Futboll

Spraji fut në telashe FIFA-n, rrezikon një gjobë të majme

Dhimbje koke për FIFA-n, që tashmë ka një çështje të hapur gjyqësore jo me ndonjë ekip apo ndonjë lojtar, por me shpikësit e sprajit, solucionit të përdorur vitet e fundit nga arbitrat në ndeshjet e futbollit. Shpikësit Pablo Silva dhe Heine Allemagne i janë drejtuar Gjykatës për njohjen e autorësisë dhe të patentës për këtë solucion që tashmë ka gjetur përdorim të gjerë në futboll, në të gjitha kompeticionet. Specifikisht, ata i kërkojnë Gjykatës të ndalojë së pari përdorimin e sprajit dhe të vendoset një gjobë prej 15 mijë dollarësh për çdo ndeshje ku është përdorur.

Prestigjiozja spanjolle “Marca” bën me dije se FIFA ka bërë rekurs në lidhje me këtë çështje, por rreziku për të mbetet dhe është shumë serioz. Nëse Gjykata u jep të drejtë dy shpikëseve të sprajit, atëherë jo vetëm që përfundon këtu përdorimi i tij në futboll, por institucioni më i lartë i futbollit botëror duhet të paguajë edhe gjobën e majme. Për shifrën ekzakte duhen bërë shumë kalkulime.

Pablo Silva, njëri nga shpikësit e sprajit, me ish-arbitrin e njohur anglez, Hauard Ueb 

Pablo Silva ka pohuar disa herë se para se t’u drejtohej organeve gjyqësore, ka tentuar të gjejë një akord me drejtuesit e FIFA-s, por kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë dhe rruga e vetme ishte ajo ligjore. Gjasat janë që arbitrat të mos e kenë me në fushë sprajin, që i ndihmon ata për të fiksuar vendin ku duhet të vendoset topi dhe vendin e barrierës gjatë ekzekutimit të goditjeve standarde.

Spraji është përdorur dy vitet e fundit edhe në futbollin shqiptar, por vetëm në Kategorinë Superiore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë