Sport

Spektakël në moshën 54-vjeçare, Majk Tajson kthehet në ring me barazim

Barazim dhe spektakël. Dikur e quanin “Kid Dynamite”, ndërsa tani Mjak Tajson është “Old Dynamite”, 15 vjet pas ndeshjes së fundit që kishte zhvilluar në ring. Epik dhe heroik edhe në moshën 54-vjeçare. Kundërshtari i tij ishte Roi Xhons jr, 51 vjeç, 23 kurora botërore dhe 2 vjet pa ndeshje.

Në Los Anxheles ringu është kthyer të bëjë historinë: për ekzibicionin më të bujshëm. Ne-Yo këndon himnin dhe ngre lart grushtin e “Black Lives Matter”, fushatës kundër diskriminimit racor. Tajson e nis ndeshjen me gjuajtje në trupin e kundërshtarit e pastaj një e majtë nga të tijat.

Majk Tajson. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

“Iron Mike” peshon thuajse 100 kilogramë, në vitet e arta të tij ka qenë më agresivi edhe për lëvizjen e këmbëve. Përdor më shumë të majtën, është një instikt i pastër. Xhons është më i lëvizshëm me trup, Tajson është më “i uritur”, godet edhe pas rënies së gongut dhe pastaj i kërkon falje kundërshtarit. Edhe pse është më i rëndë, Tajson është më i shpejtë dhe duket sikur kërkon t’i tregojë botë se kush është vërtet.

Xhons tenton me një kombinim në raundin e katërt, por Tajson reagon mirë. Të dy boksierët nuk kursehen, por e dinë se 8 raunde në këtë moshë janë shumë. Xhons përpiqet ta vërë në vështirësi Tajsonin, i cili kalibron të majtën. Raundi i 5-të ëhstë më i luftuari: forcë dhe shpejtësi. Në raundin e 6-të Tajson tenton ta çojë në cepin e ringut kundërshtarin. Ndeshja vazhdon me disa goditje klasi, por ka ekuilibër, siç ishte parashikuar.

Nga ndeshja mes Tajson dhe Xhons. Gazeta Si, 29 nëntor 2020

Te cepi i citojnë Muhamed Ali dhe Tajson buzëqesh me kokën ulur. Në raundin e fundit Tajson e mbyll siç e nisi, me një të majtë potente. Megjithatë, fitues nuk ka: fiton boksi dhe nostalgjia, sepse verdikti është barazim. “Në rregull kështu, dhurova spektakël, por Roi bëri një ndeshje të mirë”, - tha Tajson pas ndeshjes, kurse Xhons theksoi: “Nuk jam i kënaqur me verdiktin, por e pranoj, e rëndësishme është që u dha spektakël. Jam gati të ndeshem sërish, ishte nder të merrja grushte nga Majk”.

“Këtu nuk bëhej fjalë për t’u ndeshur për një titull, por për qëllim humanitar. Jam i lumtur që kisha mundësi të ndeshesha, edhe pse me rregulla ndryshe, reagova mirë ndaj goditjeve të Xhons,” – shtoi Tajson, i cili i ka bërë homazh Maradonës, duke kujtuar vitin 1986 si më të mirin për të dy dhe duke e quajtur atë mik dhe hero. Të dy boksierët jan gati të ndeshen sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë