Lasanja me salcë bolonjeze, ravioli, kanoli me fistikë dhe tiramisu duken aq të vërteta sa të hapin oreksin. Por në restorantin “Knitalian” të artistes Kate Jenkins, çdo pjatë është krijuar me fije, grep dhe shtiza.
Një restorant tipik italian, me mbulesa tavoline me kuadrate, dekor dhe pjata që të bëjnë gojën lëng, por me një ndryshim të pazakontë: asgjë nuk mund të hahet.

“Knitalian” është ekspozita më e re e artistes britanike Kate Jenkins, e cila ka rikrijuar me dorë një botë të tërë gastronomike italiane, duke përdorur thurjen, qëndisjen dhe punimin me grep.
E prezantuar në galerinë “Air Contemporary” në Londër, ekspozita përfshin më shumë se një mijë krijime prej tekstili, nga makaronat dhe djathërat te shishet e verës, ëmbëlsirat dhe akulloret.
Projekti është frymëzuar nga udhëtimet e shpeshta të artistes në Itali me partnerin e saj dhe nga pasuria e kulturës ushqimore të rajoneve të ndryshme italiane.

Për Jenkins, çdo krijim kërkon vëzhgim të kujdesshëm dhe shumë eksperimente, në mënyrë që ngjyrat, format dhe teksturat të duken sa më reale. Edhe lazanja është ndërtuar njësoj si në kuzhinë: petët janë thurur veçmas, ragù-ja është punuar me grep dhe më pas gjithçka është vendosur shtresë pas shtrese.
Dashuria e artistes për këtë zanat nisi që në fëmijëri, kur gjyshja e mësoi të thurte me shtiza. Pas një karriere në industrinë e modës, ku bashkëpunoi me emra të njohur si Ralph Lauren, Marc Jacobs dhe Kate Spade, Jenkins vendosi ta kthente ushqimin e thurur në fokusin kryesor të krijimtarisë së saj.
Ekspozita e saj e parë me këtë tematikë, “Comfort Food”, u hap në vitin 2007 dhe shënoi një kthesë të rëndësishme në karrierën e artistes.
Sot, ndërsa punimet artizanale po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet te brezat e rinj, Jenkins beson se thurja është një aktivitet krijues, i arritshëm dhe që i bashkon njerëzit.

Edhe “Knitalian” është konceptuar si një përvojë ndërvepruese, ku vizitorët mund të provojnë të krijojnë picën e tyre prej fijesh, pa pasur nevojë për ndonjë aftësi të veçantë në thurje.
Në fund, mbetet vetëm një sfidë: të shijosh me sy këto pjata mahnitëse dhe t’i rezistosh tundimit për t’i kafshuar!
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje