Lajme

Rama: 803 vende në administratë për ekselentët pa konkurs

Ashtu siç premtoi në dhjetor të vitit të kaluar, kryeministri Edi Rama ka prezantuar sot platformën online për punësimin e rreth një mijë studentëve ekselentë. Kreu i qeverisë u shpreh se kjo platformë nuk do bëhej realitet pa protestën e studentëve. Kjo protestë, sipas tij, u hapi rrugë më të mirëve, duke kapërcyer ligjin. Janë 803 vende të lira pune në administratë ku do të punësohen studentë ekselencë, pa pasur nevojë për konkurs.
“Ky program nuk mund të bëhej pa ju dhe protestën, sepse ligji i shërbimit civil dhe rekrutimi në Shërbimin Civil bazuar në këtë ligj e pengonte. Është bërë një punë e gjatë me Komisionin Europian. Protesta dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella dhe një nevoje të madhe për të hapur dyert e administratës dhe pengesave që ka ligji, na dha mundësinë që të ulemi me partnerët europianë dhe thamë që mund ta kapërcejmë ligjin dhe t'u hapim rrugë më të mirëve që mund të kontribuojnë në administratë”, shprehet Rama.


Kreu i qeverisë theksoi se gara mes ekselentëve do të jetë e pastër dhe korrekte. Po ashtu, në administratë nuk do të ketë vetëm vende pune për masterin, por edhe për bachelorin.
“E dini shumë mirë, ti mund të kesh mbaruar me të gjitha 10-a, shkon në DAP dhe të thonë nuk ke eksperiencë. Ne e kemi bërë një hap të parë programesh internshipi, por shumëkush dekurajohet dhe thotë po iki fare. Të tjerë që kanë më shumë eksperiencë zënë një vend që ti me të drejtë e pretendon. Me këtë platformë nuk ka nevojë për konkurs sepse konkursin ai e ka bërë gjatë viteve akademike. Kemi shembull 5 vende pune në Ministrinë e Financave. Ai që ka rezultatin më të lartë, ai zgjedh i pari. Nëse ai nuk do, zgjedh tjetri që ka mesataren 9.9 për shembull. Pra, gara do të jetë e pastër dhe korrekte. Dhe po s’pate master, nuk të merr njeri në punë, nuk është e vërtetë. Këtu ka vende pune për më të mirët në master dhe më të mirët në bachelor. Masteri nuk është domosdoshmëri, ai me master mund të zërë një vend më të rëndësishëm”, tha ndër të tjera kryeministri Rama.

Brenda 1 muaji, nga 11 janari deri në 1 shkurt të gjithë nxënësit e ekselencës kanë të drejtë të aplikojnë për vendet e lira të punës në administratë. Por ky punësim i tyre mësohet se do të jetë vetëm për 1 vit, e kjo sipas kryeministrit dhe diskutantëve në panel do t’i shërbejë për ta pasur si CV apo si një eksperiencë për t’u përfshirë në shërbimin civil.
Studentë të ekselencës që kanë studiuar jashtë Shqipërisë, të universiteteve publike dhe të atyre private, përfshihen sipas kryeministrit në këtë skemë. Gjithashtu pranimi në administratë do të realizohet vetëm për ato studentë që mbarojnë vitin shkollor 2017-2018. Një diskriminim ky që i bëhet pjesës tjetër të studentëve që kanë mbaruar me rezultate të shkëlqyera përpara këtij viti.
Ndërsa në portalin e lançuar nga kryeministri nga 803 vende pune në administratë, 601 janë në institucionet e shërbimit civil dhe 202 në institucione me kod pune.
Gjithashtu Rama bëri të ditur se pranimi i studentëve nuk do të realizohet mbi bazën e Kodit të Punës, por në mënyrë të menjëhershme, pa pasur ndonjë testim me shkrim apo me gojë. Mjafton vetëm aplikimi online dhe studenti që ka mesataren më të mirë ka të drejtën e përzgjedhjes së postit dhe më pas sipas shkallës.
“Protesta dhe gjithë kjo shfaqje shembullore e disa shqetësimeve të thella dhe e një nevoje të madhe për të hapur dyert e administratës duke kapërcyer disa pengesa objektive që ka ligji, na dha mundësi që dhe me partnerët europianë të ulemi dhe t’u themi se e kemi të nevojshme ta kapërcejmë ligjin”, tha Rama.

Protestuesit në universitete janë “çetë”
Në këtë takim kryeministri Edi Rama i quajti "çetë" grupin e studentë në fakultetin e Ekonomikut dhe të Juridikut të cilët bllokuan paraditen e sotme hyrjen në fakultet.
“Si mund të arrijë puna që një grup njerëzish që nuk dalin më tek kryeministria pasi nuk kanë mundësi më të tregojnë se janë shumë pengojnë zhvillimin e mësimit. Si ka mundësi? Si mund të pengosh të drejtën e mësimit qoftë dhe një personi të vetëm? Pedagogu ka të drejtë qoftë dhe vetëm mua të më japë mësim, dhe mua nga shtëpia deri tek banka askush nuk ka të drejtë të më pengojë njeri rrugën. Asnjë, jo më çeta personash që nuk dinë se çfarë kërkojnë, ose se janë aty se u kanë thënë të rrinë aty dhe të kërkojnë gjëra që nuk kanë për tu bërë kurrë,bllokojnë gjithë dynjanë. Dhe u kanë thënë vetes se jam student e student, jo mo prit një sekond. Ka studentë e studentë”, deklaroi kryeministri.
Ndërsa ka ritheksuar edhe një herë se është e pamundur që të ulen të gjitha tarifat për masterin.
“Shoh që kërkojnë të njëjtën gjë për masterin, nuk bëhet. Ne kemi bërë një përjashtim. Do të përgjysmojmë tarifën e masterit për ata me 9 dhe 10 dhe ata me ndihmë ekonomike. Masteri nuk është detyrim i shoqërisë për të paguar për ty. Ata me katra e pesa do marrin përgjysmimin tani, por nëse vitin e ardhshëm do të paraqiten me 4-5 nuk do të marrin më. Nuk mundet që shoqëria, prindërit dhe të gjithë ata që paguajnë taksa të paguajnë për këta që ata të rrinë nëpër kafene e të marrin katra. Jo nuk ka për të ndodhur. Ata që përsërisin vitin nuk kanë për të marrë më kokërr leku, jo 50% por asgjë. Kush është në master, masteri është investimi yt”, theksoi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë