Futboll

Superliga, lëvizjet dhe tratativat e orëve të fundit në merkato

Janë duke shkuar drejt fundit edhe lëvizjet më të fundit në merkato për klubet shqiptare. Klubet më aktive në këto ditë janë shfaqur, Partizani, Kamza, Teuta dhe Flamurtari.

Partizani ka zyrtarizuar afrimin e Hebaj dhe është duke provuar të sjellë edhe një mesfushorë afrikan që po diskutohet ditët e fundit tek “të kuqtë”. Tek Partizani është folur shumë edhe për një afrim të bujshëm në sulm, ku të dy emrat janë të huaj, por shumë të njohur për kampionatin shqiptar. Bëhet fjalë për Kaleb Ekuban, një “ish” për Partizanin dhe Ali Soue që sezonin e fundit luajti për Skënderbeun.

Teuta me Bledi Shkëmbin në bankinë ka bërë një merkato shumë agresive duke afruar lojtarë për çdo repart dhe tashmë me ndonjë lëvizje e fundit mund të quhet e kompletuar. Talenti i Amir Bilali dhe mbrojtësi me eksperiencë, Ditmar Bicaj janë dy afrimet më të fundit të Teutës në këtë merkato. Bregdetarët presin një afrim edhe në mesfushë dhe do të jenë gati për sezonin e ardhshëm.

Edhe Kamza ka vijuar në këto 4 ditë fundit të marrë lojtarë me eksperiencë. Majkëll Peçi, Sadiku dhe Roloviç janë tre afrimet më të fundit të drejtorit sportiv, Andi Matraxhiu te skuadra kamazalie.

Ndërkohë Flamurtari si çdo vit ka zhvilluar një merkato shumë cilësore dhe me emra të rëndësishëm. Batha, Torasa dhe Kotobelli janë vetëm disa nga futbollistët e afruar nga skuadra vlonjate në këto javë të fundit. Pritet shumë shpejt edhe firma me Elton Kale që më herët ka luajtur me Kukësin dhe me këtë lojtarë skuadra e Ilir Dajës do të jetë e kompletuar.

Sakaq Skënderbeu pas konfirmimeve të disa lojtarëve kryesorë nga viti që shkoi këto ditë të fundit ka qenë më i qetë duke u përqendruar në ndeshjet miqësore. Edhe Tirana të njëjtën politikë është duke ndjekur, por bardhë e blutë presin akoma një sulmues. Në këto dy javë të fundit katër skuadrat që kanë qenë më të qeta në tregun e transferimeve janë Kastrioti, Kukësi, Luftëtari dhe Laci.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë