Mendim

Sllovakia, shteti mafioz që nuk mund të luftojë korrupsionin

Pas arrestimit për vrasjen e një gazetari investigativ, biznesmeni sllovak Marian Kocner u kishte dërguar një sërë mesazhe për ndihmë dhjetëra politikanëve dhe figurave të lidhura me krimin e organizuar.

Kocner ishte famëkeq për lidhjet me mafien, prandaj akuzat për urdhërimin e vrasjes së gazetarit investigativ Jan Kuciak, i cili kishte qenë duke hetuar marrëdhëniet e tij me krimin, nuk ishin surprizë për askënd.

Sipas mesazheve të zbardhura nga telefoni tij, të publikuara së fundmi nga media sllovake, Kocner kërkonte zgjidhjen e problemeve të tij ligjore përmes kontakteve në polici dhe prokurori dhe qeveri.

Për shumë sllovakë, këto mesazhe janë simboli më i madh i korrupsionit në një vend që ende po heton vrasjen e gazetarit 27-vjeçar dhe të fejuarës së tij në Bratisllavë në shkurt të vitit 2018.

Ata i shohin këto mesazhe si provë që Kocner mendonte se ai ishte mbi ligjin.

"Sllovakia është një shtet mafioz dhe njerëz si Kocner diktojnë vendimet më të rëndësishme në vend," thanë organizuesit e protestave që po kërkojnë prej muajsh drejtësi për gazetarin e vrarë.

Homazhe në kujtim të Jan Kuciak dhe të fejuarës së tij, Martina Kusnirova. Gazeta Si, 28 gusht 2019

“Një sistem si ky nuk mund të ndërtohet brenda një dite. Ai është krijuar nga qeveria 12-vjeçare e ish-kryeministrit Robert Fico dhe miqve të tij kriminelë, një qeveri pa respekt për ligjin dhe për parimet themelore demokratike."

Pas vrasjes së Kuciak, organizatat e shoqërisë civile organizuan demonstrata masive që detyruan dorëheqjen e Ficos si kryeministër, megjithëse ai është akoma udhëheqësi i partisë në pushtet SMER-SD.

Dhe në fillim të këtij viti, votuesit zgjodhën prokuroren e anti-korrupsionit Zuzana Caputova si presidente, duke i dhënë një goditje të fuqishme klasës së vjetër të politikanëve.

"Pas vrasjes së Jan Kuciak, qeveria u ndryshua", thotë Matus Kostolny, kryeredaktor i gazetës ku punonte reporteri investigativ. "Tronditja ishte aq e madhe saqë shkundi me të vërtetë sistemin."

Sllovakët do të shkojnë në zgjedhje në mars të vitit 2020 për zgjedhjet parlamentare - të parat që nga vrasja e Kuciak dhe partitë e opozitës thonë se luftimi i korrupsionit do të jetë përparësia e tyre.

Por ekspertët e transparencës thonë se Sllovakia ka një rrugë të gjatë për të shkatërruar lidhjet midis politikanëve, institucioneve shtetërore, oligarkëve dhe krimit të organizuar.

Zemërimi i publikut sllovak mbi korrupsionin po përhapet për rreth një dekadë.

Protestuesit fillimisht dolën në rrugë në vitin 2012 pas publikimit të përgjimeve të shërbimit sekret, të cilat zbuluan politikanët dhe oligarkët duke diskutuar për tendera korruptivë. Hetimi për rastin vazhdon dhe askush nuk është arrestuar.

Robert Fico, Gazeta Si, 28 gushrt 2019

Në vitin 2016, demonstruesit kërkuan hetimin e lidhjeve mes Ladislav Basternak, një biznesmen i afërt me Kocner dhe disa politikanëve të lartë SMER-SD, përfshirë edhe vetë Ficon.

Fico ende jeton në një ndërtesë luksoze në pronësi të Basternak, i cili u dënua me pesë vjet burg vitin e kaluar për evazion fiskal. Kocner zotëronte një apartament ngjitur me Ficon, por e shiti atë në shtator 2017.

Shitja e apartamentit ishte pikërisht ajo që zgjoi kureshtjen e gazetarit të vrarë. Pasi u interesua për këtë çështje, Kuciak mori një telefonatë kërcënuese nga Kocner. Ai e denoncoi biznesmenin famëkeq në polici por autoritetet nuk e morën kurrë në mbrojtje.

Disa muaj më vonë, vrasja e Kuciak ndezi demonstratat më të mëdha të Sllovakisë që nga rënia e komunizmit në 1989.

Qindra mijëra sllovakë kërkuan jo vetëm dorëheqjen e Ficos, por edhe atë të Ministrit të Brendshëm Robert Kalinak, kreut të Policisë Tibor Gaspar dhe kreut të zyrës së Prokurorisë Speciale, Dusan Kovacik.

"Publiku kuptoi se sa i madh ishte korrupsioni," tha Michal Pisko, koordinator i International Transparency” në Sllovaki.

Sipas një studimi të Komisionit Europian në shkurt 2018, 85 për qind e sllovakëve mendonin se korrupsioni ishte i tejet i përhapur në vend dhe gati gjysma e tyre mendonin se ishte përkeqësuar gjatë tre viteve të fundit.

Pas dorëheqjes së Ficos, Kalinak dhe ministrat e tjerë u larguan nga kabineti qeveritar. Ndërkohë, policia ka akuzuar tre burra dhe një grua për vrasjen e Kuciak por të gjithë janë të bindur se vrasësit e tij mbeten të lirë.

Një çështje besimi

"Nuk ka korrupsion të nivelit të lartë në Sllovaki," tha ish-ministri i brendshëm Kalinak i njohur në vitin 2017. Nëse do të bazohemi tek ndjekjet penale ai ka të drejtë.

Ndryshe nga Republika Çeke ose Rumania, asnjë zyrtar i lartë nuk është hetuar ndonjëherë për korrupsion në Sllovaki.

Vitin e kaluar, 47 persona u akuzuan për korrupsion në Sllovaki po gjysma e çështjeve përfshinin ryshfete nën 20 euro.

Kopjet e gazetës ditore "Dennik N", ku punonte gazetari i vrare. Gazeta Si, 28 gusht 2019

Megjithatë, sipas Zyrës Europiane të Anti-Korrupsionit, Sllovakia është e para për shpërdorimin ose vjedhjen e fondeve të BE-së. Një rast i vetëm mashtrimi doganor i zbuluar vitin e kaluar ishte me vlerë 300 milionë euro.

Vitet e fundit, një sërë skandalesh korrupsioni të të gjitha madhësive janë shfaqur në pothuajse çdo sektor: arsim, shkencë, shëndet, bujqësi, siguri, ushtri, kujdes social, kulturë dhe mjedis.

Në mënyrë të konsiderueshme, shumica dolën në dritë falë gazetarëve investigativë ose politikanëve të opozitës.

"As korrupsioni i madh dhe as peshqit e mëdhenj nuk ndëshkohen kurrë këtu dhe kjo po krijon shumë zhgënjim në mesin e qytetarëve," tha Pisko.

Ekspertët thonë se një zhgënjim i tillë mund të nxisë ekstremizmin e krahut të djathtë.

"Gati një e katërta e njerëzve në këtë vend i shikojnë ekstremistët dhe fashistët si lëvizja që do t'i rregullojë të gjitha," thotë eksperti. "Në shekullin e kaluar, ne kemi pasur dy regjime totalitare dhe prapë kishte korrupsion. Rendi nuk është një zgjidhje për korrupsionin. Por transparenca është. "

Në zgjedhjet presidenciale në mars, më shumë se 10 për qind e votuesve mbështesin Marian Kotleba, kreun e një partie që konsiderohet gjerësisht si neo-fashist, ndërsa më shumë se 14 për qind mbështesin populistin e krahut të djathtë Stefan Harabin.

Dhe si për ironi, Sllovakia konsiderohet në një farë mënyre një pionier i transparencës brenda BE-së. Që nga viti 2011, institucioneve publike, kryebashkiakëve dhe ministrave u kërkohet të publikojnë të gjitha kontratat dhe tenderët në një regjistër publik.

Por shpresa më e madhe për ndryshim duket se vjen nga media e pavarur. Pas vrasjes së Kuciak, të gjithë gazetarët janë zotuar të vazhdojnë presionin për përgjegjshmërinë publike.

"Unë mendoj se nuk kemi qenë kurrë afër një ndryshimi," thotë Pisko.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë