Ana e errët

Raporti sekret, krerët e gjykatave të korruptuar e lidhje me krimin


Procesi i Vettingut ka nxjerrë nga sistemi i drejtësisë një pjesë të krerëve të gjykatave në rrethe. Për tre drejtues të Gjykatave, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit është mbështetur te raportet sekrete të Drejtorisë të Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK), të cilat kanë ndikuar përfundimisht që të merret vendimi për largimin e tyre nga sistemi i drejtësisë.
Nuk ka mjaftuar që të joshen me lekë për dhënien e vendimeve, por në disa raste ata kanë ushtruar presion në marrjen e vendimeve dhe madje dhe ndaj kolegëve të tyre.
Në raportet “Top sekret” të DSIK të deklasifikuara tashmë, të disponuara nga Gazeta Si rezulton se tre krerët e gjykatave të Sarandës, Kurbinit dhe të Korçës kanë pasur mjaft probleme, çka e ka detyruar këtë institucion që t’i rekomandojë KPK-së papërshtatshmërinë për vazhdimin e detyrës.

Kryegjyqtari kërcënon gjyqtarin

Në raportin sekret për Admir Belishtën, gjyqtar dhe kryetar i Gjykatës së Korçës, DSIK bën të ditur rastin e kërcënimit të gjyqtari me qëllim favorizimin e një të mituri, i gjykuar për veprën penale të vrasjes.
“Sa vijon, pas informacionit shtesë të ardhur nga autoriteti verifikues…, për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme, të shfaqur në formën e korrupsionit pasiv të gjyqtarit dhe atë të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm, kundrejt përfitimit monetar të subjektit të rivlerësimit Admir Belishta rezulton: se subjekti i rivlerësimit së bashku me shtetasen … dyshohet se mund të kenë fyer dhe kërcënuar gjyqtarin Maksi Dako, pasi ky i fundit i kishte rrëzuar kërkesën. Informacioni hedh dyshime se subjekti i rivlerësimit mund të ketë favorizuar një shtetas të mitur i gjykuar për veprën penal të vrasjes. Admir Belishta dyshohet se mund t’i ketë kërkuar një shumë të konsiderueshme një shtetari, për të cilin ka pasur një proces gjyqësor për shpërdorim dhe favorizim të kontrabandës”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta SI.

Raporti sekret i DSIK-së për Admir Belishtën


Por, DSIK nuk është ndalur me kaq, ndërsa ka renditur edhe disa fakte të tjera ndaj kryegjyqtarit të Korçës, tashmë të shkarkuar nga KPK. DSIK ka dyshime për implikim në veprime korruptive të kryetarit të Gjykatës Belishta, sa i përket një çështje në ngarkim të një shtetasi, i cili është gjykuar për veprën penale të vrasjes. Për këtë kishte pasur dyshime edhe prokuroria e Korçës.


Gjyqtari dyshohet se mund të ketë favorizuar një shtetas të gjykuar në atë periudhë për veprën penale të plagosjes me dashje. “Bazuar në informacionet e siguruara nga institucioni i verifikimit informoheni se: në çështjen e gjykuar nga Admir Belishta në ngarkim të shtetasit…, ka dyshime se vendimi për lirimin me kusht të këtij të dënuari është marrë në kundërshtim me ligjin. Sa më sipër: a) Vlerësojmë se gjendemi në një situatë që pasqyron disa raste të ndryshme, nga të cilat lindin dyshime të arsyeshme për përfshirje në “korrupsion pasiv të gjyqtarit dhe në ndikim të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” gjatë ushtrimit të detyrës, konkretisht në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Korçë; b) Subjekti i rivlerësimit mund të jetë përfshirë në veprimtari të kundërligjshme, shfaqur në formën e korrupsionit aktiv dhe pasiv të gjyqtarit, ku është me interes të theksohet se informacioni i institucionit të verifikimit ngre dyshime për implikim në veprime korruptive, të Prokurorisë dhe kryetarit të Gjykatës në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Korçë, z.Admir Belishta”, thuhet në raportin e DSIK-së.

Admir Belishta


Gjithashtu në dokumentin e siguruar nga Gazeta SI theksohet se nëpërmjet premtimit apo kërkimit të drejtpërdrejt apo tërthorazi, të çfarëdolloj përfitimi të parregullt, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij funksionale, e bën subjektin e rivlerësimit person me tendenca për përfshirjen në veprimtari kriminale dhe një individ që mund të vihet nën presion nga strukturat kriminale. Për Belishtën, DSIK ka paraqitur dy raporte, ku në dy rastet vlerësohet si i papërshtatshëm për ushtruar detyrën e gjyqtarit. KPK mori vendimin për shkarkimin e tij në dhjetor të 2018-ës.

Kryegjyqtari i Kurbinit

Për Alfred Gjonin, kryegjyqtarin e Gjykatës Kurbinit, raporti DSIK e cilëson si të papërshtatshëm për vijimin e detyrës. KPK e shkarkoi Gjonin më 18 mars 2019, ku zbutja e dënimit ndaj të dënuarit për 2 vrasje Gentian Doda, ishte një nga shkeljet mbi të cilat u mbështet në këtë vendim.
Por raporti i DSIK vlerëson se disponon të dhëna ku subjekti i rivlerësimit ngrihen dyshime të arsyeshme për përfshirje në korrupsion pasiv të Gjonit.

Alfred Gjoni pas daljes nga seanca e KPK-së


“Gjatë një procesi penal të zhvilluar në shkallë të ndryshme u janë dhënë gjyqtarëve të çështjes një shumë e konsiderueshme parash për ndryshimin e veprës penale me qëllim uljen e dënimit. Një nga gjyqtarët që ka përfituar është edhe gjyqtari Alfred Gjoni. Autoritetet Verifikuese në lidhje me subjektin e rivlerësimit na informojnë se shtetasi, Alfred Gjoni frekuenton një apartament në pallatin ku ndodhet bar restorant “Price”, Durrës. Ai ka në përdorim një automjet, Audi A4, ngjyrë gri, i cili figuron i regjistruar në pronësi të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kurbin”, thuhet në raportin sekret të DSIK-së të siguruar nga Gazeta SI.

Raporti i DSK për Alfred Gjonin


Gjithashtu vlerësime jepen edhe për shoferin e tij, ku ka të dhëna se ka implikim në një veprimtari të krimit të organizuar. Edhe Gjoni vlerësohet në këtë raport si person me tendenca për përfshirjen kriminale dhe një individ që mund të vihet lehtësisht nën presion nga strukturat kriminale.


Kryegjyqtari i Sarandës

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 8 janar shkarkoi kryegjyqtarin e Gjykatës së Sarandës, Alltun Çela pasi vlerësoi se subjekti rivlerësimit kishte probleme në të tre kriteret e rivlerësimit; pasuri, figurë morale dhe aftësi profesionale. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka kryer kontrollin e figurës së subjektit të rivlerësimit me atë të verifikimit të deklarimeve dhe të dhënave të tjera, me qëllim që të identifikohet nëse subjekti i rivlerësimit ka kontakte të papërshtatshme me personat e përfshirë në krimin e organizuar, sipas parimeve dhe kushteve të parashikuar në nenin DH të Aneksit të Kushtetutës dhe ligjit nr. 84/2016.

Alltun Çela

“Disponohen të dhëna në kohështrirje, ku për subjektin e rivlerësimit Alltun Kajtaz Çela (Çelo), ngrihen dyshime përfshirje në veprime korruptive dhe ushtrim dhe ndikim të paligjshëm në disa procese gjyqësore në Gjykatën e Rrethit Sarandë në rastet e mëposhtme:- Në një të dhënë dyshohet se gjyqtari i Çështjes A. Çela ka ushtruar presion ndaj një ish-funksionari të Urbanistikës Sarandë për të dhënë ryshfet, pasi ky i fundit në vitin 2006 është akuzuar nga prokuroria për shpërdorim detyre;- Kryetari i Gjykatës mund të ketë marrë një sasi të caktuar parash për favor ndaj dy shtetasve, të ndaluar për transport të klandestinëve me origjinë nga vendet arabe; – Dyshohet se gjyqtari Çela ka marrë një shumë të caktuar parash për ndryshimin e masës së sigurisë së një shtetasi të akuzuar për ndërtim pa leje, shkatërrim prone, mospagim taksash dhe fshehje të ardhurash”, thuhet në raportin e siguruar nga Gazeta SI.
Gjithashtu theksohet se gjyqtari ka ndikuar në favorizimin e çështjes së një shtetasi për lidhjet e tij familjare. Ai ka dhënë një vendim ndaj disa shtetasve sa i përket regjistrimit të pronave në zonën e Parkut Kombëtar të Butrintit, pa praninë e përfaqësuesve të AKKP dhe Avokatit të Popullit.

Dokumenti sekret i Alltun Çelës


“Informacionet që disponohen në ngarkim të gjyqtarit Alltun Çela, për implikim në veprimtari korruptive të funksionarit të drejtësisë, për një periudhë relativisht të gjatë kohe, në më shumë se një rast, nëpërmjet premtimit apo kërkimit të drejtpërdrejtë apo tërthorazi, të çfarëdolloj përfitimi të parregullt, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij funksionale e bën subjektin e rivlerësimit person me tendenca nga strukturat kriminale. Grupi i punës rishikon konstatimin fillestar të Kontrollit të Figurës të subjektit të rivlerësimit Alltun Çela dhe arrin në përfundimin mbi papërshtatshmërinë e vijimit të detyrës nga subjekt”, thuhet në vlerësimin DSIK-së përmes këtij raporti sekret.

 

Më Shumë