Lajme

Studimi i fizibilitetit, Thumanë-Kashar 50% më i lirë se koncesioni

Studimi i fizibilitetit për Thuman-Kashar në përfundim të tij ka rezultuar se kostoja e segmentit është 169 milionë euro ose gati 50% më lirë se koncesioni i fituar dhe i anuluar pak muaj më parë me vlerë 330 mln euro.

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në “Raportin e monitorimit të strategjisë së zhvillimit të transportit për vitin 2016-2020” ka bërë të ditur përfundimin e studimit të fizibilitetit dhe projektin teknik.

Autostrada Adriatiko-Joniane ishte projekti i vetëm i infrastrukturës rrugore shqiptare që ka marrë financime nga Bashkimi Europian nëpërmjet Nismës së Berlinit, ku në plot gjashtë samite, Shqipëria është kthyer duarbosh.
Këshilli Teknik i Autoritetit Rrugor Shqiptar do të miratonte në muajin prill gjurmën definitive të korridorit Adriatiko-Jonian, duke i hapur rrugë financimit të përgatitjes së projektit përfundimtar.

Studimi I azhornimit me projektet është financuar nga Fondi i Përbashkët Europian për Ballkanin Perëndimor dhe është kryer vetëm për segmentin rrugor Mal i Zi – Shqipëri. Kuadri i investimeve të Ballkanit Perëndimor është një iniciativë e përbashkët e Bashkimit Europian, Insitucioneve Financiare Ndërkombëtare, dhuruesve dypalësh dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor.

Në Shqipëri do të kalojnë 300 kilometra të autostradës së kategorisë A, e përshtatur me standardet e Bashkimit Europian. Pikënisja e saj do të jetë Murriqani, duke vazhduar për hapjen e një traseje të re deri në Bushat e më pas në Lezhë. Nga Miloti deri në Balldren, qeveria ka dhënë një pjesë të ndërtimit të korridorit në partneritet me privatin. Autostrada do të lidhet më pas me Thumanën, Kasharin, Rrogozhinën, Fierin, Levanin dhe by pass-in e Gjirokastrës. Për këtë segement ka nisur dhe puna për të ndërtuar projektin.
Fatura në total për 300 kilometrat shqiptare kap shifrën e 2.2 miliardë Eurove.

Segmenti i fundit, që është Levan – Poçem – Memaliaj, mendohet që të fillojë në vitin 2028. Këtu autoritetet vlerësojnë dhe vëshitrësitë më të mëdha teknike për shkak të rrëshqitjeve në rrugë.

Kontratat për ndërtimin me PPP për dy akse të autostradës, Milot – Balldren dhe Thumanë – Kashar u dhanë pa përfunduar ende studimi i fizibilitetit, teksa në kuvend pritej të miratohej projektligji për ndalimin e PPP të pakërkuara.

Qeveria e anuloi koncesionin e aksit Thumanë – Kashar në janar të 2019 me qëllim që fondet do të shkonin për të ndërtuar kampuset universitare pas protestës së studentëve, por nuk u argumentua më tej.

Në projektbuxhetin 2019, qeveria raportoi se kishte planifikuar të financonte segmentin Thumanë – Kashar me vlerë 45.5 miliardë lekë ose rreth 330 milionë euro.
Projekti Milot-Balldren do të kontestohej pak muaj më parë edhe nga Partia Demokratike si aferë korruptive.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë