Menaxhim

Aplikimet më 27 mars, Denaj: Fermerët e bashkuar do të marrin më shumë fonde. Hiqen tavanet

Nga Gazeta 'SI' - Ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj ka treguar se skema e re e fermerëve, do të eleminojë tavanet limit dhe do të rrisë financimet për fermerët e bashkuar.

Ministrja shpjegoi se nëse 4 anëtarë janë bashkë me një sipërfaqe toke 1 hektar ata marrin secili prej tyre në llogari të veçantë masën e financimit në nivelin maksimal.

“Ky bashkim operatorësh nuk nënkupton bashkim pronash, por bashkim interesash dhe prodhimi, sepse vetëm kështu ne mund të rrisim shkallë, të rrisim automatizim të produktit dhe mbi të gjitha të synojmë të njëjtin treg”, tha ministrja Denaj.

Ajo vazhdoi të sqaroi se do të jepet 50% e financimit të çdo mase për çdo krerë bagëti mbi 300.

Ministrja e Bujqësisë Denaj pohoi se edhe këtë vit do të vijohet me skemën e naftës e subvencionimit të naftës pa akcizë, që sivjet rimbursimi do të shpërndahet direkt në llogaritë e fermerëve.

“Nafta është një komponent shumë i rëndësishëm i Skemës Kombëtare, e thënë ndryshe subvencioni i drejtpërdrejtë që fermerët marrin prej tre vitesh. Këtë vit vendosëm që falë edhe kërkesave të shumë aplikuesve të largonim burokracitë, kohën e tepërt dhe ta rimbursojmë atë drejtpërdrejtë në llogari. Kjo do të realizohet gjatë gjithë vitit duke synuar edhe formalizim më të lartë të fermerëve në këtë Skemë”, tha ministrja Denaj.

Sipas saj aplikimet fillojnë më 27 Mars dhe deri atëherë zyra e bujqësisë janë në dispozicion të plotë të çdo pyetjeje, të çdo sqarimi për aplikuesit.

Vjet ministrja Denaj tha se nga skema e subvencioneve përfituan 65,000 fermerë, ndërsa këtë vit synohet të tejkalohet 70,000 përfitues apo 77% të gjithë fermerëve të regjistruar në Shqipëri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë