Sport

Sportistët që ndryshuan botën

Ata ndryshuan botën. Ose më mirë, ndryshuan disa aspekte thelbësore të shikuarit të asaj që na rrethon. Për ta sporti nuk ishte thjesht një lojë për të argëtuar, por një ide, një lëvizje, një shkëndijë që mund të revolucionarizonte mbarë botën. Në shumë raste ata janë marrë si modele jete, si një ëndërr që zor se mund të kthehet në realitet.

George Best

Ai ishte thjesht “The Best”. Kur bota njohu klasin e irlandezo-veriorit, më 1960 ishin të shumtë klubet që tentuan ta bënin për vete. Anglezët tentuan t’i ofronin një pasaportë të re, për ta pasur jo vetëm në kampionatin e tyre (luajti me Manchester United), por edhe në kombëtaren e tyre, por ai nuk pranoi. Gjithsesi i tregoi botës se ai ishte diçka më tepër se një futbollist; ishte një idhull i tifozëve irlandezë, të cilët nuk i braktisi kurrë.

John Curry

Lojërat Olimpike të 1976 nuk do të kishin pasur atë impakt në botën e patinazhit artistik pa performancën spektakolare të John Curry. Ai ishte një nga atletët që nuk i përdorte krahët thjesht për të ekuilibruar trupin, por me to krijonte një lloj vallëzimi fluid që të jepte një ndjesi të paparë. Në vogëli donte të bëhej balerin, por për shkak të ndërhyrjes së babait rrjedha e jetës së tij shkoi drejt patinazhit. Një nga më të mëdhenjtë që ka njohur bota e patinazhit artistik.

Ayrton Senna

Thonë se, në rast se nuk do të ishte ndarë nga jeta gjatë incidentit tragjik në Monza, do të kishte thyer çdo rekord të mundshëm në Formula 1. Talent i padiskutueshëm, pa rivalë në këtë sport, me të cilën fitoi tre tituj botërorë. Akuzave për agresivitet dhe egoizëm të tepruar, ai u përgjigjej thjesht: “Epo, unë jam Senna..Si për ironi, nuk ishte talenti që e bëri të famshëm më tepër se vdekja e tij tragjike, si dhe ajo çka ai la pas në këtë sport. Kjo ndryshoi jo pak mënyrën e të shikuarit të gjërave në Formula 1.

David Beckham

Ka qenë i pari që ka vënë në të njëjtën paralele futbollin spektakolar dhe fitimet marramendëse që mund të vijnë prej tij. Ai nuk ishte thjesht një futbollist i kombëtares angleze, por një imazh që vështir se do të fshihet nga historia. Nga një djalosh i talentuar i rritur në rrethinat e Londrës, ai u kthye në një makinë parash, jo vetëm për vete por edhe për klubet për të cilat ka luajtur. Për  të janë shkruar libra, janë bërë reality show dhe vazhdon të mbetet një model i kërkuar në botë.

Kapil Dev

Kriketi është një lojë indiane, e zbuluar aksidentalisht nga anglezët. Për shpikësit e saj, loja fitoi një tjetër domethënie kur skuadra e tyre, e udhëhequr nga Kapil Dev, arriti të fitonte Kupën e Botës më 1983. Pas kësaj fitoreje, asnjë indian dhe asnjë lojtar kriketi nuk do të mendonte më njësoj për këtë lojë. Gjithçka ndryshoi nga Dev, i cili krijoi atë që sot njihet si kriketi modern. Askush si ai nuk ka mundur t’u imponohet mijërave fansave në botën e kriketit prej viteve ‘80 deri në dekadën e parë të shekullit XXI.

Billie Jean King

Nuk është shumë të thuash se Billie Jean King ndryshoi mundësitë dhe mënyrën e të parit të gjërave për më shumë se 50 përqind të njerëzve. Ajo ishte pjesë e lëvizjes feministe të viteve ’70, jo thjesht si një femër që mbronte të drejtat e saj, por si një lidere ku jo pak herë doli me mendimet e saj imponuese edhe mbi burra që deri në atë kohë njiheshin si “Njësha”të padiskutueshëm. Tenisi për të nuk ishte thjesht një sport, por një mënyrë për t’i treguar botës se edhe ato që quheshin “seksi i dobët” ishin të zonja për të dominuar.

Muhammad Ali

Thuhet se Barack Obama nuk do të ishte president pa trashëgiminë që ka lënë në mendjet amerikane Muhammad Ali. Deri në atë kohë nuk konceptohej që një boksier, aq më tepër me ngjyrë, mund të ishte jo vetëm i fortë por edhe inteligjent. Por, Ali tregoi se kishin gabuar. Njeriu që u kthye në një mit për miliona njerëz në gjithë botën u urrye për pikëpamjet e tij nga po aq të tjerë.

Severiano Ballesteros

Dikur golfi luhej vetëm në periferi. Ballesteros bëri të kundërtën: nxori periferinë nga golfi. Kur Ballesteros u shfaq në botën e golfit, ky sport dominohej kryesisht nga amerikanët dhe britanikët. Por një latin si ai (spanjoll) i dha diçka më tepër golfit; i dha qetësi, por edhe agresivitet njëkohësisht. I dha më shumë popullaritet, por edhe të ardhura. Me pak fjalë, ai krijoi një botë krejt të tijën si fillim, duke ia dhuruar më pas gjithë tifozëve fanatikë të këtij sporti.

Olga Korbut

Lufta e Ftohtë pati “pushtuar” edhe Lojërat Olimpike të vitit 1972. Deri në atë moment, sovjetikët ishin krenuar me Ludmilla Tourischeva, një gjimnaste e talentuar. E më pas erdhi Olga. E bukur,e hijshme dhe me një shkëlqim që të bënte menjëherë për vete ajo theu çdo tabu që deri në ato kohë nuk lejohej të pasqyroheshin nga telekamerat. Ajo krijoi në një farë mënyre një botë tjetër, sureale, në të cilën amerikanë e bolshevikë nuk ndaheshin nga kufiri i ftohtë mes të mirëve dhe të këqijve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë