Ka ndodhur

SPAK bën rekurs, kërkon rikthimin në burg të mjekut Edvin Prifti

Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion, kërkon rikthimin në qeli të kardiologut Edvin Prifti, i liruar në 2 mars të këtij viti. Pikërisht në këtë datë, Gjykata e Lartë ndryshoi masën e sigurisë për shefin e kardiokirurgjisë në QSUT, nga “arrest me burg”, në pezullim detyre.

Prifti akuzohet se i mori ryshfet kryesekretares së Gjykatës së Krujës, Manuela Mallkuçi për t’i operuar nënën. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë euro dhe 16 milionë lekë cash në zyrë dhe shtëpi.

Arrestimi i tij, u bë pas hetimit disa mujor të SPAK-ut, ku së bashku me të, u prangosën 13 persona, mes të cilëve gjyqtarja Enkelejda Hoxha, teksa po zhvillonte seancën gjyqësore për lirimin e një tjetër të dënuari me burg.

Mes të arrestuarve ishin edhe sekretarja e gjykatës, Emanuela Mallkuçi dhe avokati Aldo Tabaku, të cilët në bazë të një skeme të mirëfilltë korrupsioni, bënin lirimin e të dënuarve. 

LEXO EDHE:
- Mjeku Edvin Prifti: Kërkoj heqjen e arrestit me burg! Lekët janë kursime familjare
- SPAK i sekuestron pasurinë mjekut Ervin Prifti

Në një prej shumë bisedave telefonike të përgjuara nga SPAK, Mallkuçi është regjistruar duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj.

Kjo gjë ka bërë që SPAK të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti.

Ndërkohë, pak para se të arrestohej, Prifti deklaroi se paratë e gjetura ishin të ligjshme dhe shtoi se ato janë të bashkëshortes të përfituara nga një kontratë shit-blerje me të motrën.

Mes të tjerash, avokati i tij, pretendon se mjeku ka përfituar një pjesë të parave edhe nga disa çmime ndërkombëtare në SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë