Ngjarje

Statistikat, arsimi nuk është pika e fortë e shqiptarëve

Arsimi është një ndër sektorët më kryesorë për përparësinë e një vendi. Në bazë të arsimimit vlerësohen më pas edhe të gjitha fushat e tjera themelore të një shteti. Nëse një komb nuk ka cilësi për arsimin në çdo etapë, atëherë përballemi me një paaftësi shoqërore nga e cila vështirë se mund të dilet.
Ndoshta problemi më i madh nuk qëndron në faktin e riorganizimit të shkollave, ashtu siç deklarohet shpesh herë, apo të institucioneve arsimore. Problemi kryesor për sa i përket kësaj fushe mesa duket mbetet ende dëshira e individëve për të mësuar. Sipas të dhënave nga studimet fundit, vërejmë që realisht ky është një problem i madh për vendin tonë.

Përpos angazhimit të ndërtimit strukturor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, të dhënat statistikore nga Eurostat për sa i përket një vëzhgimi gjashtë vjeçar, tregojnë se më pak se 23.5 përqind e grup moshës 30-34 vjeç, kanë përfunduar arsimin e lartë, duke e lënë Shqipërinë një ndër vendet e fundit në rajon për sa i përket të arsimuarve në universitet.
Sociologu Gëzim Tushi shpjegon për Gazeta Si se studimi i paraqitur, është një tregues sintetik i situatës së arsimit në vendin tonë. Tushi shprehet se ky problem parashtrohet, më kredibilitetin e arsimit për faktin sa është i konvertuar dhe sa është kompakt me tregun e punës, pasi në varësi të kësaj do të zgjidhet edhe arsimi.
“Situata është shqetësuese, niveli i ulët ku është përqendruar studimi i më sipër nuk na nderon fare, ndërkaq që ka vende të tjera që kanë arritur rezultate edhe më të mira,” shtoi Tushi.
Sipas sociologut në shoqërinë shqiptare, është bërë një “betejë” e madhe për sa i përket rrjetit të zgjerimit të universiteteve në Shqipëri, mes faktit se ka pasur ide oportuniste për cilësinë e tyre, por nga ana tjetër ai shpjegon se nuk kemi pse të druhemi nga rrjeti i unitetit. Tushi thotë se nëse duam të zgjerojmë fushën e arsimit të lartë për të përthithur sa më shumë studentë, duhet të zgjerojmë edhe kapacitetet për t’i inkurajuar ata.

Një tjetër problem që haset për sa i përket të arsimuarve në vendin tonë, është edhe fakti se shqiptarët nuk janë të interesuar për të thelluar njohuritë e tyre mbas periudhës së shkollës. Nëpërmjet arsimit, njeriu mund të ndryshojë vetveten dhe të përmirësohet vazhdimisht. Sipas të dhënave të fundit nga INSTAT, rreth 0.9 përqind e shqiptarëve nga mosha 25-64 vjeç, mësojnë përgjatë gjithë jetës së tyre. Një fakt është tepër shqetësues, pasi kjo është norma më e ulët përsa i përket vendeve të rajonit dhe më gjerë. Për Tushin këto të dhëna tregojnë se shqiptarët, zgjedhin një opsion mekanik të të mësuarit, ku e kufizojnë dijet e tyre vetëm me mbarimin e shkollës së lartë. Ai parashtron se kjo gjë bën të mundur që në të ardhmen shoqëria të përballet me nëpunës të paaftë.
“Ne kemi nevojë të bëjmë një revolucion shoqëror. Kjo është një detyre jo vetëm individuale por edhe sociale, pasi në këto tre dekada është goditur shumë raporti i njeriut me dijen, pasi shoqëria e konsumit i bën njerëzit që të mendojnë se paratë dhe qefi, janë gjëja më kryesore dhe kjo vjen nga procesi i demokratizimit të dijes. Studimi i vazhduar është ai sistematik qoftë, edhe vetëm në dije profesionale. Ne duket t’i kthehemi kësaj kërkese dhe kulture, për të marrë sa më shumë dije nga të gjitha fushat e jetës” shton sociologu.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë