qeverisë së Kosovës, por besojmë fuqimisht që pezullimi i përkohshëm i taksës sa më shpejt të jetë e mundur, do të ndihmojë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë”,deklaroi Kosnett.

Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Por, pavarësisht kërkesave të njëpasnjëshme të SHBA-së, kryeministri Ramush Haradinaj, po i reziston fuqimisht pezullimit të tarifës. Ai iu përgjigj Ambasadorit Kosnett duke thënë se është e pakuptimtë që heqja e taksës të vihet si një kusht për vazhdimin e dialogut.

“Unë kam shumë respekt për Ambasadorin Amerikan dhe SHBA-në. Amerika për mua është familja ime edhe kur nuk ndaj mendim të njëjtë me të”, tha Haradinaj. “Nëse ka vullnet të mirë për të ecur përpara në procesin e dialogut, heqja e taksës nuk është e vetmja mënyrë. Nëse dëshirojmë të lehtësojmë dialogun, atëherë të kërkohet vazhdimi i dialogut pa kushte dhe në tavolinë të bisedohet për të gjitha, qoftë edhe për taksën”, theksoi ai.

Lëkundet koalicioni

Por qëndrimi i Haradinajt po lëkund edhe koalicionin qeverisës në Kosovës, pasi edhe PDK-ja dhe udhëheqësi i saj, Kadri Veseli kanë rënë dakort për pezullimin e tarifës. Edhe pse në fillim kryeparlamentari kishte përkrahur partnerin e tij qeverisës, ai ka kërkuar tanimë pezullimin e taksës për 120 ditë.

"Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj”, u shpreh kryetari i kuvendit.


Hashim Thaçi dhe presidenti Donald Trump

Veseli tha se më e rëndësishmja për Kosovën është të ruhet partneriteti me SHBA-në. “Bashkëpunimi strategjik dhe i përhershëm në mes Kosovës dhe SHBA-së është interes jetik, i cili nuk duhet të rrezikohet për asnjë çmim dhe rrethanë”, deklaroi ai.

Ai u ka kërkuar partnerëve të koalicionit aktual qeverisës që të diskutojnë dhe të marrin vendimin e duhur në lidhje me kërkesën e SHBA-së dhe BE-së, duke shprehur shqetësimin se
mungesa e theksuar e bashkërendimit dhe bashkëveprimit institucional mund të çojë në rënien e qeverisë së Kosovës.

Thaçi i shkruan Trumpit

Ndërkohë që Prishtina “vlonte” nga diskutimet, Hashim Thaçi i shkroi një letër Presidentit Donald Tramp, duke e siguruar se Kosova do të bënte pjesën e saj duke iu përgjigjur pozitivisht kërkesës së tij në letrën e dhjetorit.

"Më lejoni t'ju ofroj garancitë e mia personale se si President i Kosovës do të jem i gatshëm dhe i vullnetshëm që të bëj kompromiset e nevojshme për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të balancuar, që do të përfshijë të gjitha çështjet e hapura, duke i dhënë kështu fund konfliktit shekullor me Serbinë”, shkruan Thaçi.

Albin Kurti

Sipas tij, marrëveshja e arritur nuk do të jetë e përkohshme, apo do të çojë drejt një konflikti të ngrirë, por paqeje të përhershme. "Ne po mundohemi të dalim nga ky rreth vicioz dhe të arrijmë një marrëveshje në të cilën të dyja palët e njohin njëra-tjetrën dhe heqin dorë nga konflikti. Kjo nënkupton që Kosova do të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara. Një arritje e tillë historike kërkon angazhim maksimal nga të dyja palët. Unë zotohem se do të kryej pjesën time të punës”, shkruan ai.

Kurti paralajmëron protesta

Haradinaj duket se nuk është vetmi që kundërshton skenarin e ndryshimit të kufijve, pasi edhe Lëvizja Vetëvendosja duket të jenë e të njëjtit mendim.

Kryetari i saj, Albin Kurti, ka paralajmëruar protesta të reja në Kosovë nëse Presidenti Thaçi nuk ndalet nga ideja për prekjen e territorit të Kosovës”. "Qytetarët nuk do të lejojnë asnjëherë që të preket territori i Kosovës dhe të negociohet mbi sovranitetin e vendit”, u shpreh Kurti.

Analistët politikë thonë se përçarja e Kosovës ka bërë që Serbia të fitojë terren dhe të bindë një pjesë të faktorit ndërkombëtar që çështja e Kosovës akoma nuk është zgjidhur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë