Shkencë

Australianët zbulojnë si e lufton sistemi ynë imunitar Covid-19

Shkencëtarët australianë deklarojnë se kanë identifikuar mënyrën sesi i përgjigjet sistemi imunitar koronavirusit të ri. Puna e tyre, e publikuar këtë të martë në revistën “Nature Medicine” tregon se organizmi i njeriut e lufton virusin e ri sikur të ishte një grip normal.

Ekspertët thonë se përcaktimi i qelizave që sistem imunitar prodhon pas infektimit me koronavirus do të ishte një ndihmë më shumë se e vyer për të ndërtuar një kurë efikase ndaj Covid-19.

Aktualisht, në rang global raportohen mbi 160 mijë të infektuar nga virusi i ri korona dhe rreth 6500 të vdekur.

“Zbulimi ka një rëndësi të madhe sepse për herë të parë jemi në gjendje që të kuptojmë sesi sistemi ynë imun sillet e kundërpërgjigjet ndaj koronavirusit të ri”, deklaroi për BBC, bashkëautorja e studimit, Katherina Kedzierska.

Zbulimi mban vulën e Institutit “Peter Doherty” në Melburne dhe ai është mirëpritur nga komuniteti i shkencëtarëve që është angazhuar në zbulimin e një vaksine ndaj Covid-19.

Çfarë u zbulua?

Pjesa më e madhe e atyre që janë infektuar me koronavirusin e ri janë shëruar. Kjo do të thotë, shpjegojnë shkencëtarët australianë, që sistemi ynë imun është në gjendje që ta luftojë këtë armik. Por, për herë të parë studiuesit zbuluan katër lloje qelizash imune që trupi prodhonte për të luftuar Covid-19.

Qelizat u vëzhguan tek një pacient me simptoma të lehta dhe mesatare dhe që nuk kishte patur më përpara probleme të tjera shëndëtësore. Pacienti ishte një grua 47-vjeçare nga Uhani i Kinës, që ishte shtruar në një spital australian, ku u shërua pas 14 ditësh.

Katherina Kedzierska tha për BBC se ekipi i saj kishte ekzaminuar në detaje të gjithë reagimin dhe kundërpërgjigjen e sistemit imun në këtë rast.

Ajo që ishte vënë re është se tre ditë para se pacientja në fjalë të përmirësohej, qeliza specifike u zbuluan në gjakun e saj. Profesorja Kedzierska sqaron se të njëjtat qeliza shfaqen edhe tek personat që vuajnë nga një grip i thjeshtë, po në harkun kohor të 2-3 ditëve para se të përmirësohen.

Afati 3-ditor është periudha kohore që u është nevojitur këtyre qelizave që të pastrojnë fillimisht mushkëritë dhe më pas pjesën tjetër të trupit nga koronavirusi i ri.

“Jemi shumë të lumtur me rezultatin që përftuam dhe faktin që arritëm të kapim sistemin imun në gjendje emergjence, para se pacienti i infektuar të përmirësohej”, thotë Kedzierska.

Në studimin në fjalë morën pjesë 13 mjekë, që kanë punuar 24 orë në 24 për të dalë në këtë përfundim.

Si ndihmon?

Profesor Bruce Thompson nga Universiteti Swinburne thotë se identifikimi i qelizave imune që reagojnë dhe përcaktimi i periudhës kohore se kur ato vihen nën veprim marrin një rëndësi të madhe për të parashikuar gjendjen e pacientit, por mbi të gjitha për të adresuar një kurë që do të ndihmonte pacientët kundër virusit.

“Kur je në dijeni të kohës se kur ndodh një X kundërpërgjigje e sistemit imun, mund të parashikohet se në çfarë faze është virusi dhe shërimi i pacientit”, thotë Thomspon për BBC.

Ministri australian i Shëndetësisë mendon se zbulimi në fjalë është një hap gjigant për gjetjen e një kure dhe trajtimi për pacientët. Hapi tjetër duket se është zbulimi se përse tek disa pacientë kundërpërgjigja e sistemit imun është më e dobët se tek të tjerët.

“Ka shumë rëndësi që të kuptojmë se çfarë nuk shkon, apo çfarë është ndryshe tek pacientët që kanë vdekur, ose që e kanë kaluar në fazë të rëndë sëmundjen, në mënyrë që ne të kuptojmë sesi mund t’i mbrojmë”, thotë Kedzierska.

Instituti “Peter Doherty” ishte i pari në botë që riprodhoi koronavirusin e ri në kushte laboratorike jashtë Kinës. Që prej asaj kohe, fondet për punën kërkimore të grupit të shkencëtarëve të këtij instituti janë rritur ndjeshëm nga qeveria australiane dhe nga shumë biznesmenë, përfshirë këtu edhe miliarderin kinez, Jack Ma.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë