Para

Subvencionet e qeverisë prekin vetëm 18% të familjeve në fshat

Nga Gazeta 'SI' - Skema e re e mbështetjes së fermerëve do të ndihmojë vetëm 5% të popullsisë rurale, ose 18% të familjeve në fshat.

Një ditë më parë, ministrja e Bujqësisë Anila Denaj, tha se do të mbështeten 70 mijë fermerë me skemën e re, që përkthehet në 4.7% të popullsisë rurale. Ndonëse shifrat nuk janë të përditësuara (2014), tregojnë se mbi 1.4 mln banorë jetojnë në fshatrat e Shqipërisë.

As për familjet që merren me bujqësi nuk ka një shifër absolute, por rezulton se në zonat rurale jetojnë mbi 378 familje dhe një e tillë ka mesatarisht 3.7 persona, thotë Instat. Nëse të paktën një person për çdo familje fshati është përfitues i skemës, sipas përllogaritjes rezulton se 82% e familjeve përsëri nuk marrin asnjë ndihmë.

Bujqësia përbën rreth 20% të PBB-së së vendit, por fermerëve u dedikohet më pak se 0.5% e buxhetit vjetor. Ministrja Denaj nuk përmendi shifra, por sipas buxhetit 2024, për fermerët janë ndarë vetëm 3.3 mld lekë, gjysma e buxhetit 2023. Është e paqartë se si do të zgjerohet numri i përfituesve kur ka më pak fonde se një vit më parë.

Ministria argumenton se mbështetja jepet vetëm për fermerët e formalizuar e të pajisur me NIPT. Por as kjo nuk do të ndihmonte fermerët. Pjesa përfituese janë kryesisht fermat e mëdha që përmbushin dhe kriteret e vendosura nga MBZHR. Pra, çdo fermer që mbjell më pak se 4 hektarë tokë në vit është i përjashtuar nga subvencioni. Çdo blegtor që ka më pak se 10 lopë apo më pak se 100 dele/dhi nuk përfiton asnjë ndihmë shtetërore.

Edhe Banka Botërore tregoi se Shqipëria është vendi që i ndihmon më pak fermerët e vet. BB thekson se Shqipëria financoi mesatarisht me 0.19% të PBB sektorin bujqësor gjatë viteve 2020-2021 ndërkohë që vendet e BE-së financuan bujqësinë me 0.35% të PBB-së ndërsa Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Kosova financuan përkatësisht me 0.35% ; 0.56% dhe 0.68%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë