Lajme

Studentët ngujohen në fakultete. Ekonomiku përzë deputetin e PD

Studentët e Fakultetit Juridik dhe Ekonomik vijojnë rezistencën e tyre. Ata vazhdojnë të qëndrojnë të “ngujuar” brenda ambienteve të fakultetit që prej ditës së djeshme.
Studentët janë të bindur që nuk do të frekuentojnë mësimin deri në plotësimin tashmë të 9 kërkesave të tyre, ku pikë më vete është edhe anulimi i ligjit të Arsimit të Lartë dhe tashmë janë me një strategji të re.
Ndërkohë, në Fakultetin e Drejtësisë dhe Ekonomikut ka edhe forca policie, ku ka edhe përplasje mes tyre. Studentët shprehen të revoltuar për këtë ndërhyrje të forcave të policisë private dhe tw shtetit në ambientet e Universitetit.

Po ashtu edhe mbrëmë, pak pas mesnate ka pasur një përplasje mes rojeve të sigurisë private dhe studentëve të Ekonomikut dhe Juridikut.
Situata ka agravuar ndjeshëm te Fakulteti Ekonomik ku i pranishëm është edhe deputeti demokrat, Luçiano Boçi. Ai shoqërohej nga kolegia e PD, Valentina Duka. Por, studentët nuk e pranuan dhe e larguan nga mjediset e Fakultetit. Boçi tha se ishte aty për të larguar policinë nga Fakulteti dhe u përplas edhe me Forcat e Rendit. Studentët thanë se si PD dhe qeveria janë njësoj, ndaj ata nuk i pranuan deputetët demokratë.

Studentët e Fakultetit Ekonomik shprehen për Gazetën Si se po bëjnë 48 orë të ngujuar dhe veprimi i policisë ishte pa vend dhe kërkojnë të dinë se kush ia ka dhënë urdhrin. Ata kanë shkuar dhe te dekani për të kërkuar llogari për këtë gjë, por s’kanë marrë përgjigje.
Sipas tyre, polemika që protesta tashmë vazhdon e ndikuar nga politika nuk ekziston. Ata shprehen të vendosur për ngujimin, madje edhe një pjesë e pedagogëve do të ngujohen me ta.
Ndërkohë, Fakulteti i Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Fakulteti i Arkitekturës kanë vendosur të ngujohen në mënyrë paqësore. Studentët e këtyre janë shprehur se do rrinë edhe gjatë fundjavës në korridorin e fakultetit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë