Politike

Rama për protestuesit: E respektoj shqetësimin tuaj, por dëgjoni faktet

Nga Gazeta ‘Si’- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar në media sociale me një mesazh të gjatë ku trajton protestën e fundit mjedisore, duke e lidhur atë me atë që ai e quan rrezikun e “shkëputjes nga faktet” dhe shndërrimin e kauzave në dogma politike.

Në postimin e tij, Rama citon shprehjen e njohur: “Rruga për në ferr është e shtruar me qëllime të mira”, duke theksuar se qëllimet e mira, edhe pse të domosdoshme, sipas tij nuk janë të mjaftueshme nëse nuk bazohen në fakte dhe dialog institucional.

Ai argumenton se historia është e mbushur me raste kur kauza fillimisht të drejta janë degraduar në “intolerancë, fanatizëm apo shkatërrim”, si pasojë e shkëputjes nga realiteti dhe mungesës së bashkëpunimit me institucionet.

Duke iu referuar protestuesve mjedisorë që kanë reaguar ndaj zhvillimeve në zona të mbrojtura, Rama shprehet se i kupton shqetësimet e tyre, të cilat i cilëson “të sinqerta dhe estetike”, por kritikon mënyrën e artikulimit të tyre si të ndikuar nga narrativa politike dhe konflikti.

“Unë kam simpati të sinqertë për këdo që në këtë protestë hyri nga alarmi i natyrës në rrezik. Madje kjo formë estetike e demonstrimit, me siluetat e flamingove rozë, më gëzon me hijeshinë që përndryshe do t’i mungonte një proteste qytetare për natyrën të kthyer ngutshëm në një demonstrim politik të skamur në ide, të varfër në argumenta, të degraduar në fjalor dhe të shëmtuar në bullizmin e tij rrugor apo digjital ndaj kujtdo që mendon ndryshe”, shkruan ai.

Ai përdor një metaforë të fortë duke i ndarë aktorët në “flamingo”, “sorra” dhe “korba”, ku sipas tij protestuesit e ndershëm janë të instrumentalizuar nga aktorë politikë dhe publikë që “ushqehen me zhurmë dhe shpifje”.

Rama shton se shqetësimet mjedisore duhet të trajtohen përmes bashkëpunimit me ekspertizën dhe institucionet, duke theksuar se kundërshtimi kategorik dhe refuzimi i dialogut nuk sjell zgjidhje.

Ai përfundon mesazhin duke theksuar se protestuesit “nuk e humbasin bukurinë e tyre” nëse angazhohen në diskutim institucional, por paralajmëron kundër asaj që e quan instrumentalizim politik të kauzave mjedisore.

Reagimi vjen në kulmin e debatit publik për projektet zhvillimore në Zvërnec, të cilat kanë nxitur protesta dhe marshime masive në Tiranë, prej 19 ditësh, pa qëllim për t’u ndalur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë