Merr formë zyrtare operacioni i shumë përfolur i ditëve të fundit në merkato mes Milanit dhe Juventusit. Gonzalo Higuain dhe Matia Kaldara kalojnë te kuqezinjtë, kurse Leonardo Bonuçi rikthehet bardhezi pas një viti. Shtrëngimi i duarve mes palëve, vizitat mjekësore dhe gjithçka gati. Milani merr kështu dy lojtarë shumë të rëndësishëm, një sulmues me përvojë, për të cilin ka vuajtur sezonet e fundit dhe një mbrojtës të fortë, që është edhe një investim për të ardhmen. Marrëveshja mes dy klubeve u bë realitet, pasi u zgjidhën edhe pretendimet e sulmuesit argjentinas në lidhje me rrogën e tij, si dhe për formulën e transferimit, pasi huazimi nuk e bindte atë. Vendimtarë ishin disa takime që u zhvilluan të mërkurën në Milano. Klubi kuqezi i propozoi një kontratë 4-vjeçare, me 7.5 milionë euro në sezon, pa llogaritur bonuset. E njëjta shifër që përfitonte edhe Bonuçi si kuqezi. Ky i fundit është shkëmbyer me Kaldarën, që nuk mundi të shijonte asnjë sezon si bardhezi.
Sapo u mësua lajmi, në radhët e tifozërisë së Milanit shpërtheu entuziazmi për këto dy goditje të bujshme të erës “Leonardo”. “Kemi ardhur këtu, kemi ardhur këtu, për të parë si shënon Higuain”, – ishte kori i tifozëve kuqezinj, të cilët ishin duke pritur Gonzalo Higuain. Entuziazëm i ligjshëm në kampin e Milanit, duke qenë se një lojtar i këtij kalibri mungonte prej kohësh. “Jam i lumtur për këtë aventurë të re. Një përshëndetje për të gjithë tifozët, edhe ata të Juventusit, që më kanë mbështetur shumë. Deri ku mund të shkojë Milani? Sa më larg të jetë e mundur. Kam folur me Gatuzon”, – tha sulmuesi i ri i Milanit.
Gonzalo Higuain kalon te Milani në formë huazimi për 18 milionë euro, me të drejtën e blerjes pas një viti për 36 milionë euro. Kaldara dhe Bonuçi shkëmbehen mes tyre “kokë për kokë”. Kartoni i Kaldarës tashmë i përket Milanit dhe kartoni i Bonuçit i përket Juventusit. Vlera e secilit lojtar është përcaktuar në shifrën e 40 milionë eurove, edhe pse në fakt për Kaldarën nuk janë përmendur shifra.
Nga USA, ka komentuar shkëmbimin e bujshëm edhe trajneri i Juventusit, Masimiliano Alegri: “Bonuçi kthehet në skuadër pas një viti. Është një lojtar i rëndësishëm për Juventusin dhe sigurisht që ai nuk ka ndryshuar për kaq pak kohë. Higuainin e falënderoj, sepse ka dhënë gjithçka për dy vitet që ka luajtur me Juventusin. Milani me siguri ka marrë një sulmues të madh. Më vjen keq për Kaldarën, por merkatoja na detyroi që ta largonim. Bashkë me Romanjolin dhe Ruganin përbëjnë një treshe mbrojtësish mjaft të fortë në Itali”, – tha trajneri i skuadrës bardhezi për lëvizjet e fundit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.