Muzike

Zhgënjimi i Ermonela Jahos nga “Masterclass”, Gurakuqi: Studentët nuk i lënë pedagogët, në Shqipëri nuk e do njeri konkurrencën

Nga Gazeta Si - Artistja që mbretëron skenat ndërkombëtare të Operas, sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, ishte në Teatrin e Operas në Tiranë për Akademinë Teatrale, një seri “masterclasesh” për të rinjtë artistë, por ndonëse emri i saj mbush sallat e shfaqjeve e masterklaseve kudo, në Shqipëri ajo u zhgënjye. Vetëm 12 artistë të rinj (11 prej tyre të huaj) kanë qenë pjesë e masterclass-it me Ermonela Jahon.

Për ish-regjisorin e Operës, Nikolin Gurakuqi, Ermonela Jaho është një artiste e madhe dhe çdo student ka se çfarë të mësojë nga ajo, por mungesa e pjesëmarrjes së të rinjve sipas tij ka një sërë shkaqesh, ndërsa studentët nuk i kanë lënë pedagogët.

“Ermonela Jaho vjen për të bërë një masterclass dhe sigurisht që do pjesëmarrje. Ermonela Jaho nuk është një emër i vogël. Unë mendoj se studentët kanë se çfarë të mësojnë nga Ermonela Jaho. Unë kam bërë edhe shfaqje me Ermonelën, është një artiste shumë e mirë, pa diskutim. Unë mendoj se mospjesëmarrja e atyshme mund të ketë shumë shkaqe, por studentët nuk i kanë lënë pedagogët”, shprehet Gurakuqi për Gazetën “Si”.

Ish-regjisori Nikolin Gurakuqi

Sipas artistit Nikolin Gurakuqi problemi është shumë më i thellë sesa kaq dhe një arsye mund të jetë edhe mungesa e tregut.

“Ne s’kemi treg. Ermonela është artiste tregu, dhe i nënshtrohet një konkurrence të jashtëzakonshme. Në Shqipëri nuk e do njeri konkurrencën. Është e thjeshtë. Në Opera nuk ka konkurrencë. Asnjë nuk e merr rolin me konkurrencë, është çështje institucionale kjo, jo vetëm e një masterclassi”, vijon Gurakuqi për Gazetën “Si”.

Sipas tij një faktor tjetër mund të jetë dhe tarifa 50 euro.

Pas deklaratës së sopranos Ermonela Jaho se erdhi për masterclass, por nuk gjeti as studentë as pedagogë, ka pasur reagime edhe nga artistë të tjerë.

Aktorja Ema Andrea thotë se rasti i Ermonela Jahos, është një rast dëshpërues, por nuk është i vetmi.

“Fatkeqësisht rasti dëshpërues i Ermonela Jaho, nuk është i vetmi!”, shkruan Ema Andrea në rrjetet sociale.

Nga ana tjetër, mungesën e të rinjve nuk e sheh me të njëjtin sy tenori Josif Gjipali, njëherësh pedagog në Akademinë e Arteve. Ai thotë se nuk ka nevojë të shkojë në asnjë masterclass, sepse nuk beson se mund të mësojë ndonjë gjë nga kolegët edhe pse s’do t’u heqë asnjë vlerë.

“Unë jam pjesë e stafit të pedagogëve të kantos në Universitetin e Arteve. Unë nuk kam nevojë të shkoj në asnjë masterclass, pasi Attilen ma ka mësuar Riccardo Muti, Rigoletto e Don Carlo m’i ka mësuar Zubin Mehta. I due Foscari sapo ma mësoi në Genova Renato Palumbo. Nuk besoj se ndonjë nga koleget e mi pa ju hequr asnjë vlerë si interpretues mund të m’i mësojë më mirë. Uroj hienat qe nxitojnë të komentojnë në ndonjë deklaratë që shpresoj të ketë qenë e nxituar në inat e sipër të jetë më e kursyer”, shkruan Gjipali, ndërsa shton se “Studentët e Universitetit të Arteve kanë qenë të zotët të këndojnë, të mos u qaj njeri hallin. Dy prej tyre sapo fituan në Spoleto ku isha si anëtar jurie mes sa e sa konkurrenteve të drejtën e bursës”.

Për pjesëmarrësit në Akademinë Teatrale, pagesa ditore ka qenë 50 euro dhe 25 euro për dëgjuesit, ndërsa për studentët ka pasur 20% zbritje.

Që para nisjes së masterclassit thirrja ka qenë e hapur nga institucioni i Operës por nuk ka pasur ftesa personale, gjë që mund të ketë ndikuar edhe në mungesë pjesëmarrje.

Ky vit ishte viti i parë që u krijua Akademia Teatrale në Shqipëri, ndërsa masterclasset janë bërë edhe më herët nga sopranoja Ermonela Jaho në Shqipëri.  

Jaho kujton se masterclassin e parë e ka bërë në 2015 kur ka vënë re frikën e studentëve.

“I shikoja se vinin me frikën se mos thoshin gjë pedagogët. Ua them me shpirt. Nuk kam ardhur këtu për të kritikuar njëri-tjetrin. Unë vë gurin tim. Më jep dhe ti një gur tëndin të ndërtojmë diçka”, është shprehur ajo në konferencën për shtyp.

Masterclasset janë klasa ku ajo jep eksperiencën e vet studentëve dhe pedegogëve rreth interpretimit skenik, teknikës vokale, trajnimeve specifike të stilit dhe interpretimit të “Bel Cantos” italiane. Ermonela Jaho ka mbajtur masterclasse edhe në vende të tjera të botës.

“Jam aq e ngarkuar dhe prandaj kam kaq shumë për të thënë. Mendoj që kjo është një lloj egoizmi ndoshta, unë këtë e kam provuar para 30 vitesh, por më duket se është akoma edhe sot. Një pedagog nuk të jep dot 100%. Studentët ndoshta mungojnë se nuk i lënë pedagogët”, do të shprehej ndër të tjera sopranoja Ermonela Jaho për eksperiencën e këtij viti në Akademinë Teatrale në Shqipëri.

Ndërkohë, ajo ka premtuar rikthimin në tetor me Akademinë Teatrale dhe një performancë së bashku me të rinjtë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë