Drejtësia

Gjyqi për ARRSH, SPAK kërkon 10 vite burg për Evis Berberin. Nga 1 vit për Gjylin dhe Elezin

Gazeta Si – SPAK ka kërkuar 50 vite e 6 muaj burg për disa ish-drejtues të institucioneve publike, përfshirë ARRSH-në, me të pandehur kryesor ish-kreun e Autoritetet Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë Ministrisë së Infrastrukturës në kohën kur drejtohej nga Belinda Balluku.

Bëhet fjalë për një dosje që lidhet me shkelje të barazisë në tendera dhe procedura prokurimi, por sipas pretencës, duket se të pandehurit do të vuajnë shumë më pak vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar apo pezullimit të dënimeve me shërbim prove.

Nëse GJKKO do të pranonte 100% pretencën e SPAK në vendimin përfundimtar, atëherë vetëm 3 të pandehur nga 21 gjithsej, do të vuanin burg.

Në qendër të çështjes, janë ish-drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi dhe ish-drejtori tjetër i këtij institucioni, Gentian Gjyli.

Për Berberin, SPAK kërkon dënim me 10 vite burg, për disa akuza që përfshijnë pesë episode të shkeljes së barazisë në tendera, 6 raste korrupsioni pasiv dhe një episod pastrimi parash.

Me uljen e një të tretës për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi përfundimtar zbret në rreth 6.8 vite burg. Po ashtu, kërkohet konfiskimi i shumave të parave të sekuestruara në banesën e Berberit.

Evis Berberi është nën hetim që prej marsit 2024, kohë kur edhe u arrestua dhe nëse do t’i llogariten edhe afatet e paraburgimit, atëherë dënimi i tij do të ulej edhe më shumë.

Për Gjylin, SPAK kërkon 1.6 vite burg për dy episode të shkeljes së barazisë në tendera, si dhe ndalim për të ushtruar funksione publike për një periudhë 5-vjeçare.

Në të njëjtën dosje përfshihet edhe ish-drejtori i KESH-it, Erald Elezi, për të cilin është kërkuar 1.6 vite burg për shkelje të barazisë në tendera.

Me uljen për gjykim të shkurtuar, dënimi reduktohet, ndërsa kërkohet edhe heqja e të drejtës për funksione publike për 5 vite.

Gjyli dhe Elezi së bashku me Evis Berberin janë të vetmit për të cilët nuk është kërkuar pezullim dënimi, pasi siç duket SPAK ka mbajtur parasysh edhe përfshirjen e të treve në dosjen e bujshme të ish zv. kryeministres Balluku. Të tre të pandehur dhe me masë sigurie për tunelin e Logarasë dhe të dyshuar për tendera të tjerë. 

SPAK ka hetuar mbi 8 procedura tenderimi dhe në 6 prej tyre ka rezultuar se Berberi, është korruptuar nga 3 biznesmenët, Valter Begaj, Brunilda Buli e Ervis Lami, të bashkëpandehur me të, në vlerën e mbi 77 milionë lekëve.

Dosja përbëhet nga rreth 520 faqe dhe përfshin dhjetëra persona, zyrtarë dhe përfaqësues biznesi. Sipas akuzës, në këtë çështje rezulton bashkëpunim mes disa personave, mes tyre Ervis Lami dhe Brunilda Buli, si dhe përfshirje e subjekteve juridike “Net Group” dhe “DAAM”.

Por sipas SPAK, Lami dhe Buli kanë bashkëpunuar në fazën paraprake me drejtësinë dhe për ta kërkoi nga 7 vite e 6 muaj burg dhe në përfundim pezullimin e dënimit.

Në listën e të pandehurve janë edhe shumë emra të tjerë, për të cilët kërkohen dënime nga 1 vit deri në 2 vite burg, në disa raste të shoqëruara me akuza për falsifikim dokumentesh apo shpërdorim detyre.

Për pjesën më të madhe kërkohet pezullim i dënimit me shërbim prove ose punë në interes publik, si dhe ndalim i ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 3-vjeçare.

PRETENCA E SPAK:

Evis Berberi – Shkelje të barazisë në tendera kryer në bashkëpunim, korrupsion pasiv në disa raste, pastrim parash – 10 vite burg. Ulje 1/3. Dënim plotësues, mosushtrim i funksioneve publike për 5 vjet.

Erald Elezi – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Të hiqet e drejta për 3 vjet për funksione publike.

Gentjan Gjyli – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. T’i hiqet e drejta për funksione publike për 3 vjet.

Adela Kica – shkelje e barazisë në tendera – 1 vit burg. Përfiton ulje dënimi në 1/3. SPAK kërkon pezullim të dënimit, ushtrim pune me interes publik si dhe t’i hiqet e drejta për ushtrimin e funksioneve publike për 3 vjet.

Adja Strazimiri – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. . Përfiton ulje dënimi në 1/3. SPAK kërkon pezullim të dënimit dhe punë me interes publik. Po ashtu, t’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vjet.

Adrian Kroi – Korrupsion, shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Të pezullohet dënimi dhe të vihet në shërbim prove për 4 vjet. T’i hiqet e drejta për funksione publike për 3 vjet.

Altin Llazi Marko – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit burg. Ulje dënimi 1/3. Pezulim dënimi dhe shërbim prove për 4 vjet. Mosushtrim funksionesh publike për 3 vjet.

Artan Leskoviku – 1 vit burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim të dënimit dhe shërbim prove për 43 vjet. Mosushtrim funksionesh publike për 3 vjet.

Bledar Aliaj – Shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe shërbim prove për 4 vjet. T’i hiqet e drejta për të ushtruar funksione publike për 3 vjet.

Blerta Musabelli – Shkelje të barazisë në tendera, shpërdorim detyre, falsifikim më shumë se njëherë – 2 vite burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe punë me interes publik. Heqje e të drejtës për të ushtruar funksione publike për 3 vjet.

Brunilda Luli – Korrupsion aktiv në bashkëpunim, pastrim parash – 7 vite e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dhe shërbim prove për 4 vjet.

Denis Xhoxhi – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe punë me interes publik. Heqje e së drejtës për të ushtruar funksione publike për 3 vjet.

Ela Goxhaj – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dhe orë pune 150 orë. T’i hiqet e drejta për funksione publike për 3 vjet.

Ervis Lami – Korrupsion aktiv, pastrim parash – 7 vite e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe shërbim prove për 4 vjet.

Genti Raça – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe shërbim prove. Jo funksione publike për 3 vjet.

Gëzim Noni – Shkelje të barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dënimi dhe shërbim prove për 4 vjet. T’i hiqet e drejta për funksione publike për 3 vjet.

Jetmira Dervishi – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje 1/3. Pezullim dënimi dhe punë me interes publik. T’i hiqet e drejta për 3 vjet për ushtrim funksionesh publike.

Kamelia Tafaj – falsifikim, shpërdorim detyre – 12 vite burg. Ulje dënimi. Pezullim dhe punë me interes publike. T’i hiqet e drejta për funksione publike për 3 vjet.

Orjon Islamaj – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit burg. Ulje dënimi. Pezullim dhe shërbim prove për 4 vjet. Mosushtrim funksionesh publike për 3 vjet.

Shkëlqim Lusha – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullim dhe shërbim prove për 4 vjet. Mosushtrim funksionesh publike për 3 vjet.

Valbona Pepa – Shkelje e barazisë në tendera – 1 vit e 6 muaj burg. Ulje dënimi 1/3. Pezullohet dhe punë me interes publik. Të mos ushtrojë funksione publike për 3 vjet.

Valter Begaj – Me gjykim të zakonshëm. T’i konsfiskohen pasuritë që i janë sekuestruar. 15 mijë euro, 35 mijë paund, dhe mbi 1 milionë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë