Politike

Sondazhe në bazë/ Berisha përcakton axhendën politike: Protesta, tryeza të rrumbullakëta, nga selia s’heqim dorë

Nga protesta e 8 Janarit, anëtarët e Komisionit të Rithemelimit me në krye Sali Berishën po nxjerrin disa “mësime”, duke u fokusuar pikësëpari në një strategji politike më të mirëmenduar, kësaj here në bashkëpunim edhe më mbështetësit e tyre në bazë.

Duke filluar me sondazhe se cila duhet të jetë lëvizja e radhës së tyre qoftë edhe në raport me selinë (dhe jo vetëm ajo qendrore por edhe ato në degë), e deri tek vendimet politike për tu organizuar në protesta e paralelisht takime me pjesë të ndryshme të shoqërisë për problematikat kryesore ne vend dhe mënyrën se si po qeveris Edi Rama.

Ish-kryeministri Sali Berisha i ceku pak këto çështje në një deklaratë për mediat kur foli pas dëshmisë që dha në Prokurori.

Berisha njoftoi se do të kishte një takim me demokratët në Shkodër të dielën, duke mos e cilësuar më vijim të “Foltores”, por takim për të tjera axhenda politike.   

“Unë tani ftoj demokratët e Shkodrës ditën e diel në orën 11:00 në Pallatin e Sportit. Selia do i rikthehet PD. Statuti i votuar nga delegatët në 11 dhjetor ka një nen që sanksionon se selia është ajo ndërtesë që sot Lul Brava e ka shndërruar në çerdhe krimi. Selia do u kthehet demokratëve, nuk ka forcë në botë që të marrë selinë dhe ta shndërrojë në kulla”.

“Tani do ketë takime të fuqishme me qytetarët, gjithçka në funksion të një strategjie: të largimit të narkoshtetit dhe përgatitjes së terrenit për protesta të fuqishme. Nuk mund të pajtohet ky popull të pajtohet me kufoma politike dhe të pranojë lidhje të tilla të tmerrshme të politikës me krimin.

Do ketë tryeza të rrumbullakëta, ku do elaborohen mendime për fusha të ndryshme, për probleme të ndryshme. Do ketë një veprimtari multidimensionale.

Pa asnjë dyshim, selia do i rikthehet demokratëve,” tha Berisha, teksa u pyet disa herë nga media se cila do të jetë lëvizja e radhës së tij ndaj godinës së PD-së  për të cilën ai tha shumëçka.

“...Momenti që është më flagrant është se sot, njeriu që është shkarkuar nga çdo funksion i PD është simbol i pabesisë ekstreme politike.

Së dyti, simboli më i degraduar i lidhjeve me krimin. Së treti, mos harroni se ky është personi që për pazare personale dhe pasurimin personal ishte i gatshëm të shuante ndërtesën e PD për shkak të kullave”, tha Berisha.

“Ky është personi që për pazare personale dhe pasuri personale, ishte i gatshëm të shuante ndërtesën për shkak të kullave që do ndërtoheshin aty, dhe duhet ta dini, dhe shkoni ta pyesni Erion Veliajn, se të gjithë të dhënat e mia dëshmojnë se pronarët i kanë thënë atij se jemi të marrë vesh me Lul Bravën.

Lulzim Brava është simboli i politikanit që nuk njeh asnjë princip, që për të ruajtur karrigen pasi është shkarkuar nga anëtarësia, e shndërroi selinë e PD, duke ia dorëzuar Edi Ramës të blinduar,” tha ndër të tjera Berisha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë