Trend

Stërvitja nuk njeh moshë/ Edhe 70-vjeçarët shqiptarë po frekuentojnë palestrën

Të moshuarit dhe mosha e mesme në vendin tonë duket se po afrohen çdo herë e më shumë me moshën e re, duke ‘vjedhur’ disa nga zakonet e tyre. E nisën me përdorimin në mënyrë perfekte të telefonit dhe tashmë po e vazhdojnë edhe me palestrën.

Mira, një 64 vjecare shkon 3 herë në javë në palestër edhe pse në fillim ndjehej ‘sikur po bëj dicka të pakuptimtë’.

“Për një kohë të gjatë më kanë sugjeruar mjekët të bëj aktivitet fizik por sikur kisha turp. Mendoja se tashmë isha plakur, ishte e kotë të bëja si e re”, thotë Mira.

Ajo vendosi të abonohej bashkë me Aishen, shoqen e saj bashkëmoshatare. Të dyja bashkë u bënë pjesë e një palestre në zonën e Don Boskos, ku zbuluan se ka të tjerë të moshuar që kanë bërë pjesë të përditshmërisë së tyre palestrën.

Vullnet Manushi, trajner personal tregon për Gazetasi.al se edhe të moshuarit kanë filluar të frekuentojnë palestrën për të mirëmbajtur veten.

“E kanë bërë si një orar rutinë. E kanë të programuar”, tregon instruktori.

Instruktor Vullnet Manushi me 'Guxhon' 72-vjeçar. Gazeta Si, 4 qershor, 2022.

Ai thotë se për momentin ka në palestër të moshuar ku më të moshuarit  janë një burrë 72-vjecar dhe një grua 70 vjece. Më pas janë të moshave të ndryshme mbi 50 vjec.

“Janë 55 vjec apo edhe 66”, thotë Manushi.

Manushi tregon se të gjithë këto mosha kryejnë ushtrime me amplituta të ngadalta, që nuk kanë intensitet të lartë kardiak.

Arsyeja kryesore pse të moshuarit kanë zgjedhur të ndjekin palestrën është forcimi i muskujve dhe për të qëndruar në formë.

"Përballje" brezash në 'Ladies Gym'.

Përfaqësues të palestrës “Ladies Gym” thonë për Gazetasi.al se kanë pjesë të palestrës gra deri në moshën 64-vjeçare, një trend që është vënë re kohët e fundit pasi më parë nuk kishte kurrë të moshuara apo edhe gra të moshës 50-vjeçare që sot janë kliente të rregullta të palestrës.

Pse kishte pak të moshuar nëpër palestra më parë?

“Ka disa ‘mite’ që i kanë shoqëruar për një kohë të gjatë”, thotë për Gazetasi.al, Jona Hysaj, instruktore palestre.

Të moshuarit në Shqipëri mendojnë se ushtrimet nuk janë të sigurta për dikë në moshën e tyre. Ato mendojnë se mund të rrëzohen dhe të thyejnë ijet apo kockat.

“Në fakt, studimet tregojnë se ushtrimet mund të zvogëlojnë shanset për tu rrëzuar”, thotë Hysaj.

Gjithashtu, të moshuarit mendojnë se “meqenëse jam më i vjetër, duhet të konsultohem me mjekun tim përpara se të ushtrohem”.

Hysaj thotë se konsultimet me mjekët këshillohen kur kanë një gjendje mjekësore apo nëse kanë pasur probleme fizike për një kohë të gjatë. Gjithsesi mosha e mesme dhe të moshuarit janë një hap më shumë në të qenurit të rinj, duke frekuentuar palestrën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë