Futboll

Starton Premier League nën shenjën e Pol Pogba

Ka nisur kampionati anglez, një nga më të bukurit në botë, pse jo dhe më i bukuri. Ka nisur gara për t’i rrëmbyer kurorën Mançester Sitit të Pep Guardiolës. Ndeshja hapëse e kampionatit ishte ajo mes Mançester Junajtid të Mourinjos, trajnerit që gjithmonë ankohet për merkaton dhe që krijon shpesh polemika me lojtarë të caktuar, dhe Leiçesterit. Ishte pikërisht Pol Pogba, për të cilin Mourinjo së fundi është ankuar më shumë, që vetëm pas 3 minutash lojë largoi presionin për “Djajtë e kuq”, duke shënuar golin e avantazhit me 11-metërsh, pas një prekjeje të topit me dorë nga mbrojtësit e Leiçesterit. Ndeshja u mbyll me rezultatin 2-1 dhe Mançesteri Junajtid ka marrë 3 pikët e para. Goli i dytë për të u shënua nga mbrojtësi i majtë, Luk Shou, i cili realizoi me një veprim të bukur teknik. Në kohën shtesë, Vardi shënoi golin e nderit për ekipin mik.

Pol Pogba, kmpion bote me Francën, ka lënë menjëherë shenjën e tij në këtë ndeshje, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Ai është diskutuar gjatë gjithë kohës për një kalim të mundshëm te Barcelona, për shkak të raportit që ka me trajnerin Mourinjo, megjithatë vazhdon të luajë dhe të shënojë për “Djajtë e kuq”. Mançesteri luajti në këtë ndeshje me shumë mungesa. Lojtarë si Matiç, Valencia, Smolling, Roho dhe Herrera janë të dëmtuar, kurse për Felainin, Lukakun dhe Martialin trajneri Mourinjo preferoi ta nisnin nga stoli. Nga ana tjetër, Leiçesteri ka humbur gjatë merkatos së verës yllin e ekipit, algjerianin Rihad Mahrez, i cili i është bashkuar Mançester Sitit.

Mançesteri feston golin e Pogba

Dy nga skuadrat e mëdha, Çelsi dhe Arsenali, vijnë në këtë sezon me trajnerë të rinj. Me shumë interes pritet debutimi i italianit Mauricio Sarri në stolin e bluve të Çelsit, ku ai zëvendësoi patriotin e tij, Antonio Konten, ndërsa spanjolli Unai Emeri zëvendëson në stolin e Arsenalit legjendarin Arsen Venger. Në Premier League janë kthyer këtë sezon skuadra si Njukasëll, Fulhem, Volverhempton dhe Kardif.

Mourinjo i gëzohet ftores

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë