Analize

Shqiptarët e humbën shansin historik për të shkuar në balotazhin presidencial në Maqedoninë e Veriut

Shqiptarët e humbën shansin historik për të shkuar në balotazhin presidencial në Maqedoninë e Veriut

Nga Gazeta ‘Si’ - Ende pa mbaruar zyrtarisht procesi i numërimit të votave për raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, kandidati i BDI për president, Bujar Osmani, shpalli fitoren ndaj kandidatit tjetër shqiptar të koalicionit VLEN, Arben Taravari.

Pas festimeve me daulle dhe tupane në Sheshin Skenderbeu në Shkup, në një fjalim përpara mbështetësve, pas numërimit të më shumë se 75% të kutive, Osmani u shpreh i ekzaltuar se fitorja e tij ishte e thellë, me rreth 40 mijë vota më shumë.

Por në fakt, nuk mjafton shumë për të kuptuar që ekzaltimi nuk duhet të rrihte në nivele të tilla pasi “përçarja” e shqiptarëve të cilët shkuan në zgjedhje me dy kandidatë, iu humbi atyre shansin për të arritur një rezultat historik dhe për të shkuar në balotazh për herë të parë.

Sipas rezultateve të KQZ-së, Osmani nga Fronti Europian mori 13.36 për qind të votave, ndërsa Taravari vetëm 9.21 për qind të votave. Tashmë rezultatet e zgjedhjeve në raundin e parë e kanë ravijëzuar trendin se çfarë pritet më tej dhe epilogu i këtyre presidencialeve mbetet i qartë, me VMRO-DPMNE-në e cila duket se do të përmbysë pushtetin pas 2 javësh kur do të mbahen zgjedhejt parlamentare.

Kandidatja opozitare Gordana Siljanovska-Davkova nga VMRO-DPMNE e fitoi bindshëm raundin e parë dhe do të përballet me presidentin aktual, Stevo Pendarovski, në raundin e dytë muajin e ardhshëm.

Ajo fitoi 40.10 për qind të votave, ndërsa Pendarovski nga Lidhja Social Demokrate (LSDM) në pushtet, fitoi 19.93 për qind të votave.

Por, nëse shqiptarët do të kishin shkuar në këto zgjedhje me vetëm një kandidat, votat e tyre të bashkuara që sipas kalkulimeve arrijnë deri në 200 mijë, ose 22.5% do të kishin tejkaluar edhe Pendarovskin.

Nëse do të ketë përmbysje të rezultatit edhe më 8 maj kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, mbetet të shihet, por bazuar në dallimin e thellë të Davkovës, Pendarovskit tashmë i nevojitet mbështetja e dy kandidatëve shqiptarë porse ata, ende nuk e kanë të qartë dhe nuk janë pozicionuar se cilin do të mbështesin. Opozita shqiptare duket që e ka të vështirë të mbështesë Pendarovskin. Por çfarë kalkulimesh do të bëjë Ali Ahmeti?

Bujar Osmani pasi shpalli fitoren ndaj Taravarit

“Ende nuk kemi vendosur. Si koalicion duhet të ulemi dhe të bisedojmë për këtë çështje”, tha Taravari pas renditjes si i katërti dhe i fundit në vota.

Megjithatë, ai ka marrë një mesazh nga kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, i cili e ka uruar për rezultatin e arritur në zgjedhje dhe i ka shprehur gatishmërinë për të biseduar për pjesëmarrjen e opozitës shqiptare në qeverinë e ardhshme pas 8 majit.

Edhe Osmani nuk është pronocuar se cilin nga kandidatët do të mbështesë në raundin e dytë.

Osmani dhe Taravari duke votuar

Ndikimi i papërfillshëm i Albin Kurtit dhe akuzat ndaj tij për përçarjen e shqiptarëve

Humbja e thellë e Arben Taravarit, kandidati që u mbështet nga kryeministri i Kosovës Albin Kurtit, e ashpërsoi më tej retorikën ndaj këtij të fundit i cili që në krye të herës kur u implikua në këto zgjedhje, u kritikua zëshëm për dëmtim të faktorit shqiptar.

I akuzuar nga shumë analistë, njohës të zhvillimeve politike dhe nga opozita në Kosovë se ai po favorizon ndarjen e shqiptarëve, Kurti mbrëmë duket se regjistroi një tjetër disfatë të ambicieve të tij për të qenë “lider i shqiptarëve” në Ballkan. 

Menjëherë pas rezultatit të raundit të parë, opozita në Kosovë ia atribuoi këtë ndarje “kryeministrit populist të Kosovës”.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, tha se: “nga zyra e Kryeministrisë, Kosova, institucionet e Republikës, në vend të përpjekjes për përbashkim, bënë atë që dijnë të bëjnë mirë – të përçajnë e ndajnë! Bënë fushatë, bënë propagandë, ndotën njërin kandidat, për të përfunduar megjithatë në fund me rezultat katastrofal”.

Edhe Ish-amabsadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku deklaroi se Kurti duhet të nxjerrë mësim dhe “se nuk duhet të përzihet aty ku nuk e ka vendin”.

“Mësimi kryesor që duhet ta marrë Kryeministri i Kosovës nga zgjedhjet në Maqedoninë e Veriut, pas ndërhyrjeve të njëpasnjëshme  në Shqipëri, Preshevë, e Mal të Zi, është mos të përzihet aty ku nuk e ka vendin. Mandatin e ka fituar për Kryeministër të Kosovës, jo për sundimtar të shqiptarëve”, shkroi ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë