Art dhe Kulture

Studentë e pedagogë nuk shfaqin interes! Ermonela Jaho në Tiranë me Masterclass: Detyrim moral, teatrin do ta bëjmë ne!

Sopranoja e njohur Ermonela Jaho vijon të mbajë në Teatrin e Operas masterclass për artistët e kantos. Me sallat plot të huaj në shtetet e mëdha, ndjen keqardhje që studentët e Arteve nuk u bënë pjesë e kësaj eksperience. Ajo premton rikthimin në tetor me Akademinë Teatrale dhe një performancë së bashku me të rinjtë.

“Teatrin nuk do të na e bëjnë të huajt, nuk do ta bëj askush tjetër përveç nesh”, tha Ermonela Jaho në Teatrin e Operas në Tiranë e ftuar për masterclass me artistët e rinj të kantos.

Prej sukseseve të para e deri më sot, kur zëri e performanca e saj bëhen kryetemë e skenave më prestigjioze, Ermonela Jaho ka vendosur, që lidhjet me rrënjët t’i ruajë të forta...

“Shkolla jonë të jep diçka, mua më ka dhënë diçka... Më vonë unë e kam mësuar me luftë, torturë e sakrificë të madhe, kam dalë jashtë ta marr. Këtë eksperiencë është detyrimi ynë si artist të rritur këtu, që ta sjellim këtu”, tha sopranoja Ermonela Jaho.

Shqipërinë e ka bashkëngjitur me emrin e saj kudo që prezantohet në botë, e prej eksperiencës ndërkombëtare i përçon prej 14 prillit artistëve të rinj të muzikës klasike leksione të vyera në masterclass edhe përtej kantos në Opera. Së bashku me drejtoren e Teatrit, po punojnë që Akademia Teatrale të kthehet në traditë....

“Qëllimi është që në bazë të kalendarit të përgatiten këta artistë të rinj shqiptarë dhe rolet në operat që ne do të programojmë të jenë këngëtarët shqiptarë”, shprehet Jaho.

Ndjen keqardhje tha sopranoja, që ftesës së hapur i janë përgjigjur një grusht artistësh shqiptarë kryesisht nga Diaspora e Kosova, në një kohë që kudo shkon sallën e gjen të tejmbushur... Shpreson që shkas të mos jetë presioni i dikurshëm i pedagogëve a kolegëve, me të cilin vetë është përballur dikur.

“7-8 veta kanë ardhur nga vajzat, por është ajo dashuria për të bërë diçka për ta. Sepse të jesh artist sot është e vështirë, të bësh jetesën me art është e vështirë. Duhet ta duash, duhet të jetë një terapi, një katharsis... një nevojë shpirtërore”, shprehet më tej sopranoja.

Por ajo rrëfen se në trajnim të rinjtë i ka trajtuar si kolegë, e përveçse u ka zbuluar disa prej sekreteve që fshihen në komponentët e një opere, prej zërit tek grimi, edhe ka marrë prej tyre emocione të forta...

“Jam përlotur prej një nga pjesëmarrësve nga Peja që vinte nga mëngjesi deri në darkë... dhe thashë ka ende shpresë! Sigurisht që edhe përgjegjësia ime është e madhe sepse nuk ka rëndësi ku këndova dje, kush më duartrokiti, por çfarë do të lë dhe çfarë po bëj tani...”, shtoi Jaho.

Flet me energji e pasion për të ardhmen e Teatrit të Operas, për të cilin ndjen përgjegjësi morale që të kontribuojë, si artiste që e ka një as nën mëngë, atdhetare, por edhe anëtare e bordit të Teatrit...

“Gur-gur të ndërtojmë diçka për këta talente, t’u japim shpresën sepse nuk kanë përse largohen”, shprehet Jaho.

Për të njëjtën grintë, flasin në këto kohë edhe mediet ndërkombëtare, teksa vënë theksin tek performancat impresionuese të Jahos, që shkojnë përtej zërit...

“Nuk e kam bërë asnjëherë për famë, por është një ushqim shpirtëror. Sidmos kur rritesh në një ambient me shumë paragjykime, në njëfarë mënyre më është bërë një lloj mënyre për të thënë se pavarësisht paragjykimeve të botës ne vlejmë, unë vlej!”, thotë Jaho.

Premton se në tetor do të rikthehet sërish me Akademinë Teatrale, dhe se do t’i përgjigjet pozitivisht dëshirës së publikut shqiptarë për ta parë të performojë në këtë skenë.... (Shqiptarja)


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë