Ngjarje

Studimi: Të rinjtë dhe politika, një marrëdhënie në krizë

Indiferentë dhe të zhgënjyer ndaj politikës, por njëkohësisht kërkojnë prej saj. Kjo qasje është treguar edhe në studimin më të fundit të organizatës Qëndresa Qytetare, ku nga të dhënat rezulton ndërkohë se pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë, rreth 71.1% e tyre, po planifikojnë si të emigrojnë.
Pjesa më e madhe e tyre rreth 55 për qind, dëshirojnë të largohen për një sërë arsyesh siç janë pamundësia ekomomike, mungesa e punësimit dhe arsimi i dobët, ndërsa për pjesën tjetër një faktor, rreth 37 përqind, kanë cilësuar se arsyet kryesore të largimit janë korrupsioni dhe kriminaliteti.
Duke folur për anketën e tyre të fundit, Rigels Xhemollari, drejtori ekzekutiv i "Qëndresës Qytetare", tha për Gazetën "Si", se përveç anketës organizata ka zhvilluar edhe 6 takime të fokusuara me të rinjtë në 6 qarqe, për t'i pyetur për arsyet dhe qëndrimet e tyre.

Për sociologun Ergys Mërtiri studimi tregon se të rinjtë shqiptarë shfaqin një sërë problemesh të cilat ofrojnë një panoramë jo fort optimiste. Ai ka thënë për Gazetën “Si” se studime të mëparshme dhe ky studim tregojnë se kemi të bëjmë me një brez që ka humbur dëshirën për të jetuar në vendin e vet, duke shfaqur vendosmëri për t’u larguar, kryesisht në vendet e BE-së. Vetë vështirësitë, mungesa e kushteve, mungesa e një perspektive mbi të ardhmen, si dhe shumë mungesa e mundësive për të realizuar shumë nga nevojat elementare, i shtyn të rinjtë ta projektojnë jashtë Shqipërisë të ardhmen e tyre.
Studimi u realizua me anë të një pyetësori drejtuar të rinjve në 61 bashkitë e vendit. Për sa u përket pyetjeve për bindjet politike dhe preferencat partiake, shumica e të rinjve duken të tërhequr nga partitë politike dhe një numër i paktë beson tek ato, rreth 17 përqind. Përkundrazi, pjesa më e madhe e tyre shprehen të pakënaqur për situatën aktuale politike ne vend.

“Shumica e të rinjve e projektojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit. Ata shprehen se ne Shqipëri mundësitë e tyre janë të limituara dhe të cenuara nga mungesa e konkurrencës së lire dhe meritokracise. Ne kemi të bëjmë me një rini ne ikje, me një rini që është dorëzuar në luftën mes brezave pasi ka me shume besim tek politikanet e vjetër dhe një rini tek e cila nuk e shohim dot, drite shprese për drejtimin e vendit vitet ne vijim,” shtoi më tej Xhemollari
Sociologu Gëzim Tushi shprehet se sondazhi i lidhur me raportet që kanë të rinjtë me politikën në Shqipëri, në thelb tregon për një lloj krize ekzistenciale në raport me të rinjtë tanë me politikën. Sipas Tushit kjo parashtrohet në dy anë. Nga njëra anë ka problemin e një lloj skarciteti që ka politika shqiptare, një problematike që është bërë e pakëndshme për të rinjtë , të cilët kanë pritshmëritë e tyre. Ai shpjegon se cilido pret nga politika për të zgjidhur problemet që ka rinia dhe jeta shoqërore, ekonomike dhe politike në vendin tonë.
“Nga ana tjetër natyrisht ka të bëjë me një lloj krize të brendshme të politikës shqiptare e cila në këto vite ka jo vetëm një krizë të thuash ideologjike, por edhe një krizë e lidershipit të saj. Në një farë mënyre të rinjtë e sotshëm nuk janë të kënaqur nga projektet dhe programet, më saktë nga zbatimi i programeve të partive politike kur janë në pushtet, që ka të bëjë me cdo hapë të jetës, zhvillimin, arsimin, tregun e punës dhe një varg problemesh të tjera që kanë të bëjnë me cilësinë e jetës,” shprehet sociologu.

Të dhënat treguan gjithashtu se rreth 70% e të rinjve shqiptarë mendojnë se rinia duhet të merret me politikë, por vetëm 32% e tyre duan të bëhen pjesë aktive e politikës. 62% e të rinjve e shohin angazhimin në parti si prestigj. Sipas Mërtirit, edhe vetë të të rinjtë shfaqin probleme të shumta. Ata vetë duken të papredispozuar të punojnë e derdhin djersë për të krijuar një të ardhme të mirë dhe shumica e tyre as që e ka të qartë se çfarë pritshmërishë duhet të kenë ndaj saj. Shumë prej të rinjve priren të emigrojnë por pa u përpjekur të përvetësojnë asnjë aftësi për t’i ndihmuar të çajnë në në jetë të re në emigrim. Ata e mendojnë emigracionin vetëm si varkë shpëtimi, pa asnjë ide të qartë sesi do ta ndërtojnë të ardhmen e tyre atje. Duke vijuar në spektrin politik, rreth 76 përqind e të rinjve nuk kanë kontaktuar asnjëherë me përfaqësuesin që kanë zgjedhur, ndërsa 39 për qind as që e njohin deputetin e zonës. Ndërsa, për sa i përket punësimit 70% e të rinjve janë shprehur se do të zgjidhnin vetëpunësimin ose sektorin privat si mundësi pune dhe vetëm 30% e tyre, dëshirojnë të punojnë në administratën publike.

“Natyrisht nuk ka asgjë të keqe të pëlqesh politikën sepse në fund të fundit inkuadrimi i të rinjve në politikë është një shpresë për të rinovuar klasën politike dhe për të ndryshuar elitat e ndryshkura të këtij vendi dhe duke shpresuar që të rinjtë do të sjellin një model të ri, një vizion të ri të të bërit politikë, por ajo që vihet re është se ata nuk kanë integritetin e tyre personal dhe në një farë mënyre kthehen në varsial të lidërve politikë, në një farë mënyre ndjehet një lloj konformizmi, në vend që të rinjtë në politikë të sjellin një frymë kontestatore, duke sjellë ide ë reja, duke sfiduar idetë e mykura, të elementëve të caktuar të klasës politike,” shprehet Tushi.

Sipas sondazhit, 53% e të rinjtë informohen mbi politikën nga rrjetet sociale. Gjysma e tyre përdorin instagram dhe facebook për t’u informuar. Lidhur me këtë, Mërtiri shton se nuk reflektojnë asgjë më shumë sesa klishetë e përgjithshme të servirura mediatikisht për sa i përket politikës.
“Vetë mosnjohja e deputetit të zonës dhe fakti që informohen masivisht në Facebook e Instagran, burime tepër të dobëta informimi, tregon se interesimi për të njohur është zero, ndërsa prirja për të gjykuar është e menjëhershme. Gjithashtu, ata kërkojnë që të rinjtë të gjejnë më shumë terren në politikë, ndërsa shfaqin se modelet e tyre janë ato të figurave më të vjetra të skenës politike shqiptare. Kjo tregon se përfshirja e tyre në politikë nuk pritet të ndryshojë kulturën e të bërit politikë, madje përkundrazi, përforcon modelet ekzistuese,” shprehet ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë