Nuk është vetëm finalja e madhe e futbollit amerikan. Ka disa arsye pse 1/3-a e Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të ngulen para televizorit për të parë këtë ndeshje. Edhe në botë ndjekësit e këtij sporti po shtohen kohët e fundit.
Të dielën, më 7 shkurt, Shtetet e Bashkuara do të ndalen. Jo për një “blackout”, as për pandeminë dhe as për ndonjë grevë, por siç ndodh prej 55 vitesh, do të ndalen për të ndjekur “The Big American Party”. Ata nuk duan ta humbin aktin e fundit të kampionatit të futbollit me topin oval. Rreth 110 milionë njerëz do të ndjekin në televizor të paktën një pjesë të ndeshjes së madhe dhe kjo do të thotë 1/3-a e vendit.

Ju japim 10 arsye pse Super Bowl është shndërruar në vitet ’90 një event ikonik, jo vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës:
1- Para së gjithash, është ndeshja. Ka një pathos që nuk ekziston në tre sportet e tjera kryesore amerikane. Kjo është e vetmja finale që vendos titullin kampion me një ndeshje teke. Bejsbolli, basketbolli dhe hokeji e zgjedhin skuadrën kampione pas një serie ndeshjesh, të paktën 7.
2- Duke mbetur te ndeshja, këtë vit Super Bowl ofron një menù të jashtëzakonshme. Ndeshen Kansas Siti Çifs, kampionët në fuqi, dhe Tampa Bai. Kampionët kanë një rekord, (14-2) nga sezoni i rregullt, kurse sfidantët udhëhiqen nga një prej fituesve më të mëdhenj të historisë, Tom Bredi. Bastexhinjtë shohin si favorit të lehtë Kansas Sitin, por mendohet të jetë një ndeshje e luftuar.

3- Kjo ndeshje do të jetë edhe një përballje mes dy gjeneratave të regjisorëve të kësaj loje. Do të jetë finalja e 10-të për Bradin (një rekord i tij), tashmë një legjendë mbi çatinë e këtij sporti, me mundësinë që në moshën 43-vjeçare (bashkëmoshatarët e tij kanë dale në pension) të fitojë trofeun për herë të 7-të (tjetër rekord). Rivali i tij është 25-vjeçari Patrik Mahomes, që ka fituar sezonin e shkuar dhe është i destinuar të zëvendësojë Bredin në zemrën e tifozëve të këtij sporti.
4- Super Bowl, me audiencën e tij oqeanike (111 milionë mesatarisht) është spektakli më i ndjekur në historisë e televizionit amerikan. Në “top 30” të të gjitha kohërave janë 29 finale të SB. I vetmi event që hyn në këtë listë është vendi i 9-të, që është episodi final i M.A.S.H. në 1983-shin, me 106 milionë ndjekës.

5- I pakrahasueshëme dhe për karuselin e publicitetit, i ideuar dhe realizuar nga skenografët dhe agjencitë e marketingut. Është një nga motivet, jashtë ndeshjes, për të cilin shumë persona fiksohen gjithmonë te SB. Gjithmonë origjinalë, të shkëlqyer dhe zbavitës. Radha është e madhe për të siguruar një spot 30-sekondësh që do të transmetohet gjatë më shumë se 4 orësh lidhje direkte, duke arkëtuar shifra rekord.
6- Një pjesë e mirë e publikut do të qëndrojë para televizorit edhe gjatë pushimit, sepse në këtë moment do të përformojnë këngëtarë të famshëm. Gjatë kalimit të viteve është bërë një nga momentet më të ndjekur. Vitet e para performonin banda muzikore, kurse pas 1993-shit organizatorët bindën që të ngjiteshin në skenë emra si Majkëll Xhekson, Brus Springstin, Rolling Stons, Pol MekKartni, Princ, Madona dhe Ledi Gaga. Këtë vit është radha e një tjetër idhulli të gjeneratës së re: “The Uieknd”.
7- Një tjetër moment piku është himni kombëtar, që ekzekutohet para çdo aktiviteti sportiv. Gjatë viteve janë kërkuar këngëtarë me zë të fortë, nga Billi Xhol, te Bionse, Ledi Gaga dhe Alishia Keis e Kristina Aguilera. Këtë vit do ta këndojnë himnin Xhazmin Sulivan dhe Erik Çërç.

8- Këtë edicion ka edhe dy risi, dy fakte historike. Është hera e parë që do të jetë një arbitre femër, Sarah Tomas. Dhe për herë të parë një nga skuadrat do të luajë në shtëpi. Janë “Buccaneers”, që do të provojnë të fitojnë në stadiumin e tyre “Tampa Raymond James Stadium”.
9- Super Bowl është një çmenduri për biznesin. Është justifikimi për të organizuar parti dhe për t’u mbledhur në lokale në këtë moment çorientimi social për vendin. Në vitin 2017, ditën e finales janë shpenzuar për ushqimin dhe pijet rreth 15 miliardë dollarë.
10- Përtej ndeshjes, Super Bowl është një event kombëtar popullor, që shpesh ka habitur edhe sociologët dhe shkencëtarët. Për të kuptuar rëndësinë mjafton të përmendet thënia e disa viteve më parë nga pastori protestant Norman Vincent Peale, autori i best-seller-it “The Power of Positive”. Ai u shpreh: “Nëse Jezui sot do të ishte mes nesh, do të shkonte të shihte Super Bowl”.
Përgatiti: Fatjon Rupi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.