Shendet

Studimi: Personat me grup gjaku A më të ndjeshëm ndaj Covid-19

Rezultatet paraprake të një studimi të shkencëtarëve kinezë mbi pacientët e prekur nga koronavirusi i ri në Uhan kanë dalë në përfundimin se njerëzit me grupin e gjaku A janë më të rrezikuar prej këtij virusi, ndërsa njerëzit me grupin e gjaku 0 më rezistentët.

Studimi është kryer me pacientët e shtruar në dy spitale të Uhanit, ku shpërtheu pandemia dhe në një spital në Shenzhen po të Kinës. Shkencëtarët mori dhe analizoi grupet e gjakut të 2173 pacientëve të konfirmuar pozitivë me koronavirusin e ri.

“Në total 1775 pacientë me COVID-19, përfshirë 206 që ndërruan jetë nga spitali Jinyintan në Uhan ishin pjesë e studimit. Po ashtu, 113 dhe 285 pacientë të tjerë me koronavirusin e ri u testuan nga Spitali Renmin i Uhanit dhe Shenzhenit po në Kinë”, thuhet në studim.

Për të krijuar një pasqyrim për shpërndarjen e grupeve të gjakut në popullsi studiuesit analizuan 3694 persona të shëndetshëm në Uhan, nga ku 32.16 për qind rezultuan me grup gjaku AB, 24.9 për qind me grup gjaku B, 9.10 për qind me grup gjaku 0 dhe 33.84 për qind me grup gjaku A.

Pra, studiuesit arritën në përfundimin se grupi i gjakut A është më i përhapur tek njerëzit në Uhan, ndërsa grupi i gjakut 0 më pak i përhapur. Këto të dhëna u krahasuan me të dhënat e përftuara nga analizat e të infektuarve.

Sipas studimit, 41.26 për qind e 206 personave që vdiqën nga virusi ishin të grup-gjakut A dhe rreth 25 për qind me grup gjaku 0.

Studimi citon se përqindja e përsonave të grupit A të infektuar, krahasuar me numrin total të përqindjes që ky grup gjakun zë në popullatë ishte shumë herë më e lartë se përqindja e të infektuarve me grup tjetër gjaku, ndërsa personat me grup gjaku 0, si të infektuar, ashtu edhe të vdekur ishte shumë herë më e ulët.

“Personat me grupin e gjakut A mund të kërkojnë vëmendje të veçantë për mbrojtjen personale për të reduktuar mundësitë e infektimit”, thotë New York Post duke cituar rezultatet e këtij studimi.

“Megjithatë, nuk ka nevojë për panik. Kjo nuk do të thotë se do të infektohen 100 për qind personat me grup gjaku A dhe nuk do të thotë gjithashtu që nëse je grup gjaku 0 je absolutisht i sigurtë. Sërish duhet të lani duart dhe të ndiqni udhëzimet e autoriteteve”, thotë Gao Yingdai, njëri prej autorëve të studimit në fjalë.

Ndërkohë, udhëheqësi i stuimit, Wang Xinghuan thotë se rezultatet janë paraprake dhe më shumë punë kërkimore nevojitet në këtë drejtim, para se të dilet në një përfundim konkret shkencor.

Në mbarë botën numri i të prekurve nga koronavirusi ka arritur në rreth 196 mijë dhe rreth 7800 persona kanë gjetur vdekjen.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë