Ka ndodhur

Korrupsioni, SPAK i sekuestron mbi 51 mln lekë dhe 177 mijë euro mjekut Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vendosur sekuestro mbi 2 llogari bankare të kardiologut, Edvin Prifti, duke i sekuestruar shumën prej 51.479.368 lekë dhe shumën prej 177.497 euro. Bëhet fjalë për llogaritë bankare, llogari rrjedhëse, depozitë pa/me afat apo investime në obligacione.

Mjeku i dyshuar për korrupsion, duhet të vërtetojë ndërkohë burimin edhe për 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë që iu sekuestruan gjatë arrestimit në shkurt të këtij viti.

Ai akuzohet nga SPAK për korrupsion pasiv dhe për pastrim parash përmes skemave fiktive që kishte ngritur përmes dy kompanive.

Dyshohet se kardiologu ka ngritur një skemë të mirëfilltë kriminale, me qëllim shmangien e tatimeve, duke depozituar para në llogari në banka të ndryshme të nivelit të dytë.

LEXO EDHE:
- Mjeku Edvin Prifti: Kërkoj heqjen e arrestit me burg! Lekët janë kursime familjare
- SPAK bën rekurs, kërkon rikthimin në burg të mjekut Edvin Prifti

Mjeku i njohur i QSUT-së, aktualisht është nën masën e sigurimit “Pezullim i ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik”, i dyshuar për kryerjen e veprave të “Korrupsionit pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas SPAK, duke qenë se ekziston dyshimi që shumat e parave të depozituara në bankë, në cash, nga ana e Priftit (në llogarinë personale apo të PF së krijuar prej tij), janë produkte të veprës penale, Prokuroria e Posaçme i ka kërkuar Gjykatës vendosjen e sekuestros preventive.

Emri i Priftit, doli në skenë gjatë hetimeve për gjyqtaren e Krujës, Enkelejda Hoxha, e cila u vu në pranga në fillim të muajit shkurt, bashkë me 9 persona të tjerë, pasi kishin në plan të lironin të dënuarin për vrasje Saimir Petani.

Avokati Aldo Tabaku ishte pjesë e skemës bashkë me sekretaren e gjykatës, Manuela Mallakuçi dhe ekspertin mjeko-ligjor, Shkëlqim Korbi.

Bisedat e përgjuara, nxorën në skenë telefonatën e kryer mes Priftit dhe Mallakuçit, pasi kjo e fundit donte të bënte operacion nënën e saj.

Kontrollet në banesën e mjekut zbuluan se ai kishte mbi 250 mijë euro cash dhe 160 milionë lekë të vjetra.
50 mijë euro të tjera dhe 3 mln lekë iu gjetën në zyrë, para për të cilat avokatët pretenduan se ishin në çantën e Priftit, gati për t’i dërguar në bankë.

Po ashtu, Prifti deklaroi se një pjesë e shumës së parave të gjetura në banesë, ka qenë vlerë e fituar nga çmimet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë.

Pas gjetjes së këtyre parave, Prifti u arrestua 13 shkurt, por pas apelimit të vendimit, gjykata e liroi duke lënë në fuqi vetëm pezullimin e tij nga detyra.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë